Shkruan Zef Ndreka
“Një gjë kam deklaruar: unë kryeministër nuk bëhem pse fitoj zgjedhjet. Jo. Bëhem kryeministër me referendum. Po fitova zgjedhjet, do votojnë edhe njëherë shqiptarët për kryeministrin”, deklaroi mbrëmë Sali Berisha.
Pra shqiptarët, sipas kësaj formule, duhet të votojnë njëherë që Berisha të fitojë zgjedhjet dhe pastaj të votojnë përsëri që Berisha të bëhet kryeministër!
Përse duhet ky votim i dytë?
Shqipëria është republikë parlamentare. Kryeministri nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Kushtetuta përcakton procedurën e formimit të qeverisë dhe të emërimit të Kryeministrit mbi bazën e shumicës parlamentare.
Ndaj ideja e “kryeministrit me referendum” nuk është hollësi teknike. Nëse referendumi do të ishte vetëm konsultativ, atëherë ai nuk do ta zgjidhte Kryeministrin juridikisht. Nëse do të ishte detyrues dhe do ta zgjidhte realisht Kryeministrin, atëherë do të diskutohej fillimisht çështja e ndryshimit të vetë kushtetutës.
Por problemi politik paraqitët edhe më interesant.
Pas humbjeve elektorale, krizës së opozitës, protestave dhe debatit mbi të ardhmen e PD-së, Berisha nuk po thotë më se PD-ja do të hapet dhe do të zgjedhë një kandidat tjetër për Kryeministër.
Ai në thelb po vazhdon të thotë se PD-në e drejtoj unë, zgjedhjet i fitoj unë dhe pastaj populli vendos edhe njëherë nëse Kryeministër duhet të jem përsëri unë.
Pra edhe kur premton se nuk do të bëhet Kryeministër, alternativa vazhdon të rrotullohet rreth tij.
Kjo duket më shumë si përpjekje për të zgjidhur një problem politik me një formulë referendare, pra, si të mbetet Berisha në krye të PD-së, pa e trembur elektoratin që kërkon ndryshim. Kjo është përpjekja e fundit e tij si të kërkojë votën për opozitën, duke e shtyrë për më vonë pyetjen per elektoratin:
a e duan shqiptarët ende Sali Berishën Kryeministër?
Por ne fakt, ekziston një rrugë shumë më e thjeshtë dhe shumë më demokratike, që
PD-ja të zhvillojë një garë të vërtetë, të hapur dhe konkurruese për lidershipin dhe kandidatin për Kryeministër.
Nuk është e nevojshme të shpiket një referendum kombëtar për të zgjidhur atë që duhet ta zgjidhë fillimisht vetë Partia Demokratike.
Problemi i opozitës sot nuk është mungesa e një referendumi, por mungesa e alternativës.
Nga pikëpamja juridike, pika më e cenueshme e deklaratës së mbrëmshme e Berishës, është pretendimi se kjo mund të realizohet pa ndryshim kushtetues. Por neni 96 e lidh emërimin e Kryeministrit me partinë ose koalicionin që ka shumicën e vendeve në Kuvend dhe një zgjedhje popullore e drejtpërdrejtë e Kryeministrit nuk është pjesë e kësaj procedure.
Promoted Content







