Kreu Analizë “Peshku qelbet nga koka”

“Peshku qelbet nga koka”

0
7

Shkruan Zef Bushati

Për 44 ditë me radhë kemi folur, kemi komentuar dhe kemi mbështetur Protestën Rinore, Protestën Qytetare. E kam quajtur Uragani i Shqipërisë, Orteku i Rinisë, Furtuna e Diasporës, që mbushi Bulevardin nga Sheshi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” deri te Sheshi “Nënë Tereza”.
Kjo nuk ishte thjesht një protestë. Ishte një zgjim Kombëtar. Ajo i dha forcë, dinjitet dhe urtësi popullit shqiptar. I kujtoi çdo qytetari se demokracia nuk është prona e një njeriu, por përgjegjësi e institucioneve ndaj popullit. Çështjet që prekin identitetin kombëtar, territorin, demografinë dhe të ardhmen e Shqipërisë nuk mund të vendosen nga një njeri i vetëm, qoftë ai Rama apo Berisha. Heshtja e qytetarëve përballë vendimeve të tilla është dorëzim, jo demokraci. Një shumicë amorfe që hesht dhe një opozitë impotente që nuk bind nuk e forcojnë demokracinë. Përkundrazi, e dobësojnë, e zbehin dhe e bëjnë më të brishtë. Kjo protestë zgjoi nga gjumi të rinj e të moshuar. Bashkoi njerëz që nuk i bashkonte asnjë parti politike.
Por sot shtrohet një pyetje që nuk mund të shmanget më. Po kokën e kësaj proteste si e kemi ?
Gjithçka nisi kur përfaqësues të shoqërisë civile u revoltuan nga sjellja e disa punonjësve të një kompanie private të sigurisë ndaj protestuesve në Zvërnec të Vlorës. Madje, një protestues u tërhoq zvarrë. Ata reaguan. Shkruan në rrjetet sociale. Ftuan qytetarët në protestë.
Dhe ndodhi mrekullia. Qindra mijëra shqiptarë mbushën sheshin. Në atë moment protesta nuk ishte më e organizatorëve.
Protesta u bë pronë e popullit.
Ironia është se shumica dërrmuese e atyre që mbushën sheshin nuk i njihnin fare personat që kishin bërë thirrjet në rrjetet sociale. Edhe sot, pas 44 ditësh protestë, shumica e protestuesve nuk e di se kush e drejton realisht këtë lëvizje.
Dikush thotë janë 35.
Dikush tjetër thotë janë 40.
Mirë. Po kush janë ? Këta quhen “Koka e Protestës”.
Atëherë lind një pyetje krejt normale. Pse nuk prezantohen publikisht ? Pse nuk publikojnë listën e plotë të emrave ? Pse fshihen?
Në çdo shtet demokratik organizatorët dalin përpara qytetarëve me emër, mbiemër dhe përgjegjësi. Protestuesit dinë se kush flet në emër të tyre. Vetëm këtu në Shqipëri ndodh e kundërta. Sa më shumë heshtje, aq më shumë dyshime. Sa më shumë fshehje, aq më shumë thashetheme. Prandaj sot dëgjon çdo version të mundshëm.
Disa thonë janë të Sorosit. Të tjerë i quajnë njerëz të PD-së. Të tjerë të PS-së. Madje ka nga ata që përmendin Iranin, Serbinë, Izraelin, Rusinë…
Kur mungon transparenca, vendin e së vërtetës e zënë thashethemet.
Po kështu lind edhe pyetja tjetër.
Kush e financon protestën ? Vetëm qendra e zërit kushton rreth 300 mijë lekë të vjetra në ditë. Po flamujt ? Po parrullat ? Po flamingot ? Po materialet promovuese ? Po organizimi teknik ? Po sloganet ?
Kush i paguan ? Kush i koordinon ? Këto nuk janë akuza. Janë pyetje legjitime që çdo protestues ka të drejtë t’i bëjë. Sepse transparenca nuk dobëson një protestë. Përkundrazi, e mbron. Atëherë pse të vazhdohet kështu ?
Pa transparencë. Pa strukturë të qartë. Pa një zë të përbashkët. Pa një përgjegjësi të identifikueshme. Duke hedhur gurin dhe duke fshehur dorën. Njëri del e deklaron se protesta mbaron dhe rifillon në shtator. Një tjetër lexon një draft për Ligjin Zgjedhor. Një tjetër flet për organizimin e një kongresi.
Kush vendos ? Kush flet në emër të protestës ?
Kush mban përgjegjësi ?
Sepse kështu krijohet përshtypja e një drejtimi të çoroditur. Thuhet se janë 40 organizatorë.
Por publiku sheh vetëm Ben Kolën me qeleshe, Gent Prognin, Klajdi Bellon, Luciana e Rrjollit, Andi Tepelenën dhe tre-katër vajza e katër-pesë djem të tjerë shumë aktivë. Pra, rreth 15 veta. Po 25 të tjerët ku janë? Kush janë? Pse nuk dalin para qytetarëve?
Ata që mendojnë se fshehja i mbron, gabojnë rëndë.
Historia ka dhënë gjithmonë të njëjtin mësim. Fshehja nuk ndërton besim. Transparenca po. Askush nuk është mbi përgjegjësinë. As në politikë. As në shoqërinë civile. As në një protestë që pretendon të shkruajë histori.
Sot ose nesër, secili prej atyre që kanë marrë përsipër drejtimin e kësaj lëvizjeje do të duhet të japë llogari për mënyrën se si e ka ushtruar këtë përgjegjësi. Sepse këtë detyrë nuk ua imponoi askush. E morën vetë përsipër. Dhe pikërisht për këtë arsye duhet ta ushtrojnë me korrektësi, me përgjegjësi, me mençuri dhe me transparencë të plotë. Pa asnjë kompromis që dëmton interesin e protestuesve. Sepse organizatorët nuk janë “pronarët” e kësaj proteste.
“Pronarët” e vetëm të saj janë qindra mijëra qytetarët shqiptarë që mbushën sheshet, ngritën zërin dhe e kthyen këtë në “Protestën Historike të Shqipërisë.”
Dhe një protestë historike meriton një drejtim po aq historik: të hapur, të ndershëm, transparent dhe të përgjegjshëm.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu