Shkruan Zef Ndreka
PD, duke lëvizur vetëm rreth Berishës.
Sot pa asnjë dyshim, PD-në mund ta quajmë “Berisha kundër SPAK-ut”.
Kjo situatë politike veçanërisht e opozitës tregon krizën reale më të madhe brenda PD-së dhe më gjerë në politikën shqiptare.
Kjo u pa edhe dje në mbrëmje në protestën e thirrur nga Berisha.
Çfarë po ndodh aktualisht?
Sa herë që Berisha thirret nga SPAK, pra nga Prokuroria e Posaçme, PD mobilizon mbështetës për protesta, duke e paraqitur këtë si luftë kundër “përndjekjes politike” dhe instrumentit të SPAK-ut nga Edi Rama,!
Por shihen sinjale të qarta që mbështetja po vjen kundër foltores publike të protestave. Pjesëmarrja nuk është masive dhe ka “zhgënjime” në rritje.
Kreu i PD-së Berisha, dje u braktis masivisht nga demokratët dhe qytetarët.
Në çfarë pozite është Berisha dhe PD-ja?
Berisha ka rol aktiv dhe dominues në PD, por strategjia e tij, me protesta të shpeshta, mund të jetë “rrugë pa dalje” në afat të gjatë, sepse protestat nuk po sjellin ndryshim institucional. Kështu presioni po e dobëson PD-në si organizatë politike duke luajtur vetëm rreth Berishës.
Kanë filluar tensione mes “mbështetësve të Berishës” dhe “demokratëve të vjetër” kështu shumë demokratë tradicionalë po ndihen të larguar nga ky stil politizimi.
Ky është rrezik për rolin opozitar të PD-së.
Sepse PD-ja po bëhet ekskluzivisht “Berisha + protestues” dhe po humbet kapacitetin për të qënë një parti opozitare stabile me strukturë të gjerë dhe agjendë politike serioze.
Kjo mund të lejojë socialistët të forcojnë më tej pozicionin e tyre, ndërkohë që opozita e PD-së është përçarë, si lëvizje proteste, por jo si ofertë politike bindëse për zgjedhjet.
A ka alternativa dhe mundësi për reforma të brendshme?
Një rrugë e qartë për PD-në është të bëjë reflektim. Çfarë do të thotë të jesh opozitë sot? A duhet të vazhdojë me protesta, apo të ndërtojë alternativa politike reale me program, me qeveri teknike, me reforma, që të fitojë besim më të madh?
Mund të lindin figura të reja brenda PD ose jashtë saj, që synojnë të bashkojnë demokratët e zhgënjyer dhe të rinjtë që nuk duan vetëm protestë, por ndryshim real.
Ku mund të shkohet me këtë politikë?
Protestues pa rezultat, tregojnë se protestat vazhdojnë, por pa ndikim të madh institucional, pasi SPAK vazhdon punën, nuk ka lëvizje të mëdha, dhe PD rrezikon të humbasë momentin si opozitë realiste, duke u shndërruar në lëvizje simbolike.
Rifokusim politik, ku PD kupton që protesta vetëm nuk mjafton dhe nis një proces reformimi. Krijon një platformë politike më të qartë, jo vetëm kundër Ramës, por me ide konkrete për qeverisje, bashkon forca me lëvizje të tjera opozitare, përgatit alternativë për zgjedhjet.
Përçarja mbetët frika se brenda PD mund të ketë rritje të mëtejshme. Disa demokratë mund të largohen nga Berisha, ti bashkohen forumeve të reja ose partive të reja, nëse strategjia e protestës nuk sjell investim real apo fitore simbolike. Kjo do ta dobësonte PD-në si subjekt të madh opozitar.
Mbështetje e jashtme, mbetët mundësi që PD ose Berisha të kërkojë një aleancë më të madhe me parti të tjera konservatore ose qendrore, për të rikthyer besimin e elektoratit dhe për të vendosur një alternativë më të fuqishme ndaj PS, gjë që nuk mund të ndodhë, sepse Berisha tashmë e ka kthyer PD-në në pronë të tij dhe të familjes.
Kështu, PD e sotme “Berisha kundër SPAK-ut”, rrezikon të bëhet e të mbetët parti proteste, jo parti qeverisëse ose reale opozitare.
Vetēm nqs demokratët arrijnë të kapin momentin dhe bëjnë transformim strategjik me figura të reja, politika publike dhe organizim, mund të rikthehen si forcë e besueshme.








