Shkruan Zef Ndreka
– Tani që Strasburgu ka dhënë përgjigjen e vet për ligjshmërinë e paraburgimit fillestar, Berishës i mbetet ti shpjegojë shqiptarëve, pse e ktheu Belerin në simbol të betejës së tij politike dhe më tej, çfarë fitoi Shqipëria nga kjo aventurë politike?
Çështja e Fredi Belerit është momenti tjetër që e vë në vështirësi serioze qëndrimin politik të Sali Berishës dhe të PD-së.
Përtej sjelljeve nacionaliste dhe përpjekjeve për ta paraqitur arrestimin e tij si një padrejtësi ndaj minoritetit grek, ky rast duhet parë në dritën e vendimeve gjyqësore dhe fakteve konkrete, ku u konfirmua ligjshmëria e arrestimit.
Ndaj, në atë kohë, opozita u nxitua, sepse si gjithnjë, Berisha kërkonte që politika të zëvendësonte gjykatën edhe në rastin kur vendimi i saj nuk i shërbeu interesave elektorale të partisë së tij.
Shtrohet pyetja:
Çfarë i mbetet tashmë Berishës?
Berisha dhe PD-ja e mbështetën politikisht Belerin pa rezerva. Madje, çështjen e tij e kthyen në një konflikt diplomatik me Greqinë, duke e paraqitur si viktimë të një persekutimi politik dhe si simbol të diskriminimit të minoritetit grek.
Po sot, ku mbështetet më tej kjo sjellje, ky qëndrim?
Gjykata e Strasburgut nuk konstatoi shkelje për vendosjen fillestare të Belerit në paraburgim. Përkundrazi, e konsideroi atë të mbështetur në arsye të mjaftueshme, duke marrë parasysh natyrën e akuzës dhe rrethanat e hetimit. Nga ana tjetër, gnykata konstatoi se paraburgimi i mëtejshëm, të paktën pas 19 korrikut 2023, nuk kishte më arsye të mjaftueshme. Pra, vendimi është i përzier dhe duhet lexuar i plotë.
Por ka edhe një dimension tjetër që nuk mund të harrohet, hija e Peshkëpisë, që është ngjarja tragjike, më 10 prill 1994, ku u vranë dy ushtarakë shqiptarë dhe u plagosën të tjerë nga një grup i armatosur i lidhur me organizatën MAVI.
Emri i Belerit është përmendur në hetimet dhe investigimet e kësaj ngjarjeje, por ai ka mohuar çdo përfshirje dhe nuk ka një vendim gjyqësor që e shpall fajtor për vrasjet.
Megjithatë, politikisht është e vështirë të kuptohet se si Berisha mund ta paraqiste atë si një figurë të pakontestueshme, pa dhënë llogari për zgjedhjen e tij politike dhe për aleancën që ndërtoi.
Tani që Strasburgu ka dhënë përgjigjen e vet për ligjshmërinë e paraburgimit fillestar, Berishës i mbetet ti shpjegojë shqiptarëve, pse e ktheu Belerin në simbol të betejës së tij politike dhe më tej, çfarë fitoi Shqipëria nga kjo aventurë politike?
Himara meriton përfaqësues që punojnë për qytetarët e saj. Himarës nuk i duhen njerëz që shndërrohen në instrumente të nacionalizmit apo të përplasjeve mes dy vendeve fqinje. Po ashtu edhe minoriteti grek meriton përfaqësim dinjitoz, pa patur nevojë për përdorim politik.
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, faktikisht nuk gjykoi Berishën, por vendimi i tij e detyron Berishën të përballet me faturën e zgjedhjeve të veta politike.







