Akrobatja e njohur Vitore Sallaku ndërroi jetë dje në moshën 81-vjeçare. Vitore Sallaku ishte një nga themelueset e cirkut shqiptar dhe ka lënë pas një trashëgimi artistike të një niveli shumë të lartë. Artisti Julian Kazazi tha se Vitore Sallkau ishte një artiste me vlera të larta. “Cirkut Kombëtar ju shua dhe një tjetër yll, një artiste me vlera të larta artistike dhe kulturore. Vitore Sallaku , “Mjeshtre e Madhe” e Cirkut Kombëtar, një prej themeluesve të këtij arti kaq të bukur e të dashur nga të gjithë”, shkruan ai në mesazhin e tij për artisten. Ndërkohë që dhe Cirku Kombëtar në faqen e tij publikoi aktivitetin artistik ndër vite të “Mjeshtres së Madhe” Vitore Sallaku, duke u shprehur për një artiste të rrallë.
“Sot u nda nga jeta një grua e rrallë, energjike, artiste e cilësive superiore, një nga themelueset e cirkut shqiptar”, shkruhej dje në faqen e Cirkut Kombëtar. Ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se Vitore Sallaku ishte një artiste e talentuar. “Akrobatja Vitore Sallaku ka lënë pas kaq shumë kujtime të bukura dhe u ka falur kaq shumë gëzim njerëzve, saqë largimi do të jetë vetëm fizik! Ajo ishte dhe do të mbetet një shkollë për brezat e rinj!”, shprehet në një postim në rrjetet sociale ministrja e Kulturës Elva Margariti. Vitore Sallaku ishte bashkëshortja e humoristit të madh Skënder Sallaku, i cili ka ndërruar jetë në shkurt të vitit 2014. Ajo e nisi karrierën e saj në vitin 1952 në Cirkun e Tiranës me Ali Xhixhën. Pastaj në vitin 1956 shkoi në Estradën e Tiranës, pasi fillimisht Cirku ka qenë pjesë e vogël e Estradës. Në vitin 1972 u nda Cirku nga Estrada si një institucion më vete. Sallaku dha kontribut të madh edhe për talentet e reja të cirkut. Në krijimtarinë e saj ajo numëron 6 libra, një prej të cilit ia dedikon bashkëshortit të saj “Artistit të Popullit”, Skënder Sallaku. Puna e saj është vlerësuar, duke marrë disa tituj si “Artiste e merituar” apo dhe “Mjeshtre e Madhe”.