Gjykata e Posaçme, këtë të martë, i ka kërkuar SPAK-ut të thellojë hetimet për çështjen e gjyqtares Irena Gjoka, duke kërkuar plotësim hetimesh.
Në vendimin e marrë nga gjyqtarja Marinela Osmani, Prokurorisë së Posaçme i janë lënë një sërë detyrash për t’u plotësuar, si dhe një afat kohor prej 6 muajsh.
Gjyqtarja Irena Gjoka është paditur nga PD-ja me pretendimin se ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë greke. Megjithatë, më 6 maj, SPAK kërkoi pushimin e procedimit penal.
SPAK argumentoi se pushimi i hetimeve duhet të bëhet për shkak të parashkrimit të veprës penale, mosdijes së gjyqtares për një vendim të dhënë nga drejtësia greke në mungesë në vitin 2005, etj.
Konkretisht, bëhet fjalë për një proces gjyqësor në shtetin helen në vitin 2005, ku është konstatuar se, në dy raste në kufi, Irena Gjoka ka përdorur “dokumente të parregullta” dhe ka bërë tentativa për hyrje me të dhëna të ndryshme identifikuese.
Më 25 mars të 2026, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi mbylljen e procedimit penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka e cila u akuzua nga demokratët për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Në lidhje me hetimet e bëra pas denoncimit të bërë nga Adriana Kalaja, SPAK njoftoi se Irena Gjoka e ka shlyer me gjobë pasi ajo u shpall fajtore për veprën penale të parashikuar nga legjislacioni penal grek “Hyrja dhe qëndrimi i të huajve në Territorin Grek”.







