Shkruan Azgan Haklaj
Mirë se vini çlirimtarë!
Kanë rënë gjashtë stinë padrejtësie mbi muret e ftohta të paraburgimit në Hagë, ku mbahen peng themeluesit e lirisë sonë, titanët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjashtë vjet burgim politik për krerët e kthesës më të madhe historike të kombit, të cilët u ulën në bankën e të akuzuarve si dalëzotës të popullit të Kosovës, si dorzanë të kauzës së UÇK-së, si zëdhënës të lirisë, si apostuj të së vërtetës historike dhe hyjnore, të cilët mbajtën mbi supe kryqin e rëndë të sakrificës sonë kristiane shekullore.
Sot, një komb i tërë prej miliona shqiptarësh, nga trojet tona etnike e deri në diasporë, është ngritur në këmbë në pritje të një vendimi që përcakton fatet epokale.
Ky nuk është thjesht një vendim gjykate; është kordoni i hekurt që duhet t’i ndajë epokat përgjithmonë, duke vënë murin e pathyeshëm të së vërtetës shqiptare përballë mbeturinave të pansllavizmit dhe aliazheve të tyre të errëta.
Demaskimi i laboratorëve sllavë dhe dosjeve të fabrikuara!
Kjo ngrehinë artificiale juridike, e ngritur mbi baltë dhe interesa të errëta gjeopolitike, nuk është veçse një përpjekje e dëshpëruar për të barazuar viktimën me agresorin, xhelatin me lirinë.
Akuzat nuk qëndrojnë:
Ato janë thjesht një flluskë e rreme e ngritur mbi sajesa.
Aktakuzat që mbajnë padrejtësisht të izoluar çlirimtarët tanë janë pjellë e laboratorëve të shërbimeve secrete serbo-sllave.
Ato gjetën ushqim te baltosjet e servirura në librat e ish-kryeprokurores Carla Del Ponte, si “Gjuetia: Unë dhe kriminelët e luftës” dhe u kurorëzuan në kallëzimet e fabrikuara të raportit famëkeq të Dick Marty-t në Këshillin e Evropës.
Por asnjë shkresë e porositur dhe asnjë skenar i gatshëm i Beogradit dhe Rusisë nuk mund ta njollosë epopenë më të pastër kombëtare të shekullit XX.
Lufta jonë çlirimtare ishte britma e drejtë e një populli për mbijetesë dhe bashkim, një gurthemel i granitit mbi të cilin ngrihet dinjiteti ynë kombëtar.
Ora e madhe e drejtësisë:
Ngadhënjimi i UÇK-së dhe i Kombit!
Ajo që presim sot nuk është thjesht një akt pafajësie për heronjtë tanë të gjallë, por vulosja përfundimtare e fitores së historisë sonë.
Ky gjyq është testi i madh ku drejtësia ndërkombëtare duhet të përulet përballë gjakut të derdhur për liri, duke hedhur poshtë me neveri çdo aludim dhe trillim shovinist.
Në këtë udhëkryq të madh të historisë, zëri i kombit tonë është bërë një grusht i vetëm çeliku.
16-të shtatori është dita historike e bashkimit, pa dallim besimi, krahine apo ideje, është dta e triumfit të së vërtetës dhe kauzës së UÇK- së,
është është dita e ngadhënjimit të Kombit Shqiptar!
Ka filluar numërimi mbrapsht i ditëve të fundit të padrejtësisë!
Është vendosur ora e pritjes së madhe; tik-taku i saj rreh në akord të plotë me ritmin e pulsit të shqiptarizmit dhe me zemrën e çdo shqiptari që frymon.
Një komb i tërë është ngrit’ me sytë nga e vërteta, në pritje të triumfit të madh dhe të kthimit triumfal të çlirimtarëve tanë në tokën e shenjtë të Kosovës.
Mirë se vini çlirimtarë!







