Shpatat e Skënderbeut janë reale – përkrenarja ceremoniale

0

Shkruan Naim Flamuri

Debati mbi autenticitetin dhe përdorimin e armëve të Gjergj Kastriotit kërkon ndarje të qartë mes funksionit luftarak dhe atij ceremonial.

Burimet historike, dëshmitë bashkëkohore dhe vetë karakteristikat fizike të armëve dëshmojnë se shpatat e Skënderbeut kanë qenë armë reale lufte, ndërsa përkrenarja ka pasur kryesisht funksion ceremonial dhe përfaqësues. Sipas Dhimitër Frëngut, zyrtar i afërt dhe mik në armë i Skënderbeut, shpata e parë e heroit ishte e lakuar, “una schimitarra storta”, me majë të mprehtë, elegante dhe e punuar nga çeliku i Damaskut. Frëngu përmend gjithashtu se, për një periudhë, Skënderbeu mbante dy shpata në të njëjtin mill(këllef) çka përforcon idenë e përdorimit të tyre praktik në fushëbetejë. Ai shton se Skënderbeu solli nga Italia një mjeshtër shpata-bërës, i cili farkëtoi tri shpata të jashtëzakonshme; njërën prej tyre, “që mund të priste edhe çelikun”, ia dërgoi si dhuratë sulltanit osman, ngase vjenë shprehja e famshme: ‘ unë të dërgova shpaten, po jo edhe krahun’. Po ashtu dihet se gjatë vizitës së fundit të Skënderbeut në Vatikan, Papa Pali II i dhuroi atij një shpatë dhe një kapelë ceremoniale (“una spada ed un capello”). Kjo shpatë e drejtë, e cila sot ndodhet në Muzeun e Ambrasit së bashku me përkrenaren, ka dy tehe, është e larë në ar dhe përfaqëson një përzierje simbolike të autoritetit fetar dhe politik. Ajo është 85.5 cm e gjatë, 5.7 cm e gjerë, peshon rreth 1.3 kg dhe kishte mill prej lëkure.

Megjithatë, sipas Faik Konicës, i cili e pa shpatën në fillim të shekullit XX, mbi teh ishin ende të dukshme njolla gjaku, fakt që rrëzon pretendimin se ajo ka qenë thjesht ceremoniale dhe e papërdorur në luftë. Nga ana tjetër, shpata e lakuar e ruajtur në Vjenë, bashkë me dorezën, është 121 cm e gjatë dhe peshon rreth 3.2 kg. Ajo është dukshëm më e madhe se palla e zakonshme fisnike dhe mban ndikime të qarta të stilit osman të kohës. Siç thekson edhe Dhimitër Frëngu, ajo është e punuar nga çeliku i Damaskut dhe e stolisur me zbukurime të shumta, por pa humbur karakterin e saj funksional luftarak. Forma, pesha dhe materiali flasin qartë për përdorim real në betejë.
Helmeta dhe dy shpatat që tradicionalisht i atribuohen Skënderbeut janë të ekspozuara në Imperial Armoury në Kunsthistorisches Museum (Mu webellimi i Artit Historik) në Vjenë, Austri. Këto përfshijnë një shpata të drejtë, një shpata të lakuar dhe përkrenaren me mbishkrimin IN·PE·RA·TO·RE·BT. Ato kanë qenë më parë pjesë e koleksionit të Ambras Castle pranë Insbrukut, ku u bashkuan në shekullin e 16-të dhe u transferuan më pas në Vjenë në fund të shekullit të 18-të. Në 2012 armët u ekspozuan përkohësisht në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë, por më pas u kthyen në Austri.

Në një konferencë albanologjike, zonja Lucia Nadin ka përmendur ruajtjen e një armature të atribuar Skënderbeut në arsenalin e Venedikut, që për shekuj është parë si pjesë e muzeut të figurave të mëdha historike. Kjo tregon interesin për gjurmimin e objektit në burime historike veneciane.

Në konferenca dhe intervista të citueshme, Lucia Nadin ka folur për armët apo pjesë të armorëve që supozohet të jenë ruajtur në arsenalet e Venedikut, përfshirë armaturë që u ekspozua në muze të mëdhenj historikë venecianë, duke nënvizuar rëndësinë e Skënderbeut si figurë historike të njohur edhe nga arsye kulturore evropiane.
Ndryshe qëndron çështja e përkrenares. Mbishkrimi në rripin e përkrenares (apo helmës) në Muzeun e Vjenës është IN PE RA TO RE BT, i ndarë nga rozeta. Ky është një monogram që përfaqëson një përkthim latinisht me variante kuptimesh: Jezusi i Nazaretit të bekojë ty, Princi i Matit, Mbreti i Shqipërisë, Tmerri i Osmanëve, Mbreti i Epirit, pra një seri tituj dhe epitetesh që lavdërojnë Skënderbeun. Përkthimi më i zakonshëm që i jepet kësaj shkronjash është: Iesus Nazarenus • Principi Emathie • Regi Albaniae • Terrori Osmanorum • Regi Epirotarum • Benedictat Te, pra Jezusi i Nazaretit, Princi i Matit, Mbreti i Shqipërisë, Tmerri i Osmanëve, Mbreti i Epirit, të bekojë ty. Përkrenarja e famshme me brirë dhie është mbi të gjitha një objekt ceremonial dhe simbolik. Ajo shërbente për identitet, autoritet dhe përfaqësim politik, si shenjë e prijësit dhe “Mbretit të Shqiptarëve”, më shumë sesa si pajisje praktike mbrojtëse në fushëbetejë. Funksioni i saj ishte të tregonte kush ishte Skënderbeu, jo domosdoshmërisht të thithte goditje. Në përfundim, burimet historike, dëshmitë bashkëkohore dhe analiza materiale tregojnë qartë se shpatat e Skënderbeut janë autentike dhe luftarake, të përdorura realisht në betejë, ndërsa përkrenarja mbetet një objekt ceremonial me vlerë të jashtëzakonshme simbolike. Të quash shpatat “fake” ose thjesht dekorative do të thotë të injorosh burimet, faktet dhe vetë logjikën e luftës mesjetare.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu