Kreu Hapësirë “Vdekja e kalit” një pasqyrim i tranzicionit dhe i deformimit të demokracisë...

“Vdekja e kalit” një pasqyrim i tranzicionit dhe i deformimit të demokracisë shqiptare

0
24

Demokracinë e vërtetë do ta sillnin “Agronët”, do ta mbështesnin “Vangjelët”, por e deformuan “Estrefët”!

Shkruan GJOVALIN GJELOSHI

Ka filma që, edhe shumë vite pas realizimit të tyre, nuk mbahen mend vetëm si vepra artistike, por kthehen në një mënyrë për të kuptuar shoqërinë dhe kohën në të cilën jetojmë, apo jetuam. Një prej tyre është “Vdekja e Kalit”. Sa herë rikthehem te ky film, më duket se tri personazhet e tij kryesore, Agroni, Vangjeli dhe Estrefi, përfaqësojnë jo vetëm tri karaktere njerëzore, por edhe tri tipologji politike, që mund të na ndihmojnë të kuptojmë një nga paradokset më të mëdha të tranzicionit shqiptar.

Agroni është veterineri që sakrifikon veten për të mbrojtur kuajt, të cilët pushteti kishte vendosur t’i asgjësonte, me pretekstin se ferma e tyre ishte vepër e puçistëve të ushtrisë. Ai nuk pranon të heshtë përballë asaj që e konsideron padrejtësi dhe për këtë përfundon në burg. Liria i vjen vetëm kur regjimi bie dhe nis demokracia.

Vangjeli është komunist, por jo njeri që jetonte me citate. Ai e kupton se po bëhet një padrejtësi, dëshmon në mbrojtje të Agronit me burrëri dhe paguan edhe vetë çmimin e guximit të tij. Ndërsa Estrefi është një tjetër kategori. Komunist i përkushtuar ndaj hierarkisë së partisë, shkrues letrash, denoncues i shokëve dhe përdorues i zellshëm i citateve ideologjike. Për të, rëndësi nuk ka aq e vërteta, sa pozicioni që mund të sigurojë brenda sistemit. Kur Agroni burgoset, Estrefi ngrihet në përgjegjësi partiake dhe ekzekutive, deri në Ministrinë e Mbrojtjes.

Dhe ja ku fillon paradoksi që na intereson më shumë: kur vjen demokracia, Agroni dhe Vangjeli mbeten dëshmitarë të një kohe që po largohet, ndërsa Estrefi arrin të përshtatet edhe me sistemin e ri. Madje, ai bëhet pjesë e lëvizjes që solli demokracinë dhe arrin të ngjitet në nivelet më të larta të politikës së saj.

DEMOKRACIA QË NISI ME KËMBËN E GABUAR

Në vitet e para të pluralizmit, Shqipëria kishte një mundësi historike për të bërë një shkëputje të vërtetë nga e kaluara. Nuk bëhej fjalë vetëm për të ndërruar sistemin politik, për të krijuar parti të reja apo për të ngritur institucione të tjera. Bëhej fjalë, mbi të gjitha, për të ndryshuar kulturën e pushtetit dhe për të vendosur në themel të shoqërisë së re njerëz të tjerë, me bindje, integritet dhe përgjegjësi.

Demokracinë do ta sillnin Agronët. Ata që kishin paguar me lirinë e tyre për të mos iu nënshtruar padrejtësisë. Ata që nuk kishin pritur të ndryshonte era politike për të kuptuar se çfarë ishte e drejtë dhe çfarë ishte e gabuar. Ata nuk kishin nevojë të shpalleshin demokratë, sepse me qëndrimet dhe sakrificat e tyre kishin dëshmuar se çfarë do të thoshte të mbroje lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Ishin pikërisht këta njerëz që duhej të merrnin frenat e demokracisë së re. Jo si dekor i një ndryshimi politik, jo si dëshmitarë të një të kaluare të dhimbshme, por si protagonistë të së ardhmes.

Demokracinë do ta mbështesnin Vangjelët. Ata që vinin nga sistemi komunist, por nuk kishin humbur aftësinë për të dalluar të drejtën nga e padrejta. Njerëz që kishin përvojën e një sistemi që po shembej, por edhe ndërgjegjen për të mos e mbrojtur atë me çdo kusht. Ata mund të ndërtonin urat midis dy sistemeve, të ndihmonin në një kalim më të arsyeshëm dhe të kontribuonin në krijimin e një kulture të re politike. Sepse jo çdo njeri që vinte nga e kaluara ishte i papërshtatshëm për të ardhmen. Por çfarë ndodhi me Estrefët?

ESTREFËT, ATA QË FIKËN FLAKËN E REVOLUCIONIT TË DEMOKRACISË

Këtu qëndron, sipas meje, një nga arsyet më të rëndësishme pse demokracia shqiptare nuk arriti të ndërtohej mbi themele aq të shëndosha sa pritej. Estrefët nuk u larguan bashkë me sistemin që u kishte dhënë mundësi të ngriheshin. Ata nuk e patën të vështirë të ndërronin gjuhën, të përshtatnin fjalorin politik dhe të gjenin vendin e tyre në strukturat e reja. Dje ishin zbatues të zellshëm të vijës së partisë, sot u shfaqën si demokratë të orëve të para. Dje përdornin citatet e ideologjisë komuniste për të denoncuar të tjerët, sot gjenin citate të reja për të dëshmuar përkushtimin ndaj demokracisë.

