Kreu Politikë Sali Berisha prëmton Vendosja e minimumit jetik, akti i parë i ardhjes...

Sali Berisha prëmton Vendosja e minimumit jetik, akti i parë i ardhjes në pushtet të PD-së

0

Shefi i opozitës Sali Berisha, në bashkëbisedim me qytetarët në rrjetin social Facebook, u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme dhe ndër to, Berisha vuri theksin tek vendosja e minimumit jetik si ndër vendimet e para të qeverisë së tij nëse rikthehet në pushtet, duke e konsideruar këtë një masë urgjente për të luftuar varfërinë në vend, shkruan A2CNN.

“Me aktin e parë të ardhjes në pushtet të PD, ndër veprimet e javës së parë do të jetë vendosja e minimumit jetik,” u shpreh Berisha. Ai theksoi se Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që nuk ka një standard të tillë, duke shtuar: “Kjo ka bërë që sot 49 përqind e shqiptarëve të jenë në varfëri ose të kërcënuar nga varfëria, ndërsa 18 përqind në varfëri ekstreme.”

Berisha deklaron se “me një vendim të qeverisë, ne zhdukim varfërinë ekstreme në Shqipëri dhe nxjerrim nga rreziku një pjesë të madhe të qytetarëve”.

Berisha vuri theksin edhe te rritja e pagave dhe pensioneve. “Një vrap për rritjen e rrogave dhe pensioneve do të jetë prioritet,” tha ai, duke shtuar se “pensionet minimale do të njohin dyfishimin e tyre”, ndërsa pensionet e tjera do të rriten me synimin që shqiptarët të jenë ndër më të paguarit në rajon.

Ai kritikoi nivelin aktual të pensioneve, duke deklaruar: “Sot, pensionet në Shqipëri janë një tallje për qytetarët shqiptarë, janë një cinizëm ndaj atyre që shkrinë jetën e tyre për këtë vend.”

Në lidhje me shëndetësinë, Berisha ngriti shqetësimin për mungesën e ilaçeve, duke u shprehur se “janë me mijëra të sëmurë me sëmundje të rënda të cilët luftojnë pa ilaçe”. Ai shtoi se situata ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit dhe monopoleve në treg.

Duke folur për arsimin, ai deklaroi se sektori do të ketë përparësi të lartë. “Arsimin do ta fillojmë duke vendosur mësuesin në piedestal,” tha Berisha, duke premtuar rritje të ndjeshme të pagave dhe rritje të respektit për profesionin e mësuesit.

Në fund, Berisha premtoi edhe investime në infrastrukturë, duke theksuar se do të ketë fonde për shkolla, spitale, rrugë dhe ujësjellësa, pasi sipas tij aktualisht “vidhen nga 90 deri në 100 përqind të parave publike” në disa projekte.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu