Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja lidhur me hetimet për dosjen e AKSHI-t, të cilën e cilësoi si një nga skandalet më të mëdha të kohëve të fundit.
Gjatë një interviste televizive, Lala theksoi se zhvillimi më i rëndësishëm në këtë çështje është dëshmia e Daniel Shimës, ish-zëvendësdrejtor i AKSHI-t.
Sipas saj, Shima ka dhënë një dëshmi të detajuar përpara autoriteteve dhe ka treguar fakte të rënda lidhur me rrëmbimin e tij.
“Zhvillimi më i rëndësishëm ka qenë dëshmia e Daniel Shimës, ish-zv.drejtorit të AKSHI-t. Ai ka dhënë dëshmi të detajuar dhe ka pranuar se është rrëmbyer”, u shpreh Lala.
Gazetarja shtoi se sipas hetimeve, një grup kriminal i dyshuar i drejtuar nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri akuzohet se rrëmbente persona që i konsideronte rivalë ose pengesë për aktivitetet e tyre.
Sipas saj, Shima ka dhënë detaje për mënyrën se si është mbajtur peng, çfarë presionesh janë ushtruar ndaj tij dhe rrethanat në të cilat çështja përfundoi në komisariat.
Lala bëri të ditur gjithashtu se për këtë dosje ka treguar interes edhe ambasada gjermane në Shqipëri.
Sipas saj, përfaqësues të ambasadës kanë vizituar disa herë Prokurorinë e Posaçme dhe janë interesuar për ecurinë e hetimeve, pasi dyshohet se çështja mund të lidhet me interesat e një shtetasi gjerman.
Gazetarja shtoi se hetimet po përfshijnë edhe verifikimin e transaksioneve të kompanive të përfshira, ndërsa prokuroria po shqyrton mundësinë e sekuestrimit të pasurive të personave të dyshuar.
Sipas Lalës, nuk përjashtohet që në një fazë të afërt të vendoset edhe ngrirja e aseteve deri në përfundimin e hetimeve.








