Shkruan Sokol Pepushaj
Retrospektivë.
Kush blen vota për hiç gjë, do vjedhë katër vjet çdo gjë.
Hajdutët që po zihen kush vjedh vota më shumë në oborr të ligjit, i kanë mbyllur sytë SPAK-ut brenda kangjellave të drejtësisë. Bashkitë, kanë lidhur shiritin të zi, para se të vijë e keqja. Nuk e dinë cili hajdut do këpusë qafën e do humbë, e cili do vendosë shiritin e kuq krahë-qafë, për t’u shtrënguar lakun në fyt deleve që këto ditë po kullosin nëpër pemët ku janë varur Babloku me ngjyra dhe Saliu e Iliri bardh e zi.
Tek kolori ushqen ndjesitë Piktori.
Secili hajdut ka telajon, penelin e rimelin e vet. Ka edhe ndjesinë e vet. Saliu e Iliri e ndjejnë veten shumë më mirë bardh e zi.
Por nuk është kjo panorama, o Bablok.
Shitblerja e votës, kjo çmenduri e kërcënimit të stabilitetit, prodhon krye bashkiakë në pamje të parë numra hajdutësh, e në esencë hajdutë që pasuritë tuaja i bëjnë numra bri miliona dollarëve të familjeve kriminale.
Në çdo bashki, prona private, të drejtat dhe liritë, shërbimet komunale e sociale, të gjithë atyre që votojnë me sy mbyllur, duke shitur vullnetin me aq para sa kandidati i bën bakshish tek kamarieri në një tavolinë, u shndërrohen në pronë të Beut bark derr.
Ata që publikisht, pa e shkrepur qerpikun nga frika e ligjit, hapin thasët me para prej ku shpërndajnë zarfe me pak para, si dikur talonët e ushqimeve, i kanë zhubrosur shpresat për një të nesërme ndryshe të djeshmes.
E nesërmja ngjan bosh…
Përveç sigurimit të vazhdimësisë së ritualit përça e sundo, ndaj pak “lëmoshe” e fut marsh tjetër, nuk reflekton asgjë tej kostos më të lartë labirintheve të dilemës; më mirë të më rrjepë hajduti im apo hajduti yt.
Hajdutët këtë bëjnë. Njëherë në katër vjet ndërrojnë marshin indietro, bëhen të afërt, të butë, japin diçka. Ajo diçka e tyre sot, siguron shumëçka nesër. Ka bashki aq të vogla, që lëshojnë para të madhe për një kolltuk krye bashkiaku me një rrogë qesharake. Të mendosh se “Beu” hap kuletën e bën dalje pa problem dy milion dollarë për një rrogë më pak se 40 000 dollarë në katër vjet për zemërgjerësi, çfarë është tjetër, veçse idiotësi?!
Pastaj, ku i mori milionat ky Beu?
Prandaj loja bëhet me disa, me pak, që të ndërtojnë balancat me të tjerët, me shumicën. Asish që kishin bërë “fli” Beun që i shfrytëzoi në ditë të zeza dje, rrinë shohin me indiferencë kërbaçin që do të provojnë në ditë edhe më sterrë nesër.
Karrikedashësit hajdutë, si proces tashmë, ngrejnë monumente ndershmërie para turmave që edhe kur ato rrudhosen e vrerosen, të mos kenë kërkesa për dukshmëri ndryshe, ose më thjeshtë, qetësuese.
Qetësia, edhe pse është përzier në muzikë tallava, nuk mund të prodhojë cilësi. kur dihet si një e një bëjnë dy; kush blen vota për hiç gjë, do vjedhë katër vjet çdo gjë./Pamfleti