Shkruan Zef Ndreka
– Copëtimi i alternativës dhe mbijetesa e monopolit politik.
Shfaqja e dhjetë nismave të reja për krijimin e partive politike, në periudhën pas fillimit të protestave, është një zhvillim që meriton vëmendje dhe analizë më vete.
Në pamje të parë, duket sikur Shqipëria po hyn në një fazë të re të pluralizmit politik. Grupe të ndryshme qytetarësh, studentësh, intelektualësh, përfaqësuesish të diasporës dhe rrymash ideologjike po artikulojnë nevojën për organizime të reja politike. Secili pretendon se përfaqëson një alternativë të ndryshme dhe se mund të sjellë ndryshimin që politika tradicionale nuk ka arritur të realizojë.
Lind pyetja:
A kemi të bëjmë me një proces të mirëfilltë rinovimi të politikës shqiptare, apo me një fragmentarizim të mëtejshëm të pakënaqësisë qytetare?
Sepse të kërkosh largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe njëkohësisht çlirimin e PD-së nga kontrolli i Sali Berishës, nuk mjafton. Duhet të ofrosh një alternativë politike të besueshme, me program, organizim, njerëz, përgjegjësi dhe vizion për qeverisjen e vendit.
Lista e përmendur përfshin:
Partia Diaspora
Partia Shqipëria e Lirë
Partia Nacionaliste
Partia Islamiste Demokratike
Lista Studentore
Partia Flamingo
Partia Ambientaliste e Gjelbër
Partia Shqipëria e Re
Lëvizja Intelektuale Shqiptare
Forca Shqipëria
Sipas deklarimeve të bëra publikisht nga Kreshnik Spahiu, pesë prej këtyre nismave kanë nisur procedurat ligjore, ndërsa pesë të tjerat janë ende në fazën e paralajmërimit.
Problemi më i madh duket se nuk është mungesa e emrave të rinj, por mungesa e një marrëveshjeje për bashkimin e tyre.
Është paradoksale që grupe të cilat pretendojnë se duan të ndryshojnë kulturën e vjetër politike, rrezikojnë të përsërisin pikërisht të njëjtin model: luftën për karrigen e kryetarit, rivalitetet personale, ambiciet individuale dhe mungesën e kompromisit.
Në vend që të bashkohen rreth një programi të përbashkët, duket se po përballen që në lindje me problemin e drejtimit dhe të përfaqësimit.
Këtu duhet të ndalemi tek një çështje tjetër shumë e rëndësishme, ku pluralizmi nuk matet me numrin e partive, por me aftësinë e tyre për të përfaqësuar interesa reale shoqërore.
Shqipëria nuk ka nevojë pa tjetër për dhjetë parti të tjera që konkurrojnë për të njëjtin elektorat opozitar, por ka nevojë për alternativa që dallohen nga njëra-tjetra në ide, programe, organizim, integritet dhe mënyrën se si synojnë të qeverisin.
Edhe ligji kërkon një organizim serioz, ku duhen të paktën 3 mijë anëtarë themelues, statut, program dhe organe drejtuese për regjistrimin e një partie politike.
Në këto kushte, fragmentarizimi mund të ketë një pasojë të kundërt me atë që pretendojnë nismëtarët. Në vend që të krijojë një alternativë të re dhe të bashkuar, mund të shpërndajë votën e pakënaqësisë në shumë drejtime, duke e bërë më të vështirë përfaqësimin parlamentar të secilës prej tyre.
Kështu, paradoksalisht, një proces që nis me pretendimin për të sfiduar dy qendrat kryesore të pushtetit politik, mund të përfundojë duke ua lehtësuar atyre ruajtjen e pozicioneve.
Dhe këtu qëndron thelbi i analizës së sotme. Rama dhe Berisha nuk kanë pse të bien dakord për gjithçka, as të bashkëpunojnë drejtpërdrejt, që fragmentarizimi i alternativës së tretë tu sjellë përfitime politike.
Një opozitë e copëzuar nuk është një opozitë e re. Dhjetë kryetarë të rinj nuk përbëjnë pa tjetër dhjetë ide të reja. Dhe dhjetë parti pa një projekt të përbashkët mund të mos arrijnë atë që nuk e arritën dot as protestat.
Në fund të fundit, nëse këto lëvizje nuk arrijnë të kapërcejnë egon e individëve dhe të ndërtojnë një marrëveshje mbi parime, program dhe përfaqësim, atëherë rrezikojnë të bëhen pjesë e të njëjtit rreth vicioz politik që pretendojnë të ndryshojnë.
Shqipërisë nuk ka nevojë për një garë e re me dhjetë karrige kryetarësh të rinjë.
Shqipërisë i duhet një alternativë politike që të mos jetë as vazhdim i Ramës, as riciklim i Berishës.
Sepse ndryshimi i vërtetë nuk fillon duke shumëfishuar partitë, por duke ndryshuar mënyrën se si bëhet politika!







