Shkruan Zef Ndreka
Një përgjigje për zotin Agron Tufa.
Është vërtet për të ardhur keq kur sheh se një ide që duhej të bashkonte ish-të përndjekurit politikë dhe familjet e ish-pronarëve, po shndërrohet që në hapat e parë në një përplasje personale, akuza dhe dyshime brenda vetë kësaj shtrese.
Pas 35 vitesh demokraci, duket se ende nuk kemi mësuar të ndërtojmë bashkimin mbi interesat e përbashkëta, por vazhdojmë të prodhojmë ndasi, mosbesim e konflikte edhe aty ku historia duhej të na kishte mësuar të kundërtën.
Zoti Agron Tufa, në shkrimin e tij, ngre një çështje që sigurisht meriton vëmendje. Meriton nevojën për transparencë dhe garanci morale për drejtuesit e një projekti të ri politik. Kjo është një kërkesë legjitime. Askush nuk duhet të jetë mbi transparencën dhe askush nuk duhet të kërkojë besim pa dhënë llogari.
Por ka një dallim të madh midis kërkesës për transparencë dhe paragjykimit të një nisme politike përpara se ajo të ketë marrë formë, të ketë paraqitur programin dhe të ketë dalë përpara gjykimit të anëtarësisë dhe opinionit publik.
Nëse ekziston një dokument arkivor që ngre pikëpyetje mbi të kaluarën e z. Ethem Fezollari, ai duhet të publikohet i plotë, të verifikohet dhe të shoqërohet me kontekstin historik, pa paragjykuar. Personi për të cilin bëhet fjalë duhet të ketë mundësinë të japë shpjegimet e tij. Por një dokument, sado i rëndësishëm të jetë, nuk mund të kthehet menjëherë në një aktakuzë publike dhe as në një vendim përfundimtar për një njeri.
Po kështu, nuk mund të shpallet një institucion i tërë i pavlefshëm vetëm përmes akuzave të përgjithshme, pa paraqitur prova konkrete për rastin në fjalë.
Ajo që është shqetësuese më shumë në këtë debat është diçka tjetër.
Pyesim:
Kush po lufton dhe kë po sulmon?
A nuk mjaftuan 35 vite përdorimi politik i ish-të përndjekurve?
A nuk mjaftuan premtimet e pambajtura për pronat, dëmshpërblimet, drejtësinë historike dhe dinjitetin e kësaj shtrese?
A nuk mjaftoi që përfaqësimi i tyre politik të mbetej gjithmonë në duart e të tjerëve?
Tani, sapo shfaqet një përpjekje për të krijuar një subjekt politik të pavarur, në vend që të diskutojmë fillimisht mbi programin, alternativën, strukturat, përfaqësimin dhe njerëzit që do ta ndërtojnë atë, debatin po e zhvendosin tek lufta për legjitimitetin personal të drejtuesve.
Kjo është pikërisht rruga që duhet shmangur.
As zoti Tufa, as zoti Fezollari dhe asnjë individ tjetër nuk kanë pronësi mbi historinë e të përndjekurve politikë. Askush nuk mund të pretendojë se vetëm ai ka të drejtën të flasë në emër të kësaj shtrese. Përfaqësimi nuk trashëgohet, nuk imponohet dhe nuk fitohet me akuza ndaj njëri-tjetrit, por fitohet me besim, me integritet, me program dhe votën e lirë të njerëzve që përfaqëson.
Nëse nisma e re ka mangësi, le të kritikohet. Nëse drejtuesit kanë përgjegjësi për të shkuarën, le të sqarohen.
Nëse ka dyshime të argumentuara, le të verifikohen.
Por të mos e vrasim një ide përpara se ajo të ketë mundësi të provohet.
Dhe mbi të gjitha, të mos harrojmë se kundërshtari historik i kësaj shtrese nuk kanë qenë as njëri, as tjetri!
Ish të përndjekurit politikë dhe ish pronarët kanë nevojë për një përfaqësim që nuk kontrollohet nga partitë e vjetra, që nuk përdoret si dekor elektoral dhe që nuk shndërrohet në një instrument pazari politik. Ato kanë nevojë për një brez drejtuesish me integritet, me dije, me kulturë politike dhe përgjegjësi historike.
Nuk mund të kërkohet drejtësi për të kaluarën, duke mohuar të drejtën e njëri-tjetrit për të ndërtuar të ardhmen.
Nëse edhe këtë herë do ta kthejmë përfaqësimin politik në një luftë personale, atëherë nuk do të kemi humbur vetëm një iniciativë partiake, por do të kemi humbur edhe një tjetër mundësi për të dalë nga hija e përçarjes që na ka shoqëruar gjatë gjithë tranzicionit.
Ish të përndjekurit nuk kanë nevojë për pronarë të rinj të vuajtjeve të tyre. Kanë nevojë për përfaqësues të denjë, të zgjedhur prej tyre dhe të përgjegjshëm para tyre.
Mjaft më me luftën brenda llojit!
Historia na ka ndarë mjaftueshëm. Tani është koha të na bashkojë e ardhmja.







