Prokurori i SPAK, Dritan Prençi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor artificialisht një “konflikt të rremë kompetencash” për të penguar hetimin penal ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.
Në argumentet e paraqitura para Gjykatës Kushtetuese, Prençi theksoi se në rastin e pezullimit nga detyra nuk ekziston asnjë konflikt mes pushteteve, pasi ndjekja penale dhe vendosja e masave të sigurimit janë kompetenca ekskluzive të SPAK dhe GJKKO-së. Sipas tij, masa e pezullimit prek individin dhe jo funksionimin e Këshillit të Ministrave.
Prokurori sqaroi se për të pasur konflikt kompetencash duhet të plotësohen tre kritere ligjore, të cilat në këtë rast nuk ekzistojnë. Ai theksoi se kërkesa e kryeministrit nuk ka bazë kushtetuese dhe synon të ndërhyjë në pavarësinë e drejtësisë.
Prençi paralajmëroi se përdorimi i kësaj strategjie përbën përpjekje për të bllokuar hetimin penal, duke rrezikuar seriozisht ndarjen e pushteteve dhe sundimin e ligjit.
SPAK mbetet i qëndrueshëm në qëndrimin se Balluku, duke qenë në detyrë, paraqet rrezik për përsëritjen e veprës penale dhe cenimin e provave, arsye për të cilat është kërkuar dhe vendosur masa e pezullimit nga detyra.








