Shkruan Zef Ndreka
Agron Shehaj të hetohet deri në fund dhe ti hiqet imuniteti.
Siguria kombëtare nuk është pronë e asnjë partie politike, por themeli mbi të cilin ndërtohet vetë shteti. Pikërisht për këtë arsye, çdo dyshim për keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara nga një funksionar publik, e aq më tepër nga një deputet si Agron Shehaj, duhet të trajtohet me seriozitet maksimal dhe të hetohet deri në fund.
Pamjet e publikuara, të cilat kanë ngjallur debat të gjerë publik, nuk mund të kalojnë si një episod i zakonshëm parlamentar. Deputeti Agron Shehaj ka marrë ose ka administruar dokumente të klasifikuara në kundërshtim me rregullat ligjore dhe këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një shkelje të etikës parlamentare, por me një çështje që prek besimin e qytetarëve tek institucionet dhe potencialisht edhe sigurinë kombëtare.
Pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia nuk mund të kufizohet vetëm në masa disiplinore të Kuvendit, nëse organet kompetente konstatojnë se ka elemente të një vepre penale.
Çfarë ndodhi në zyrat e Parlamentit?
Dokumentet e klasifikuara, si u administruan?
A u kopjuan dhe nëse u shpërndanë nga deputeti në fjalë, a u cenua ndonjë interes i Republikës së Shqipërisë apo i partnerëve strategjikë?
Këto janë çështjet që duhet tu përgjigjen vetëm hetimet e pavarura dhe jo polemikat politike.
Në çdo shtet demokratik, askush nuk mund të shpallet fajtor vetëm mbi bazën e perceptimeve apo të pamjeve të publikuara. Por nga ana tjetër, askush nuk duhet të mbrohet nga përgjegjësia vetëm për shkak të mandatit të deputetit. Nëse ekzistojnë prova të mjaftueshme për një vepër penale, ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë, duke përfshirë edhe procedurat për heqjen e imunitetit parlamentar, sipas Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi.
Besimi i qytetarëve tek shteti nuk mbrohet me heshtje, as me ndëshkime simbolike 60-ditore, por me transparencë, me hetim të plotë dhe me zbatim të barabartë të ligjit. Vetëm një proces i paanshëm mund të sqarojë përgjegjësitë dhe të garantojë se siguria kombëtare nuk përdoret si instrument i luftës politike, por mbrohet si interesi më i lartë i Republikës.







