Kreu Hapësirë Bjeruni mësuesve!

Bjeruni mësuesve!

0
16

Shkruan Ardi Stefa

Goditini mësuesit!
Po, po, mos u ndalni. Kusur mos u lini… Denigrojini, linçojini, bëjini mish për komentet në Facebook dhe për studiot televizive ku analfabetizmi dhe idiotësia flasin me zë të lartë e të arsimuarit rrinë kokëulur në cep.
Varini simbolikisht e fizikisht po mundët në Sheshin Skënderbej, në Sheshin e Flamurit, në sheshin e Kamzës, apo kudo ku turma ka nevojë për një viktimë të radhës.
Bjeruni mësuesve, se në atdheun tonë që aspiron BE, mësuesi është kthyer në thes boksi të shoqërisë.
Nxënësi dështon? Fajin mësuesi.
Prindi nuk edukon? Fajin mësuesi.
Fëmija rritet me TikTok, me “vipat” që shajnë, ulërasin, tradhtojnë e bëhen milionerë duke shitur vulgaritet e amoralitet? Prapë fajin mësuesi.
Mësuesi duhet të edukojë. Të mësojë. Të durojë. Të heshtë. Të plotësojë SMIP-in, formularët, raportet, planet mujore, planet javore, planet ditore, planet për planet. Të bëjë psikologun, policin, prindin, rojen, sekretaren dhe në fund edhe kllounin që sistemi të duket funksional.
Po të drejta?
Jo more, ç’të drejta!
Mësuesi nuk ka e nuk duhet të ketë të drejta!
Mësuesi duhet vetëm të mbajë kokën ulur dhe të falënderojë që nuk e kanë kryqëzuar ende publikisht në prime time apo në emisione gjobvënëse televizive.
Dhe ndërkohë, prindër që nuk kanë lexuar një libër në jetën e tyre, që flasin me fëmijët vetëm me britma, që i rrisin me filozofinë “Bjeri tavolinës se të dëgjon bota”, që bisedat e vetme që bëjnë në shtëpi me njëri- tjetrin përpara fëmijëve janë: “Ia futa këtij apo atij, sot!” shkojnë në shkollë për të dhënë leksione pedagogjie.
Disa prej tyre e shohin mësuesin si kamarier privat të fëmijës së tyre të “veçantë”, atij engjëllit që në shtëpi shan, godet dhe nuk respekton askënd, por që sipas mamit “është shumë i ndjeshëm”.
E pastaj habitemi pse televizionet janë mbushur me rrugaçëri.
Po kush i rriti ata?
Kush i bëri modele kombëtare?
Mësuesi që s’ka kohë të merret me veten apo fëmijët e tij apo llumi që na serviret çdo mbrëmje si sukses?
Sot, në Shqipëri, djali që ulërin në ekran quhet “karizmatik”.
Vajza që ofendon quhet “e fortë dhe trendy”.
Injoranti quhet “tip”.
Kurse mësuesi quhet dështak, sepse nuk arriti të bëjë mrekulli me një shoqëri që e ka zëvendësuar librin me zhurmën, vanitetin dhe vulgaritetin.
Dhe, vazhdoni, mos u ndalni.
Bjeruni mësuesve!
Qërrojini mësuesit. Zhdukini fare.
Bëjeni arsimin një magazinë diplomash dhe shkollën një parking adoleshentësh pa orientim.
Pastaj mos u tronditni kur fëmijët të flasin si rrugaçë, të sillen si rrugaçë dhe ëndërrojnë të bëhen po ata personazhe që sot i shohin si heronj në ekran.
Një shoqëri që poshtëron mësuesin, nuk prodhon qytetarë, por antiqytetari, mediokritet e krim.
Dhe një të ardhme të zymtë!

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu