Kreu Kulturë Baçali, kali i Gjergj Kastriotit dhe Shqipëria e lodhur nga lufta brenda...

Baçali, kali i Gjergj Kastriotit dhe Shqipëria e lodhur nga lufta brenda llojit

0
3

Shkruan Zef Ndreka

Metaforë e një vendi që ndodhet përpara një udhëkryqi.
Balada “Baçali – kali i Gjergjt” i poetit Frrok Kovaçit, edhe pse e ngritur mbi një simbolikë historike dhe mitike, të krijon çuditërisht ndjesinë e Shqipërisë së sotme. Sikur hingëllima e Baçalit të mos vijë vetëm nga koha e Skënderbeut, por të depërtojë shekujt dhe të mbërrijë deri tek ne.
Më impresonoi veçanërisht vargu:
“pas trishtimit të ullinjve qëndronte
si fantazmë, lufta brenda llojit.”
Ndoshta këtu qëndron edhe ura më e fortë mes baladës dhe realitetit tonë politik.
Shqipëria ka vuajtur shpesh jo vetëm prej kundërshtarëve të saj, por prej përplasjes së shqiptarëve me shqiptarët. Prej paaftësisë për ta konsideruar tjetrin kundërshtar dhe jo armik, prej etjes për pushtet, prej hakmarrjes politike, rej përjashtimit, prej gjuhës së urrejtjes dhe prej bindjes se vetëm njëra palë mund ta zotërojë të vërtetën.
Edhe sot rrezikojmë të ushqejmë pikërisht këtë “luftë brenda llojit”.
Sor, kur protesta largohet nga fjala dhe shkon drejt dhunës, kur politika nuk kërkon më dialog, por asgjësimin e kundërshtarit, kur institucionet shihen vetëm si armë të njërës palë kundër tjetrës, kur qytetari ndahet në “tanët” dhe “ata”, kur vandalizmi kërkon të vishet me petkun e revoltës dhe arroganca e pushtetit justifikohet me vandalizmin e rrugës, shoqëria hyn në një rreth të rrezikshëm.
Dhe pikërisht këtu më duket se Baçali merr një kuptim tjetër.
Ai ndalet, nuk bën asnjë hap përpara.
Sikur kafsha e Gjergjit kupton diçka që njerëzit nuk arrijnë ta kuptojnë, se përpara nuk gjendet më lavdia, por humnera e përçarjes.
Hingëllima e tij bëhet paralajmërim.
Në baladë, askush nuk di ta deshifrojë atë “gjuhë brenda gjuhës”. Edhe Shqipëria e sotme ka plot paralajmërime që politika nuk po di, ose nuk dëshiron ti deshifrojë.
Ka lodhje qytetare, ka mosbesim, a zemërim, ka padrejtësi që kërkojnë përgjigje. Ka nevojë për protesta dhe reagim qytetar, por ka edhe një kufi që nuk duhet kaluar që është kufiri ku revolta kundër së keqes fillon të prodhojë një të keqe tjetër.
Sepse xhami i thyer, biznesi i dëmtuar, institucioni i djegur apo qyteti i terrorizuar nuk janë fitore politike. Janë plagë që në fund i paguan shoqëria.
Po aq e rrezikshme do të ishte që pushteti ta përdorte dhunën e një pjese të protestuesve si alibi për të mos dëgjuar pakënaqësinë reale të qytetarëve. Demokracia kërkon njëkohësisht rend dhe llogaridhënie, protestë dhe përgjegjësi, opozitë dhe institucione.
Prandaj vargu:
“Toka u drodh si prekje hyjnore,
si kujtim që s’don të vdes”,
tingëllon sot pothuaj si një thirrje për kujtesë.
Shqipëria duhet ta kujtojë historinë e vet përpara se të luajë përsëri me zjarrin e përçarjes.
Historia jonë na ka mësuar sa lehtë ndizet urrejtja dhe sa vështirë shuhet ajo. Sa shpejt rrëzohet një urë mes njerëzve dhe sa vite duhen për ta rindërtuar dhe sa shtrenjtë e paguan populli betejën e politikanëve kur politika humbet arsyen.
Baçali mbante mbi vete “peshën e fundit të lavdisë”.
Ndërsa Shqipëria e sotme mban një peshë tjetër, përgjegjësinë për të mos përsëritur tragjeditë e veta.
Prandaj kjo baladë, në leximin tim, nuk flet vetëm për një kalë që ndien fundin e një epoke.
Ajo mund të lexohet edhe si metaforë e një vendi që ndodhet përpara një udhëkryqi.
Dhe ndoshta duhet ta dëgjojmë hingëllimën e Baçalit para se të jetë vonë.
Sepse armiku më i rrezikshëm i Shqipërisë nuk ka qenë gjithmonë përtej kufirit.
Shpesh ai ka qenë “lufta brenda llojit”, paaftësia jonë për të jetuar me njëri-tjetrin, për tu kundërshtuar pa u urryer, për të ndryshuar pushtetin pa shkatërruar shtetin dhe për të protestuar kundër padrejtësisë pa djegur shtëpinë e përbashkët.
Baçali u ndal.
Ndoshta edhe politika shqiptare duhet të dijë të ndalet, përpara se hingëllima e paralajmërimit të shndërrohet në kambanë tragjedie.
Baçali – kali i Gjergjt.
Baladë.
Tek suka e Mat Gjopreshit ku
trishtimi i ullijve s’të lenë me pa Krujen.
Baçali u ndal, leshoj një hingellimë,
si të qe një alfabet i vjeter, i lashtë.
Kali i bardhë me sy si nata,
lindur nga loti i fundit i perendive,
asnjë hap se bëri perpara,
në ikjen drej Lezhes.
Fytyra e bukur e kalit
degjonte universin, gjuhen magjike,
Turfulliu, po askush s’dinte te deshifronte,
gjuhen brenda gjuhes që leshonte.
Pergjithmonë qe thyer zogu i shpirtit,
per të mos fluturuar më kurrë
pas trishtimit te ullijve qëndronte
si fantazem, lufta brenda llojit.
Toka u drodh si prekje hyjnore,
si kujtim që s’don të vdes,
hingellima si kambanat e kishave,
të zbrazura pa njerz.
Marakeç Gjoka e mori perdore
peshen e fundit te lavdis,
dora ju bë mjegullnajë
në placenten e historis.
As gjë s’mbeti veç tymit qe s’flet,
Loti djeg i ja skuq sytë,
Nje drite endet ne ujrat pa breg
atje ku shkojnë të vdesin perenditë.
Frrok Kovaçi

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu