Shkruan Konstantin Luci
Vija që ndan historinë në “para Krishtit” dhe “pas Krishtit” e ka një autor dhe ai quhet, Dionysius Exiguus. Në vitin 525 ai hoqi “Vitet e Dioklecianit” dhe vuri si pikë zero lindjen e Jezu Krishtit. Kështu lindi Anno Domini, “Viti i Zotit”. Dy shekuj më vonë, i Nderuari Bede, The Venerable Bede, me Historinë Kishtare të Popullit Anglez më 731, e popullarizoi sistemin dhe vendosi numërimin mbrapsht nga viti një për kohën para lindjes së Krishtit – sistemin “BC”. Pra, edhe “para Krishtit” edhe “pas Krishtit” mbajnë vulën e dy murgjve të Krishterë.
Dhe pikërisht këtë vulë Ministria e Arsimit do ta fshijë me gomë. Në librat e klasës së gjashtë “para Krishtit/pas Krishtit” bëhet “para erës sonë/pas erës sonë”, në emër të “laicitetit”. Por nuk bëhesh laik duke i ndërruar emrin historisë. Viti 1 nuk është i ndonjë “ere tonë” abstrakte. Është viti 1 që Dionisi e nisi nga Krishti dhe Bede e bëri standard.
“Para Krishtit” dhe “pas Krishtit” nuk janë predikim, janë koordinata. T’i heqësh me alibinë se “prekin ndjeshmëritë” do të thotë të shpallësh të vërtetën më të rrezikshme se injoranca. Një fëmijë nuk bëhet më pak qytetar pse mëson se kalendari që përdor bota ka rrënjë të krishtera. Bëhet më i lirë, sepse e di. Ky ndryshim i Ministrisë nuk është progres. Është frikë. Frikë nga fjala “Krisht” në libër dhe mosbesim te vetë laiciteti. Laiciteti i fortë nuk trembet nga e kaluara, e shpjegon. Duhet të jemi të sinqertë se këtë ndarje e bënë dy murgj, me Krishtin në qendër. Nuk ju detyron askush që të besoni. Duhet vetëm ta dini. Sepse vetëm ai që njeh burimin, e kupton ku po e çon rryma. Çdo gjë tjetër është censurë me emër të bukur.