Dhe, më e rëndësishmja, nuk u mjaftuan me përshtatjen. Ata arritën të zinin edhe pozicione drejtuese në politikën e re, madje edhe në krye të ndonjë force politike që lindi si shprehje e kundërshtimit ndaj sistemit të vjetër. Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një ndryshim bindjesh. Njeriu mund të ndryshojë mendim, të reflektojë, të kuptojë gabimet e së kaluarës dhe të bëhet pjesë e një shoqërie të re. Kjo është e natyrshme dhe demokratike. Problemi qëndron te mungesa e llogaridhënies, te mungesa e një ndarjeje të qartë nga praktikat e vjetra dhe, mbi të gjitha, te fakti se ata që kishin përfituar nga sistemi i mëparshëm arritën të merrnin pjesë në drejtimin e sistemit të ri, pa u përballur seriozisht me përgjegjësitë e së kaluarës.

Këta “Estrefë”, që morën në dorë drejtimin e shtetit, në vend që të ndanin shapin nga sheqeri, të mirën nga e keqja, abuzuesin nga ai që kishte punuar me ndërgjegje, i futën të gjithë në një thes, duke i shpallur “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. Në një kohë kur kishte vuajtës dhe persekutorë, viktima dhe xhelatë, njerëz që kishin kundërshtuar sistemin dhe të tjerë që e kishin shërbyer me zell atë. Por problemi nuk mbaronte këtu. Një pjesë e drejtuesve të atij sistemi kishin vepruar edhe në kundërshtim me vetë ligjet e tij. Dhe kjo është një rrethanë që nuk duhet anashkaluar. Ligjet e diktaturës ishin vetë të ashpra, represive dhe mohuese të lirive themelore. Por disa prej atyre që kishin për detyrë t’i zbatonin, nuk u mjaftuan as me ashpërsinë e tyre: i tejkaluan, i shkelën dhe i zëvendësuan me arbitraritetin e tyre. Kishte persona në sistemin e drejtësisë që kishin shkelur edhe ato kufij që përcaktonte vetë legjislacioni i kohës; hetues që përdornin dhunë në mjediset e paraburgimit; oficerë që jepnin urdhra për të vrarë njerëz që guxonin të shkelnin kufirin, edhe kur arratisja nuk përbënte më tradhti kombëtare dhe nuk dënohej më me burgim; shefa policie dhe drejtorë burgjesh që dhunonin të burgosurit, ndonëse një sjellje e tillë ndalohej edhe nga ligjet e vetë regjimit. Pra, nuk ishte fjala vetëm për një sistem me ligje të padrejta, por edhe për njerëz që, të veshur me pushtetin e tij, vepronin mbi dhe përtej ligjit, duke e kthyer arbitraritetin personal në një instrument tjetër shtypjeje. Dhe pikërisht këta njerëz, apo njerëz me të njëjtën mendësi, nuk u përballën siç duhej me të kaluarën e tyre, por gjetën hapësirë për të vazhduar karrierën edhe në sistemin e ri.

Kjo ndodhi sepse “Estrefët” qenë si “Kolonë e pestë”, “Kali i Trojës”, në lëvizjen demokratike. Demokracia do të kishte filluar me baza më të shëndosha, do të ndërtohej me themele më të forta dhe tranzicioni nuk do të ishte kaq i zgjatur, nëse shteti do të drejtohej nga “Agronët” dhe të mbështetej prej “Vangjelëve”.

“Estrefët” nuk duhej të ishin në krye të politikës shqiptare. Jo sepse vinin nga një sistem i caktuar, por sepse përfaqësonin atë mënyrë të të bërit politikë që duhej të merrte fund bashkë me diktaturën: servilizmin, arrogancën, mbytjen e mendimit kundër, autokracinë, mosrespektimin e pronës, denoncimin, oportunizmin dhe bindjen se pushteti është më i rëndësishëm se e vërteta.

TRANZICIONI QË NUK PO MBARON

Ndoshta këtu duhet kërkuar një nga shpjegimet e tranzicionit tonë të tejzgjatur. Ne ndryshuam sistemin, por nuk arritëm të ndryshonim në të njëjtën masë njerëzit dhe kulturën e ushtrimit të pushtetit. Ndryshuan emrat e institucioneve, programet politike, parullat dhe flamujt, por shumë nga mënyrat e vjetra të të menduarit dhe të vepruarit mbijetuan.

Në vend që demokracia të mbështetej te njerëzit që kishin dëshmuar se ishin të aftë të sakrifikonin për një parim, ajo u gjend shpesh në duart e njerëzve që dinin të përshtateshin me rrethanat. Në vend që e kaluara të shërbente si përvojë për të mos përsëritur gabimet, ajo u kthye në një kapital që disa dinin ta përdornin për të siguruar pozicione të reja.

Sigurisht, as vuajtja e djeshme nuk është vetvetiu garanci për aftësinë e qeverisjes dhe as përvoja e së kaluarës nuk është automatikisht një pengesë. Por një shoqëri që del nga diktatura ka nevojë për një kriter të qartë moral: integritetin, përgjegjësinë dhe respektin për lirinë. Pa këto, ndryshimi i sistemit rrezikon të mbetet vetëm një ndryshim fasade.

Dhe ja pse, kur mendoj për “Vdekjen e kalit”, më duket se filmi na ka lënë një mësim që shkon përtej historisë së tij. Agroni, që sakrifikoi veten për të mbrojtur kuajt, Vangjeli, që pati guximin të dëshmonte të vërtetën, dhe Estrefi, që arriti të mbijetonte e të ngrihej në të dy sistemet, janë tri figura që na ndihmojnë të kuptojmë se ku mund të ketë nisur gabimi ynë i madh. Sepse demokracia nuk fillon vetëm atëherë kur rrëzohet një diktaturë. Ajo fillon atëherë kur njerëzit që marrin në dorë fatin e saj janë të ndryshëm nga ata që e mbajtën shoqërinë peng. Në historinë tonë post-komuniste, “Estrefët” zbuan “Agronët” dhe “Vangjelët”.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu