Shkruan Arben N. Bushgjoka
LAJM NGA KOZMOSI SHQIPTAR: SATELITI ALBANIA I “JEP SHPIRT”!!
Mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurisë Ndëryjore! Sateliti ynë krenar, syri ynë i mprehtë në qiell, “Albania I”, paska vendosur të bëjë një vetëflijim spektakolar. Mësohet që, më 29 janar 2026, ai dha “shpirt” në atmosferë duke përfunduar “misionin e tij historik”.
Siç thonë edhe ekspertët e teknologjisë (ata që s’ia dinë vlerën artit të propagandës), sateliti u shkri pa lënë asnjë raport se sa ndërtime pa leje kapi apo sa parcela me “sherebelë mjekësore” zbuloi. Me sa duket, u mërzit duke parë që sa herë bënte një foto, poshtë shtohej një kat pa leje, dhe vendosi të bëhej meteor!
Po 6 milionë dollarët e marrëveshjes?
Mos bëni pyetje kaq banale e pa vizion! Ato u dogjën për një kauzë më të lartë: për të ndriçuar qiellin e errët të opozitës!
Nuk ka vend për panik dhe dëshpërim! Lideri Suprem, mendjendrituri ynë i pagabueshëm, timonieri i hapësirës dhe i tokës, e ka gati planin e ri strategjik. Meqë teknologjia amerikane dështoi para gjenialitetit tonë, Lideri ka vendosur ta zëvendësojë menjëherë me satelitin e ri të teknologjisë së fundit: “Surreli I”!
Pse të harxhojmë miliona në Cape Canaveral kur kemi pikën më strategjike të Ballkanit dhe Evropës? “Surreli I” do të jetë një satelit gjeostacionar, i pozicionuar direkt mbi çatinë e vilës në Surrel. Avantazhet janë të jashtëzakonshme:
– Monitorim me sy të lirë: Lideri Suprem, me një filxhan kafe në dorë dhe një dylbi të blerë me tender sekret, do të kontrollojë çdo cep të territorit.
– Zbulim me nuhatje: Nuk ka nevojë për rreze infra të kuqe për të kapur kanabisin; era vjen direkt nga lartësitë e Surrelit!
– Transparencë 100%: Nuk do të ketë nevojë për raporte zyrtare. Po pati ndonjë problem, Lideri do të bëjë një ERTV LIVE nga ballkoni dhe na e shpjegon vetë situatën me metafora dhe piktura.
Pushof në paqe “Albania I”, u bëfsh hiri i incineratorëve! Mirësevjen “Surreli I” – sateliti që nuk digjet kurrë, sepse ushqehet me energjinë pozitive të Rilindjes







