Prof. Elindë Dibra vizitë në Federatën Vatra

0

Shkruan Sokol Paja

Prof. asoc. dr. Elindë Dibra, lektore pranë Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” vizitoi Federatën Vatra. Ajo u prit nga editori i Diellit dhe anëtari anëtari i kryesisë z.Ilir Cubi. Prof. Dibra u njoh në detaje me historinë e Federatës Vatra, të gazetës Dielli dhe rolin e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dobi të çështjes kombëtare. Prof. Dibra shqyrtoi materiale dhe dokumente mbi arkivën e Vatrës e Diellit dhe ekzemplarë të veçantë që gjenden në Bibliotekën Shkencore të Vatrës. Prof. asoc. dr. Elindë Dibra ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të një vizite studimore dhe kërkimore disa ditore në arkivin e Vatrës me fokus fushën e identitetit, medias, diasporës, kujtesës historike dhe bashkëpunimit akademik.

Mikpritja në Vatër, përbën një moment me domethënie të veçantë, jo vetëm për dimensionin institucional të vizitës, por edhe për lidhjet njerëzore, kulturore dhe historike mes Vatrës si institucion, diasporës dhe atdheut. Prof.Dibra u shpreh se Vatra është një ndër thesaret më të rëndësishme dokumentare të historisë shqiptare në mërgim. Ky fond jashtëzakonisht i pasur përfshin libra, gazeta, dokumente, fotografi, dorëshkrime, deklarata, komunikata, veprimtari e komunikime dhe dëshmi të vyera historike, që pasqyrojnë historinë dhe rrugëtimin e shqiptarëve në Amerikë, përpjekjet e tyre të shumta për ruajtjen e identitetit kombëtar, për mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe për afirmimin e vlerave kulturore ndër breza.

Arkivi i Vatrës nuk është thjesht një fond historik, sipas Prof.Dibrës por një burim i vyer dijesh që mund t’i shërbejë kërkimit shkencor bashkëkohor, studimeve mbi diasporën, identitetin, multikulturalizmin, letërsinë dhe historinë e mendimit shqiptar jashtë kufijve të atdheut.

Puna kërkimore në fushën e identitetit dhe multikulturalizmit gjen në veprimtarinë e Vatrës një rast studimor ideal dhe një terren të pasur për analizë, reflektim dhe pasurim shkencor theksoi ndër të tjera Prof. Dibra.

Vizita përkon gjithashtu me përgatitjet për organizimin e Panairit të Parë të Librit Shqiptar të organizuar nga Vatra, një nismë kulturore me rëndësi të veçantë për promovimin e librit shqip, autorëve shqiptarë dhe trashëgimisë intelektuale në diasporë. Në kuadër të këtij aktiviteti, profesoresha do të jetë e ftuar në panelet e diskutimit, ku do të trajtojë çështje që lidhen me rolin e diasporës në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe me rëndësinë e ndërtimit të urave të komunikimit mes studiuesve në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Amerikë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu