Shkruan Zef Ndreka
Nuk mund të themi se PD-ja zyrtare i ka humbur edhe teorikisht shancet për tu bërë parti e parë opozitare.
Edhe pse marrëveshja Bardhi-Çuçi e minoi tërësisht reformën e pretenduar zgjedhore, duke na kthyer pas në marrëveshjen e vitit 2008 të Berisha-Rama.
Është thënë e stërthënë me qindra herë, se ajo marrëveshje ka qënë “guri i themelit” të kapjes totale të politikës, përmes emërimit dhe kontrollit të deputetëve të Parlamentit.
Makiavelizmi i hershëm, i zbatuar me marrëveshje e ligj që nuk po ndryshon, i trajton deputetët kinse të zgjedhur me vota, si rrogëtarë, si shërbëtor të Berishës nga njëra anë dhe të Ramës nga ana tjetër.
Berishës i intereson ky rikthim pas, apo mos ndryshimi i ligjit ekzistues elektoral. Nqs nuk do ketë zhvillime të pritshme nga drejtësia, nuk do jetë e largët dita, kur Berisha të shpallet deputet duke qëndruar “i burgosur” në tarracën e shtëpisë së tij, pa bërë fushatë!
Lista që do hartohet nga Berisha, do të ketë në zone të sigurtë emrat e servilëve të përjetshëm të tij, besnikët e tij, të korruptuarit e qeverisjes së tij, me të cilët humbi pushtetin në 2013-ën.
Berishës nuk i intereson më rrotacioni, as pushteti! As lufton për këtë. Ai ka arritur të sigurojë përmes Ramës mbijetesë politike vetëm me një grusht deputetësh mbështetës të tij, dhe më e rëndësishmja është se përfundimisht ai e “vulosi” partinë e tij pronë përsonale të cilën do ta trashëgojë familjarisht përmes nipave, si dinasti të re politike siç ka ndodhur rëndom në vendet fqinje si Greqi, Itali e deri në Amerikë…
Por nga ana tjetër, Rama bën llogaritë e tij, pavarësisht marrëveshjes së fundit, për të patur përballë pikërisht Sali Berishën në përballjet e ardhshme elektorale, me sigurinë e fitorës, me vëndosmërinë për të mos ndryshuar status-quonë.
Shancin për të bërë PD-në zyrtare parti të madhe elektorale popullore, kjo parti e ka humbur, për mendimin tim, duke mbetur vetëm shpresë opsioni i mos dorëzimit përballë marrëveshjeve Berisha-Rama.
Për këtë, nevojitët një betejë më e ashpër, si të themi me “shpatë në dore”, e jo duke fjetur, duke heshtur. Nuk ka rrugë tjetër.As përsonale nga ana e Bashës, as nga partia e tij.
PD-ja zyrtare, ka njerëz dhe potenciale plot, që nuk po i shfrytëzon ende për vetën e saj, për ardhmërinë e saj. Dhe kjo është pikëpyetja që realisht më ka munduar e shqetësuar prej dy tre vitësh.
PD-ja ka një shanc në dorë. Rreth 35% e elektoratit opozitarë që nuk mbështet as Berishën as Bashën sipas sondazheve, potencialisht janë kontingjenti më afër PD-së zyrtare. Ky kontingjent është edhe përcaktuesi jo vetëm i fitorës së opozitës, por edhe i qeverisë së nesërme të dalë nga zgjedhjet. Këtu duhet ndalur. Të gjendën mbështetësit e saj, të përsekutuarit, pronarët dhe grupet e interesit.
Pavarësisht situatës së sotme brënda opozitës, objektivi i saj me çdo kusht duhet të jetë marrja e 50 plus 1% e deputetëve për ta nxjerr Ramën në opozitë.
Deri tani, PD-ja zyrtare, e ka humbur shancin për tu bërë parti e madhe falë gafave, heshtjes apo detyrimeve që mund të ketë patur edhe moralisht ndaj palës tjetër. Por një ditë të bie bilbili në çdo lojë dy palëshe!
Pyetja:
– ku të shpie kjo sjellje politike e PD-së zyrtare pa betejë të përditshme frontale ndaj qeverisë nga njëra anë dhe berishizmit nga ana tjetër?!
Nga kjo sjellje, deri më tani “përfiton” vetëm Basha, jo PD-ja zyrtare!
Ndaj duhet ndryshuar “taktika” dhe Kryesia e PD-së duhet të përcaktojë prioritete dhe ta imponojnë e ndihmojnë Bashën, për të mos qenë i vetmi “përfitues”…
Promoted Content