Shkruan Qamil Gjyrezi
Me datë 25. Nëntor. 2025 u zhvillua në sallën e koncerteve të shkollës ‘Prenkë Jakova’, aktiviteti artistiko-letrar, koncerti vokal-instrumental, ‘Nëntori i lirisë’. Krahas rëndësisë së festave të Nëntorit, koncerti ishte edhe një aktivitet, program përkujtimor në formë ‘homazhi’, për të gjithë ata që kanë kontribuar me gjithça, duke filluar edhe me jetën për muzikën, për të mbërritur deri ku jemi sot. Kështu u shpreh me këtë rast drejtori i shkollës ‘Prenkë Jakova’, violinisti i mirënjohur Anton Kaftalli. Drejtor artistik i koncertit ishte Anton Kaftalli dhe dirigjent Admir Leka. Në program kishte autor shqiptar e të huaj, të luajtura nga Orkestra simfonike e shkollës ‘Prenkë Jakova’, instrumentistë solistë dhe recitues. Orkestra simfonike e shkollës ‘Prenkë Jakova’ është e përbërë nga nxënës dhe mësues të shkollës.
Në programin e këtij koncerti spikatën muzika, pjesët e kompozitorit dhe violinistit të shquar shqiptar Pjetër Gaci. Kompozitori Pjetër Gaci, deklaronte: ‘Kemi muzikën, që të mos vdesim’. Prandaj me shumë vend, drejtori Anton Kaftalli, deklaroi në fillim të koncertit, që koncerti i kushtohet ‘muzikantëve që kanë kontribuar me gjithça’, për muzikën, si Pjetër Gaci dhe kompozitori i madh Prenkë Jakova. Në këtë koncert mori pjesë edhe e shoqja e kompozitorit Pjetër Gaci, intelektualja Tamara Gaci. Tamara Gaci ka një ndikim pozitiv shumë të madh në krijimtarinë e kompozitorit Pjetër Gaci. Ajo foli me shumë pasion për muzikën e Pjetër Gacit, duke e i dhënë jetë muzikës së kompozitorit të madh, që me muzikën dhe artin e tij emocionoi të pranishmit në koncert. Në programin e këtij koncerti ishte edhe kënga: ‘Për ty Atdhe’, një himn shpirtëror, artistik e patriotik për të gjithë shqiptarët. Kënga u këndua me shumë emocion nga bas-baritoni, pedagogu i kantos Lukë Mllugja. Solistë në violine ishte nxënësja e talentuar Elena Babani, e cila luajti shumë bukur, ‘Balladën për violinë’ të kompozitorit Pjetër Gaci. Në Program ishte gjithashtu ‘rondo’ nga kompozitori francez Gabriel Faure dhe koncerti u mbyll me ‘Valle simfonike’, të kompozitorit Pjetër Gaci. Orkestra simfonike e shkollës ‘Prenkë Jakova’, u drejtua me shumë pasion e profesionalizëm nga pedagogu Admir Leka, i cili punon me përkushtim me muzikantët e rinj. Kori i fëmijëve të shkollës ‘Prenkë Jakova’, drejtuar nga Lukë Mllugja, këndoi muzikë të kompozitorit tjetër të madh, Prenkë Jakova, ‘Fluturo o pëllumb i bardhë’. Mësuesja e letësisë e kësaj shkolle, Brunilda Gajtani recitoi me shumë emocion pjesë nga poeti kombëtar Atë Gjergj Fishta, poezinë ‘Atdheu’ dhe ‘Dëshmorëve të atdheut’. Okteti i frymës i pedagogëve të shkollës luajti me shumë profesionalizëm, ‘Dy këngë popullore’ shkodrane. Këta aktivitete ndikojnë, frymëzojnë shumë brezin e ri të muzikantëve për të kompozuar dhe luajtur sa më shumë muzikë shqiptare. Këta aktivitete, në pamje modeste, janë ‘gurë prove’ për të ardhmen e artistëve në këtë shkollë mitike arti, që ka një rrol të madh për zhvillimin e artit, muzikës jo vetëm në Shkodër, por edhe në nivel mbare kombëtar.








