Pse Yuri Kim po krijon shtetin- dele?

0

Saliu vërtetë sot ka disa ‘non-grata’, por ka edhe “dele” pas. “Delet” e Saliut, duhet thënë  e vërteta, po shtohen…

Shkruan Sokol Pepushaj

Ta nisim shkrimin nga fundi. Audienca të na falë sot, pasi në respekt të Amerikës, në titull, vumë delet.

Me delet, nuk kemi konflikt, pasi me to, gjeneza jonë ka pikëpjekje historike, por qysh kur Sali Berisha mori ‘non grata’ nga 51 shtetet e Amerikës, krijuam njeriun-dele.

Kjo ka çelur debat.

Pse ambasadorja nuk merrej me ujqër e çakenj po me kafshën më të padëmshme për momentin? Kush u ndie në fyerje, “delet” pra,  u mblodhën në një vathë të thurur me fjalë dhe e quajtën “Foltore”. E ngritën nga shtrati me nëntë plagë në shtat, të luftojë me Bajlozin Yuri Kim, ‘Gjergj Elez Alinë’ e tyre. Pasi fitoi betejën në Hanin e Hasan P*rdhës në Shkodër, doli nga “Deti” Bajlozi britanik,

Sulltani i Sarajit të Surrelit, siç kishte folur ne emër të bajlozit amerikan se vizat për shqiptarët nuk i jep ambasada, por partia socialiste, dha haberin se Mbretëria e Bashkuar, pra,  Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut, kanë rrethuar Sali Berishën.

Sulltani i Surrelit, është i kënaqur, pasi Sali Berisha në ndeshjen për Sarajet e Hyqymetit, Kështjellën e Krimit ose Kryeministrinë, quajeni si të doni, do ketë përballë edhe Bajlozin Britanik.

A nuk e dimë që anglo-amerikanët bëjnë e dinë gjithçka?

Po fjala nuk dëmton, ndryshe nuk do ishte e para. Ajo përdoret lehtë për të mbushur edhe boshllëqe të vogla. Nuk është gënjeshtër, as mëkat, as e vërtetë të thuash se këta anglo-amerikanët nuk e dinë se “Çunat e Londrës”  “urdhëruan” kryeministrin të ndërtojë aeroport në Kukës, se 4 Klanet Mafioze çdo shqiptar i njeh me emër, por është në esencën e gjësë, pasi ata e dinë mirë se Jezu Krishti nuk lindi në saraje si ato të Edi Ramës, Arben Krajës, Monika Kryemadhit, Shkëlzen Berishës, apo në vilat e Gjirit të Lalzit a Kodrës së Diellit, por në stallë, mes kafshëve…

Bënte ftohtë, prindërit, Maria e Jozefi ende të pamartuar, shkuan në Betlehem për lindjen, vetëm të regjistroheshin në një listë taksash më të lehta, se Perandoria Romake ishte e uritur.

Edhe kafshët, mes të cilave lindi Jezusi, ishin të unta, prandaj supozohet se lindja përkon me solstikun e dimrit dhe saturnalinë, festivalin në dedikim të saturnit romak hyjnor

Si ka qenë, është e do të jetë.

2000 vjet më parë, lopa hante barë, mushka, derri, gomari e dhia nuk dinë të ngopen, si Ilir Meta, Sali Berisha, Fatmir Mediu, Edi Rama e  Monika Kryemadhi sot.

Vetëm delja e kapte barin me buzë, mbulonte trupin e njomë të fëmijës së sapolindur e ecte, ndoshta  në padije për të t’u thënë njerëzve të ditur se ja si ndodhin  mrekullitë mes qiellit e tokës, pa shpjegueshmeritë  që as mbahen as s’hiqen  nga arsyeja, pa vertetueshmëritë që askush s’ka shanse t’i hedhë poshtë.

Këtu e nguli gjykimin Yuri Kim, kur nisi të krijoi shtetin e deleve.

Saliu vërtetë sot ka disa ‘non-grata’, por ka edhe “dele” pas. “Delet” e Saliut, duhet thënë  e vërteta, po shtohen. Ne ende nuk guxojmë të mendojmë se Yuri Kim i ka mallkuar delet e ka bekuar lopët, mushqit, derrat, gomerët e dhitë, se në lindjen e Jezusit ndodhi e kundërta. Të tëra ato kafshë kanë 2000 vjet që ende nuk ngopen, përveç deles.

Kur delet kanë ruajtur grazhdin e Jezu Krishtit, si ndodhi pas 2000 vitesh të bëjnë tepsi ekonominë e Shqiptarëve?

Ju mund të thoni se nga livadhet e opozitës nuk ka asnjë lule, se edhe barë ka shumë pak, kurse nga Rilindja shihni bollëk, edhe “dele” që kullotin andej, kur s’ka “roje”, se këta pushtetarët e 32 viteve janë më të untë se mushku në grazhdin e Jezusit.

Nejse, në këtë stinë varfërie, kur nuk ngopet dot njeriu, ku edhe Edi Rama rrogën e ka më të vogël se 80 dollarë ditë, ç’të thuash?

Prandaj, se i kemi gjërat mbrapsht, se duhet t’i kthejmë edhe xhepat mbrapsht, shkrimin e nisëm mbrapsht, nga fundi dhe po mbyllim mbrapsht, me fillimin; Pse Yuri Kim po krijon shtetin-dele?/Pamfleti

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu