Në mbrëmjen gala të mbretit të Holandës, në kuadër të Samitit të NATO-s në Hagë, kryeministri Edi Rama dhe zonja e tij Linda Rama, u shfaqën me një elegancë që binte në sy për stilin e veçantë dhe të qëndrueshëm.
Kryeministri Rama zgjodhi një kostum krem, me prerje të pastër dhe kravatë me motive, një zgjedhje klasike dhe e çlirët për një event veror ndërkombëtar, që ruan seriozitetin e postit pa e ngarkuar me tone formale të zakonshme. Një stil që tashmë është firmë e tij.
Ndërsa Linda Rama, me një veshje në të zezë me nuanca kadifeje dhe material transparent, aksesuarë me personalitet si bereta, syzet e mëdha dhe një brosh që duket si detaj arti, përcolli hijeshi, karakter dhe vetëdije të plotë për rolin dhe praninë që përfaqëson. Një paraqitje që nuk ndjek modën, por krijon narrativë.