Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë ditën e djeshme sinjalin më të qartë se askush nuk do të shpëtojë nga Urdhri Ekzekutiv 14157 i presidentit Donald Trump, që synon asgjësimin e karteleve ndërkombëtare të drogës dhe rrjeteve të organizuara kriminale që veprojnë në Europë, deri në Ballkan. Shënjestrën këtë radhë e ka patur miku i kryeministrit Edi Rama.
Vendimi
Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara ka vendosur sanksione ndaj disa anëtarëve të familjes shqiptare Hysa, që jetojnë dhe veprojnë në Meksikë, duke i akuzuar për pastrim parash në bashkëpunim me kartelin e fuqishëm të drogës Sinaloa. Sipas njoftimit, “Grupi i Krimit të Organizuar Hysa (HOCG)” ka përdorur një rrjet kazinosh, lokalesh bastesh dhe restorantesh luksoze në Meksikë për të pastruar paratë e përfituara nga trafiku i narkotikëve. Në total, në listën e zezë janë përfshirë 27 individë dhe entitete të lidhura me këtë aktivitet. Në listë përfshihen Luftar Hysa, Arben Hysa, Ramiz Hysa, Fatos Hysa dhe Fabjon Hysa, të cilët, sipas dokumenteve amerikane, kanë pasur rol qendror në operacionet e pastrimit të parave përmes kompanisë meksikane Entretenimiento Palmero S.A. de C.V., si dhe përmes disa bizneseve të tjera në Meksikë dhe Evropë.
Kush është Luftar Hysa dhe lidhja e tij me Ramën
Në 4 tetor të vitit 2020, Luftar Hysa vizitoi zyrën e kryeministrit Edi Rama nën shoqërinë e deputetit gjerman të CDU-CSU, Mark Hauptmann. Emri i këtij personazhi që sanksionohet nga SHBA, krijoi efektin e një bombe në Shqipëri kur gazetari Xhorxhio Motola, i Rai 3 e pyeti drejtpërdrejtë Edi Ramën për lidhjet me të. Në intervistën me Ramën, Motola citoi mediat kanadeze që kanë shkruar se Hysa dyshohet se pastronte paratë e kartelit meksikan të Sinaloas përmes kazinove dhe se ai ka hapur një të tillë në Vlorë. Rama u shtrëngua të japë versionin e tij për takimin. “Atje (në Vlorë) është një investim i një familjeje vlonjate. I ati është një person i njohur në Vlorë sepse ishte një nga aktivistët e gjelbërt kundër Petroliferës Italiane.
Ai është bërë i famshëm për këtë dhe familja e tij ka investuar në një nga hotelet më të bukura, pak nga pak Marina Bay. Pastaj ata që unë i njoh sepse jam deputet i Vlorës më thanë duam të të takojmë sepse është një kushëri, apo një i njohur, këtë nuk e di, që jeton në Meksikë dhe dëshiron të na ndihmojë, të na japë një dorë për të menaxhuar kazinonë. I thashë dakord. Hajdeni. Erdhën. I takova. Më thanë thjesht çfarë.. informacione mbi mundësinë e një gjëje të tillë dhe u thashë ne kemi një kuadër të thjeshtë për të stimuluar hotelet me 5 yje, që nuk kishte në Shqipëri bëmë një paketë pa taksa për 10 vite, TVSH 6%, zero tarifa për lejet e ndërtimit,” shpjegoi Rama. Pastaj me insistimin e gazetarit kryeministri shtoi: “Ai (Hysa) erdhi me ata për këtë. Kjo më kujtohet. Një herë e kam parë në jetën time. Më pas kam parë se e kanë hapur. Kaq. A është investitor, apo administrator apo.. nuk e di”.
Misteret
Vetë gazetari i emisionit “Report” në RAI 3, Xhorxhio Motola e rrëfeu më pas kështu këtë episod të bisedës së sforcuar me Ramën: “Kryeministri Rama e pranoi që e ka takuar këtë Luftar (Hysa) duke dhënë një version ndryshe nga ajo që tha Luftari në një emision tjetër. Ai tha se kishte shkuar për të folur me Ramën për një libër për mjedisin. Rama e përgënjeshtroi versionin e Luftarit (Hysa). Rama nga ana e vetë thotë se nuk e dinte që Luftari të ishte një përfaqësues i kartelit të Sinalos…”. Versionin e tij në takimin me Edi Ramën e kishte dhënë edhe vetë Luftar Hysa në një bisedë me Blendi Fevziun në studion e Opinion. “Kam dashur ta takoj Edi Ramën për një histori shumë të bukur që më pëlqen ta ndaj me ty këtu. Unë kam një mikun tim të madh qëështë nga Anglia. Faktikisht nga Skocia dhe jeton në Londër. Dhe ky miku im e ka emrin Max Miligan. Unë kam jetu me atë në Peru për tre vjet.
Dhe Mak, vëllai I tij ka qenë drejtor i SKY NEëS në Angli. Maksi është fotograf dhe bën libra. Bën fotografi dhe shkruan libra. Ka bërë libra për Perunë, Ganën, Bregun e Fildishtë, Islandën, Rumaninë dhe ky njeri njeri gjithmonë donte të bënte një libër për Shqipërinë dhe të promovonte turizmin. Në telefonin tim i kam të gjitha edhe mesazhet edhe bisedat me Maksin. Dhe unë duke kërkuar dhe duke parë që Rama është edhe artist dhe i pëlqen kjo lloj fushe, thashë që e vetmja gjë që mund të bëja është t’i propozoj këtë projekt që mund ta mbështeste. Ramën e gjeta përmes një mikun tim gjerman, që është mik i mirë i Shqipërisë dhe unë jam krenar që e kam mik. Dhe çfarë kam fol me atë që të ndihmojë Shqipërinë për hapjen e negociatave.
Ai kishte ardhur për punët e veta dhe tha “Hajde të të prezantoj kryeministrin” u shpreh asokohe Luftar Hysa. Lajmi se në kazinotë e Shqipërisë po investoheshin paratë e kartelit të Sinaloas u botua në median meksikane El Universal. Në qendër të shkrimit ishte Luftar Hysa dhe vëllezërit e tij gjë që tashmë po vërtetohet edhe nga departamenti i thesarit amerikan. Familja Hysa, me origjinë nga Shqipëria, në të kaluarën ka mohuar publikisht çdo lidhje me krimin e organizuar, vëren agjencia Reuter e cila vijon: “Shtetet e Bashkuara dhe Meksika po punojnë së bashku për të luftuar pastrimin e parave në sektorin e lojërave të fatit në Meksikë,” tha Zëvendëssekretari i Thesarit, John K. Hurley. “Mesazhi ynë për ata që mbështesin kartelet është i qartë: Do të mbaheni përgjegjës.”
Çfarë nënkuptojnë sanksionet ndaj tyre?
Çdo aset i familjes Hysa në SHBA, ose që varet nga sistemet financiare amerikane, është i bllokuar dhe nuk mund të përdoret pa aprovimin e OFAC-it, njoftoi Thesari amerikan. Personat apo entitetet amerikane nuk mund të bëjnë biznes me ta (transferim parash, mallrash, shërbimesh) pa licencë. Institucionet financiare, amerikane ose ndërkombëtare që përdorin sistemin amerikan, duhet të kenë kujdes të veçantë ose të mos bashkëpunojnë me këto entitete ose me entitete që janë më shumë se 50 për qind në pronësi të tyre.








