Shkruan Zef Ndreka
– Problemet nuk janë tek ligjet, por tek njerëzit që i zbatojnë!
Sistemin e burgjeve në Shqipëri e kanë dëmtuar vazhdimisht dy faktorë të rrezikshëm që janë, ndërhyrja e politikës dhe ndikimi i botës kriminale.
Që prej viteve të para të tranzicionit, administrimi i institucioneve penitenciare ka vuajtur nga ndërhyrjet politike, privilegjet e individëve me pushtet, lidhjet e personazheve të njohur me administratën dhe ndikimi i grupeve kriminale, veçanërisht atyre të përfshira në trafiqe të ndryshme.
Në vitin 1998, miratimi nga Kuvendi i Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve dukej si një hap i rëndësishëm drejt institucionalizimit të sistemit. Ishte një përpjekje për të vendosur standarde ligjore për administrimin e burgjeve, respektimin e të drejtave dhe trajtimin e të dënuarve e të paraburgosurve. Por, siç ka treguar përvoja ndër vite, ekzistenca e rregullave nuk garanton patjetër zbatimin e tyre.
Problemi ka qenë dhe mbetet zbatimi selektiv i ligjit.
Për shumë individë, burgu nuk ka qenë gjithmonë një institucion ku të gjithë përballen me të njëjtat rregulla. Ka pasur raste kur ndikimi politik, fuqia ekonomike, njohjet personale apo lidhjet kriminale kanë krijuar privilegje të veçanta.
Një nga rrugët më të përdorura për t’iu shmangur kushteve të paraburgimit apo vuajtjes së dënimit ka qenë sistemi shëndetësor penitenciar. Spitali i Burgjeve dhe në raste të caktuara, institucionet e ekspertimit mjekoligjor janë kthyer në qendra ku janë ngritur dyshime për përdorim të statusit shëndetësor si instrument për të fituar lehtësira procedurale apo për të shmangur qëndrimin në qelitë e burgut.
Sigurisht, sëmundjet janë reale dhe e drejta për kujdes shëndetësor është e patjetërsueshme. Askush nuk mund të privohet nga trajtimi mjekësor për shkak se është i paraburgosur apo i dënuar. Por një gjë është kujdesi shëndetësor dhe një gjë krejt tjetër është përdorimi i tij si mekanizëm për t’iu shmangur drejtësisë.
Në të kaluarën janë evidentuar edhe raste të qëndrimeve të gjata në ambiente spitalore, pa një trajtim që të justifikonte domosdoshmërisht kohëzgjatjen e tyre. Hapja dhe administrimi më sistematik i kartelave klinike rreth vitit 2000 ndihmoi në nxjerrjen në pah të problematikave që deri atëherë mbeteshin të paqarta.
Dhe sot, një pyetje vazhdon të jetë aktuale: përse, sa herë arrestohen individë të njohur apo persona me ndikim, shfaqen kaq shpesh pretendime për probleme shëndetësore që kërkojnë trajtim të specializuar?
Nuk duhet përgjithësuar dhe as paragjykuar askush. Por çdo rast duhet të verifikohet nga ekspertë të pavarur, me kritere të njëjta për të gjithë dhe me përgjegjësi profesionale për çdo vendim.
Problemi i sistemit penitenciar shqiptar nuk është vetëm infrastruktura, numri i qelive apo kushtet e jetesës. Ai lidhet drejtpërdrejt me integritetin e administratës, profesionalizmin e personelit, pavarësinë e mjekëve dhe kontrollin real mbi institucionet.
Nuk mund të kemi një sistem drejtësie funksional kur vendimet e institucioneve penitenciare ndikohen nga telefonatat, nga ndërhyrje politike apo presione të individëve me pushtet. Nuk mund të kemi barazi përpara ligjit kur një qytetar i zakonshëm përballet me të gjitha kufizimet e burgut, ndërsa një individ me lidhje e mundësi të veçanta arrin të sigurojë trajtim tjetër.
Prandaj, sot nuk kemi aq shumë nevojë për një tjetër paketë ligjesh, sesa për një reformë të thellë institucionale dhe njerëzore.
Duhet të ndryshojë mënyra e përzgjedhjes së drejtuesve, të forcohet përgjegjësia individuale, të garantohet pavarësia e shërbimit mjekësor dhe të vendosen mekanizma të besueshëm kontrolli. Duhet që çdo shkelje të hetohet dhe çdo privilegj i paligjshëm të marrë përgjigjen e merituar.
Burgjet nuk janë as pronë e politikës, as hotel për të privilegjuarit dhe as territor ku krimi mund të ushtrojë pushtetin e vet.
Ato janë institucione të shtetit të së drejtës, ku duhet të garantohet njëkohësisht siguria, dinjiteti njerëzor dhe zbatimi i vendimeve të drejtësisë.
Asnjë shtet nuk provohet vetëm nga ligjet që miraton, por sidomos nga aftësia për ti zbatuar ato njësoj për të gjithë. Ndaj duhet reformë.
Dhe reforma e burgjeve duhet të fillojë nga njerëzit, nga përgjegjësia dhe nga profesionalizmi. Ligjet mund ti kemi të krahasueshme me ato të vendeve perëndimore, por pa institucione të pavarura dhe njerëz me integritet, ato mbeten vetëm shkronja në letër, siç po i shikojmë…







