Shkruan Zef Bushati
Dhjetëra Demokristianë, mes tyre edhe Nënkryetari i Aleancës Demokristiane të Shqipërisë (ADK), kanë marrë pjesë në Protestën “Uragani i Rinisë”, jo si përfaqësues të një force politike, por si qytetarë të lirë, duke ushtruar një të drejtë themelore që ua garanton Kushtetuta e Shqipërisë: të protestojnë përballë padrejtësisë dhe abuzimit me pushtetin.
Demokristianët e lirë protestojnë kundër korrupsionit galopant që ka përfshirë qeverisjen, kundër një Ligji Zgjedhor të padrejtë që deformon vullnetin e qytetarëve dhe kundër centralizimit të pushtetit në duart e dy individëve, nën komandën politike të PS-së së Edi Ramës dhe PD-së së Sali Berishës.
Shqipëria ka nevojë për një kurs të ri politik. Pas 36 vitesh alternim dhe bashkëjetesë në pushtet, PS dhe PD e kanë konsumuar besimin e qytetarëve. Në vitin 2013, Partia Demokratike u largua nga pushteti nën hijen e akuzave për korrupsion. Sot, me të njëjtat akuza që rëndojnë mbi qeverisjen e Partisë Socialiste, qytetarët dhe të rinjtë protestues kërkojnë edhe largimin e saj nga pushteti.
Shqiptarët nuk kërkojnë thjesht ndërrimin e emrave në qeveri; ata kërkojnë ndryshimin e sistemit që ka prodhuar korrupsion, padrejtësi dhe përqendrim të pushtetit. Një erë e re po fryn në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Është era e qytetarëve të lirë, e rinisë që nuk pranon të heshtë dhe e shqiptarëve që kërkojnë një demokraci të vërtetë, një shtet të së drejtës dhe një Shqipëri ku pushteti t’i shërbejë qytetarit, jo vetvetes.







