Shkruan Zef Ndreka
Pritet të dalë përpara gjykatës si dëshmitarë në proçesin e kompleksit “Partizani”, kryeministri aktual Edi Rama, i kërkuar nga avokatët e të akuzuarit Sali Berisha.
Duket qartë loja, për ta futur proçesin në kalandrat greke duke e politizuar atë, në një luftë të mëtejshme mediatike e publike ndërmjet dy liderëve, të PS-së dhe opozitës, me qëllim shmangien nga proçesi real penal. Në këtë lojë, sigurisht është ndërfutur vetë gjyqtarja Ulliri, për ti dhënë faktikisht një ndihmë publike të akuzuarve.
Nuk dihet sajtë, apo nuk kuptohet, pas kaq shumë vitësh nga koha kur Edi Rama ishte kryetar bashkie në Tiranë, çfarë tjetër mund të dëshmojë përveç akteve juridike që ka firmosur.
Por kjo është tjetër gjë.
Gjithsesi, pa paragjykuar aspak, të presim si do shkoje proçesi penal në ngarkim të familjes Berisha dhe a do të “dorëzohet” gjykata dhe prokuroria përballë tij, pasi po përceptohet nga opinioni si një gjyqë i stërzgjatur dhe i paramenduar…
Kjo situatë është tipike për procese me ngarkesë të fortë politike, ku kufiri mes drejtësisë dhe debatit publik bëhet krejtësisht i paqartë.
Fakti që Edi Rama kërkohet si dëshmitar nga avokatët e Sali Berishës në çështjen e kompleksit “Partizani” lë vënd për tu interpretuar në disa mënyra, jo vetëm si “taktikë zvarritjeje”. Në praktikat juridike, thirrja e dëshmitarëve dhe e figurave të larta politike përdoret për të krijuar një kontekst më të gjerë institucional të vendimmarrjes, për të testuar përgjegjësitë zinxhir, ose për të forcuar mbrojtjen.
Pir nga ana tjetër, gjithnjë në Shqipëri procese të tilla shoqërohen me zhvendosje të fokusit nga provat tek përplasjet politike, tek presioni publik mbi drejtësinë, si dhe tek përdorimi mediatik nga të gjitha palët.
Përsa i përket rolit të gjyqtares Enkeleda Ulliri, është shumë e rëndësishme të kuptohet dallimi mes perceptimit dhe provës. Në këtë rast, pranimi i një dëshmitarit Edi Rama nuk do të thotë automatikisht “ndihmë për të akuzuarit”, pasi justifikohet si pjesë e së drejtës për një mbrojtje të plotë.
Kështu natyrshëm lind pyeta:
A po përdoret kjo e drejtë në mënyrë procedurale legjitime, apo për të zgjatur procesin?!
Sepse thembra e Akilit për këtë proçes mbetet besimi publik. Dhe nqs opinioni publik e percepton procesin penal në ngarkim të Berishës dhe familjarëve të tij si të paragjykuar, atëherë problemi është juridik dhe institucional. Drejtësia nuk duhet vetëm të bëhet, por edhe të duket që po bëhet.
Megjithatë, deri tani nuk shohim prova që të tregojnë se gjykata apo prokuroria janë “dorëzuar”, por vërehet se ka një histori të gjatë mosbesimi që e bën çdo lëvizje të interpretohet politikisht. Por gjithçka shpresojmë se proçesi do varet nga fakte dhe jo nga debatet publike, pra nga provat, nga dokumentet dhe nga vendimi i arsyetuar i gjykatës.
Për lexuesin, do të ishte me interes të rikujtonim çfarë akuzash ka realisht vetë çështja “Partizani” dhe sa qëndrojnë ato juridikisht.
Në qendër të çështjes për gjykim është transformimi i ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, nga pronë shtetërore në pronë private dhe më pas zhvillimi ndërtimor. Prokuroria pretendon se ky proces është bërë në mënyrë të paligjshme, duke favorizuar persona të lidhur me familjen e Sali Berishës.
Akuzat kryesore lidhen me shpërdorim detyre, pra me vendimmarrje në kundërshtim me ligjin,
privatizim i manipuluar i pronës publike, përfitim indirekt familjar përmes dhëndrit dhe rrjeteve të lidhura.
Nëse provohet që vendimet qeveritare janë marrë për të favorizuar një interes të caktuar privat, kjo është pika më e fortë e akuzës.
Por avokatët e Sali Berishës pretendojnë se
çdo vendim ka qenë formal, me dokumente dhe ligjërisht i miratuar dhe se nuk ka prova direkte që ish-kryeministri ka përfituar personalisht. Po ashtu, përgjegjësia është institucionale dhe jo individuale, tipike e një strategjie klasike me zhvendosje nga përgjegjësi personale tek vendimmarrja kolektive.
Pyetja që me të drejtë shtrohet në këtë rast: Pse kërkohet Edi Rama si dëshmitar?
Sepse Rama ka qenë kryetar bashkie në kohën kur një pjesë e proceseve urbane janë zhvilluar. Dhe do të mund të pyetet për lejet, për praktikat apo standardet e kohës. Realisht, ndikimi i tij në thelbin penal të çështjes është i diskutueshëm, sepse juridikisht mund të ketë një rol periferik, ndërsa politikisht do të jetë një “bombë” mediatike.
A ka rrezik zvarritjeje ky proçes nga thirrja e kryeministrit?
Sigurisht, thirrja e dëshmitarëve të profilit të lartë mund të zgjasë procesin, do të mund të shtyjë fokusin nga provat tek përplasja politike, do të rris presionin publik mbi gjykatën.
Por në realitet, pikat kritike të proçesit do të jenë provat me dokumente që tregojnë ndikim të drejtpërdrejtë politik për përfitim privat, a ka patur lidhje të qarta financiare që provojnë përfitimin dhe a janë shkelur procedurat ligjore në mënyrë të qëllimshme?
Nëse këto provohen, çështja do të jetë e fortë, në të kundërt do të mbetemi në nivelin e dyshimeve politike.
Duke qënë se sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka ende deficit besimi, çështjet ku përfshihen figura të rëndësishme shihen si politike, pavarësisht se procesi ka elementë realë penalë, por është i mbështjellë fort me politikë. Dhe nuk përjashtohet mundësia apo rreziku që të kemi një zhvendosje drejt një “teatri publik”, që do të ishte turp për drejtësinë e re…








