Pas një dënimi relativisht të shkurtër për 500 mijë eurot e padeklaruara, Alda Klosi sot mund të konsiderohet e rehabilituar, por edhe e përkëdhelur e ‘fatit’. Ish-shefja e kabinetit të Arben Ahmetajt raportohet se ka nisur punë në një kompani të madhe në vend, në një pozicion të rëndësishëm që kërkon besim dhe akses. Pasi bëri vetëm 1 vit e 8 muaj burg, Klosi ka vijuar të gëzojë një pjesë të pasurisë së saj dhe të mbajë kontakte intensive me biznese të ndryshme, duke u prezantuar shpesh si emër me peshë në treg, në “emër të ish-shefit të saj”.
Ky zhvillim e rikthen vëmendjen te figura e Arben Ahmetaj, një nga politikanët më të diskutuar të 15 viteve të fundit — ish-ministër i Financave, i Ekonomisë dhe ish-zëvendëskryeministër. Sot, Ahmetaj ndodhet në qendër të një sfide të rëndë juridike dhe politike, që ka ndezur debat të fortë publik mbi funksionimin real të drejtësisë së re në Shqipëri.
Qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të Vetting-ut e SPAK, ka dorëzuar zyrtarisht një kërkesë për ekstradimin e Ahmetajt nga Zvicra, ku ai dyshohet se është strehuar që prej korrikut të vitit 2023. Megjithatë, pavarësisht akuzave për shpërdorim detyre me një dëm ekonomik të supozuar prej rreth 7 miliardë lekësh, si dhe për përfshirje në fshehje e pastrim parash në kuadër të privatizimit të kompanisë “Buka sh.a”, në praktikë nuk duket të ketë asnjë përpjekje serioze për ta sjellë atë përballë drejtësisë.
Ironikisht, Ahmetaj shfaqet i qetë dhe aktiv në daljet mediatike, veçanërisht në televizionin e familjes Berisha, ku jo vetëm tenton të komprometojë ish-bashkëpunëtorët e tij politikë, por i bën edhe karshillëk drejtësisë që çuditërisht “nuk arrin ta gjejë” se ku ndodhet. Madje, sipas njoftimeve të fundit, ai pritet të shfaqet sërish në mbrëmje për t’i bërë shërbimin e radhës Sali Berishës në Syri TV. Pikërisht atij Berishe që e ka akuzuar për vite me radhë si personin më të korruptuar që nga qeveritë e Fatos Nanos e deri tek Rama.
Rikthimi në vëmendje i rastit të Alda Klosit, ish-shefes së kabinetit të Ahmetajt, e kapur me rreth 500 mijë euro cash në banesë, sot ngre pyetje thelbësore: nëse sekretarja e një zyrtari disponon qindra mijëra euro pa burim të qartë, sa mund të jetë realisht vlera e aseteve të ish-shefit të saj?
Ky kontrast i fortë ushqen dyshimet mbi integritetin e Arben Ahmetajt dhe rolin e tij të dikurshëm si qeveritar i lartë. Rasti i tij simbolizon një absurd të madh mes pretendimit për vendosjen e drejtësisë dhe praktikës reale: shkurt, të akuzuarin “nuk e gjen dot” SPAK-u, por e gjen Çim Peka. Dhe paradoksi thellohet edhe më shumë kur mendon gjithë zellin e treguar nga SPAK për arrestime me letra anonime e mesazhe telefonike, ndërsa përton të ndjekë njeriun që, minimalisht, ka një sekretare me të paktën 500 mijë euro në shtëpi.








