Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ngritur akuza të forta ndaj funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar situatën aktuale si një “tragjikomedi” ku gjykata ekziston formalisht, por vendimet mungojnë qëllimisht. I ftuar në një studio televizive, Korreshi tha se Shqipëria ka kaluar tre vite pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe se kjo logjikë, sipas tij, po vijon edhe sot.
Sipas deputetit opozitar, Gjykata Kushtetuese mblidhet, regjistron ditët e punës, por shmang marrjen e vendimeve për çështje të ndjeshme, si ajo e Ballukut. Korreshi theksoi se kjo zvarritje nuk është rastësore, por ka një prapavijë të qartë politike.
Ai deklaroi se frika më e madhe e kryeministrit Edi Rama lidhet me një vendim të mundshëm pozitiv të Gjykatës Kushtetuese, i cili mund t’i hapë rrugë SPAK-ut për të kërkuar pezullimin e tij nga detyra. “Kjo është arsyeja pse nuk jepet vendimi. Është një investim i Ramës për të mos u pezulluar,” u shpreh Korreshi.
Deputeti i PD-së kritikoi gjithashtu procesin e rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, duke pretenduar se ata janë përzgjedhur përmes lidhjeve nepotike dhe favoritizmit me qeverinë, çka sipas tij ka ulur ndjeshëm cilësinë e sistemit të drejtësisë.
Korreshi solli në vëmendje edhe çështje të tjera që, sipas tij, vuajnë nga mungesa e kontrollit dhe transparencës, si buxheti i inceneratorëve dhe cilësia e rrugëve publike. Ai përmendi shembuj konkretë, si problemet në tunelin e Murrizit dhe dëmtimet e infrastrukturës rrugore, ndërsa fondet publike, sipas tij, vazhdojnë të shpenzohen pa llogaridhënie.
Në përfundim, Korreshi shprehu shqetësimin se mosfunksionimi real i institucioneve të drejtësisë po rrit pasigurinë dhe mosbesimin e qytetarëve, duke paralajmëruar se pas përfundimit të mandateve trevjeçare të prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm, vendi mund të përballet me pasoja edhe më të rënda për shtetin e së drejtës.








