Plani i SPAK-ut dhe ankthi që ka pushtuar të korruptuarit!

0

Shkruan Spartak Ngjela

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri do të vijojë me sukses. Dhe ajo po drejtohet nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – SPAK. Kurse SPAK po drejtohet nga ekspertiza profesionale e ardhur nga Uashingtoni.
Korrupsioni dhe krimit i organizuar në Shqipëri ishin kthyer në një fenomen. Prandaj kanë mbi njëzet vite që po drejtojnë tregun, drejtësinë dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

Në Shqipëri sot ka ende skepticizëm për luftën antikorrupsion që ka filluar nga SPAK; por unë jam i bindur se SPAK do ta çojë deri në fund këtë luftë. Kurse duhet theksuar se profesionalisht lufta antikorrupsion po drejtohet nga ekspertët amerikanë që janë aktualisht të atashuar në SPAK. Por, kryeministri Rama që po duket se do ta ndihmojë antikorrupsionin; ende nuk ka nxjerrë një platformë qeveritare antikorrupsion.

Atëherë?

Megjithatë; tani të gjitha shpresat janë te SPAK.

I.
SPAK në mënyra të ndryshme po e heton korrupsionin, dhe të korruptuarit e dinë se u janë hapur dosjet në SPAK.
Kuptohet se korrupsioni i lartë po ndihet i trembur; dhe prandaj është hedhur në luftë me çdo mjet. Ka paguar edhe në Amerikë; por asgjë nuk bëri dot.

Kjo sepse lufta kundër korrupsionit në Shqipëri, në politikën amerikane dhe në Kongresin Amerikan, është quajtur edhe si intetes amerikan.

Dhe SPAK po vijon hetimin antikorrupsion në Shqipëri.

Kurse të korruptuarit janë të shqetësuar.

Dallohen edhe kur dalin në media pasi janë thirrur e janë pyetur në SPAK.

Sigurisht që ky në vijim po pritet të jetë një proces i gjatë në kohë; por lufta antikorrupsion ka filluar të jepë rezultat. Dhe ajo do shkojë deri në fund.

II.

Sot SPAK, profesionalisht, është në shqyrtimin e denoncimeve antikorrupsion që po i vijnë edhe nga organizmat ndërkombëtare. Dhe ne shpresën e kemi te fakti që në këtë luftë është edhe interesi amerikan që është bashkuar me interesin historik të Shqipërisë dhe, bashkërisht, janë angazhuar në luftën antikorrupsion në Shqipëri.

Kurse duhet të jemi të qartë se lufta kundër korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri nuk është një çështje e thjeshtë juridike dhe gjyqësore. Provat për këtë krim nuk mblidhen lehtë; sepse edhe korrupsioni i lartë shtetëror nuk ka punuar vetë; por me ndihmën e bashkëpunëtorëve në pushtetin gjyqësor të korruptuar, në qeveritë shqiptare, por edhe në treg – në Shqipëri dhe jashtë saj..

III.

Korrupsioni I lartë shtetëror nuk mund ta fitojë paranë e paligjshme nëse nuk ka bashkëpunëtorët e vet në treg; domethënë në kapitalin privat.

Korrupsioni i lartë shtetëror vjedh shtetin, duke i bërë favore kapitalit privat; dhe bashkë ndajnë fitimet. Kjo është doktrina e një korrupsioni të lartë si ky yni.

Ministri i korruptuar thotë: “Unë të jap një leje ndërtimi të menjëhershme në një vend me leverdi ekonomike, por edhe ti duhet të më pagush”.

Dhe shoqëria kështu sigurisht që vuan padrejtësinë e cila spikat kudo ku kërkohet leja e shtetit.
Kurse korrupsioni fiton para dhe me to blen njëherësh edhe pushtetin gjyqësor, edhe pushtetin vendor; por edhe qeverinë shqiptare për të rritur kapitalin e vet me çdo mjet.

Sepse më përpara korrupsioni i lartë shtetëror me anë të parlamentit ku ai ka shumicën, ka krijuar edhe pushtetin gjyqësor që e ka kthyer në skllavin e vet. Sepse nëse pushteti gjyqësor është i drejtë, i pavarur dhe i vendosur kundër krimit shtetëror, korrupsioni shtetëror është i destinuar të humbasë deri në zhdukje.

Por koha po ndryshon në Shqipëri.
Sepse…

Sikurse edhe dihet, tani këtë zallamahi vjedhjesh dhe abuzimi që është bërë në Shqipëri nga korrupsioni i lartë shtetëror, e ka marrë në dorë SPAK, që është sot organi suprem në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

IV.

Kurse duhet të theksojmë se tani të korruptuarit e lartë po i bëjnë të gjitha përpjekjet për të trembur ose për të blerë SPAK- un.

Ata janë hedhur në sulm me një spektër të gjerë. Por SPK dihet se po drejtohet nga ekspertiza amerikane që tani është atje. Prandaj të korruptuarit e lartë kot lodhen në veprimtarinë e tyre anti-SPAK.

Kot lodhen; madje, edhe duke e kërcënuar SPAK -un, sepse këta kështu i kanë bërë një dëm shumë të madh vetvetes.

Askush nuk e kërcënon dot SPSK- kun, kurse kërcënuesit do të ndëshkohen ligjërisht…
Kjo është e sigurt.

Dhe tani shqiptarët e kanë parë vetë se si ish kryeministri që ëshrë nën akuzë sulmon SPAK-un; por, si mendoni ju: korrupsioni i lartë shtetëror në Shqipëri do të trembë Amerikën!!!

Gjithsesi na duhet të theksojmë se Lufta kundër korrupsionit nuk është fushë me lule; por një luftë serioze dhe me profesion të lartë gjyqësor, sepse lufta me të korruptuarit e lartë sigurisht që do të ketë rrjedhë të fortë. Ajo tani do të hyjë në fazën e vet thelbësore edhe pse duhet ta përmendim që SPAK deri tani ka marrë nën akuzë ish kryeministra, presidentë dhe ministra të korruptuar.

Por pyetja që duhet të bëjë ekspertiza e lartë është kjo:

Korrupsioni i lartë shtetëror në Shqipëri, i trembur siç është: a do të kalojë në akte terroriste?

Jo! Këtë e kanë të pamundur, se shërbimet amerikane sot janë shumë aktive edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë.

V.

Një shtet i korruptuar dihet se punon kundër popullit të vet. Janë interesat që i ndajnë: korrupsioni i lartë shtetëror vjedh shtetin dhe shoqëria ndihet si skllave; kurse kapitali privat që nuk është i lidhur me korrupsionin nuk ka se çfarë të bëjë: ai i nënshtrohet qeverisë së korruptuar.

Dihet se një kryeministër dhe një qeveri e korruptuar punon për interesin e vet, duke u paguar nga kapitali privat me të cilin ajo punon për përfitime: qeveria e korruptuar shet shtetin e vet te kapitali privat; kurse ky kapital i ndan të ardhurat që ka fituar në rrugë joligjore me kryeministrin dhe ministrat e korruptuar.

Ky është sot në thelb korrupsioni i lartë shtetëror në Shqipëri

Një kryeministri ose një ministri të korruptuar i duket se ata janë abuzes kundër ligjit dhe kaq; kurse në të vërtetë ata kanë abuzuar mbi popullin e tyre që i ka votuar për drejtësi shoqërore dhe drejtimin të ndershëm të tregut privat dhe të ekonomisë shtetërore në Shqipëri.

Ja, kjo që trajtuam në këtë shkrim është logjika antikorrupsion në thelbin e saj sot në Shqipëri, e cila i ka të gjitha mundësitë që ta shpëtojë shoqërinë shqiptare nga kjo gjëmë historike qe e ka pushtuar prej mbi njëzetë vitesh rresht.
Dhe prandaj, shpresa e të ardhmes ligjore të Shqipërisë sot është e përqendruar në SPAK….

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu