Drejtuesja politike e PS në qarkun e Fierit, Belinda Balluku ka mbledhur pasditen e kësaj të enjte strukturat lokale, për t’u mobilizuar për zgjedhjet brenda kampit socialist, të cilat do të vazhdojnë deri ne Qershor.
“Në qarkun e Fierit, së bashku me deputetët dhe kryetarët e degëve të Partisë Socialiste, ndezëm motorët për një tjetër proces të rëndësishëm. Po forcojmë organizimin dhe po zgjerojmë familjen tonë të madhe socialiste, duke mirëpritur këdo që dëshiron të bëhet pjesë e këtij rrugëtimi.
Të gatshëm për betejën e radhës elektorale, duke pasur në vëmendje çdo qytetar dhe duke përcjellë zërin e çdo komuniteti. Njerëzit janë forca jonë e vërtetë dhe mbështetja e tyre është motivimi më i fortë për të bërë gjithmonë e më shumë në shërbim të tyre”, shkruan ajo.
Belinda Balluku mori besimin e kryeministrit Edi Rama për të drejtuar qarkun e Fierit, pak ditë më parë në Asamblenë Kombëtare të PS, për shkak të rezultatit historik që arriti në zgjedhjet e 11 Majit 2025, duke shënuar rekord me 12 mandate.








