Shkruan Zef Ndreka
A po përdoret drejtësia nga klane politike, nga interesa të pushtetit apo edhe nga mllefe personale?
Kjo është pyetja që sot nuk mund të mbyllet me një përgjigje të thjeshtë, por është pyetja që shoqëria duhet ta bëjë sa herë një masë e jashtëzakonshme sigurie prek një figurë të lartë të shtetit dhe bashkë me të, vetë perceptimin publik mbi institucionet e drejtësisë.
Rasti i Vlora Hysenit është pikërisht një nga këto raste.
Le të jemi të qartë:
Nëse ish-drejtuesja e SHISH-it ka nxjerrë informacion të klasifikuar, ka favorizuar persona të përfshirë në veprimtari kriminale apo ka cenuar sigurinë kombëtare, kjo duhet hetuar deri në fund dhe përgjegjësia duhet të jetë individuale. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, aq më pak një drejtues i një institucioni të sigurisë kombëtare.
Por drejtësia nuk matet vetëm me faktin se a u arrestua apo u ndalua ndonjë përson konkret. Ajo matet më tepër me arsyen, proporcionalitetin dhe domosdoshmërinë e masës së arrestit.
Këtu lindin pyetjet.
Pse duhej një masë kaq urgjente?
Çfarë rreziku konkret paraqiste Hyseni në atë moment?
A ekzistonte rreziku i prishjes së provave, i ndikimit mbi dëshmitarët, i arratisjes apo i përsëritjes së veprës?
Dhe, mbi të gjitha, çfarë provash të tjera ekzistojnë që publiku ende nuk i njeh?
Këto janë pyetje legjitime, jo për të mbrojtur aspak një person nën hetim.
Sipas të dhënave publike, masa “arrest në shtëpi” ishte caktuar më 21 shtator dhe më pas, më 24 shtator, GJKKO vendosi vijimin e saj. Vetë gjykata ka ndaluar publikimin e vendimit deri në përfundimin e hetimeve paraprake.
Prandaj sot nuk kemi të gjithë tablonë për të dhënë një gjykim përfundimtar mbi domosdoshmërinë e arrestit.
Por pikërisht mungesa e plotë e informacionit e bën edhe më të rëndësishme transparencën institucionale.
Sepse ekziston një dallim shumë i madh midis drejtësisë që vepron me prova dhe drejtësisë që perceptohet se vepron përmes spektaklit të masave të sigurisë.
Nëse provat janë të forta, ato do të flasin në proces. Nëse rreziku ekzistonte realisht, arsyetimi juridik duhet ta shpjegonte atë. Nëse masa ishte e domosdoshme, proporcionaliteti i saj duhet të ishte i argumentuar.
Ndryshe, krijohet një problem shumë më i madh se vetë dosja, pasi krijohet dyshimi se masat e sigurisë mund të përdoren edhe si instrument presioni, goditjeje institucionale apo prodhimi të një efekti politik.
Ky është një precedent që duhet parë me shumë kujdes, pasi nuk është e rëndësishme a ka bërë faj Vlora Hyseni!
Sepse këtë do ta përcaktojë gjykata mbi bazën e provave. Por më e rëndësishme është a po përdoret masa e arrestit gjithmonë sipas nevojës reale të procedimit penal dhe me proporcionalitetin e kërkuar nga ligji?
Kjo në fakt është pyetja për vetë sistemin e drejtësisë.
Nëse një model i tillë përsëritet ndaj figurave të tjera publike, pa u bërë i qartë rreziku konkret që justifikon masën, atëherë do të lindë natyrshëm debati mbi politikën penale të shtetit dhe mbi kufirin midis nevojës për të luftuar krimin dhe përdorimit të masave të forta si instrument institucional.
Prandaj edhe ideja se “me dosjet e prokurorisë po bëhet politikë” nuk duhet as të pranohet si fakt dhe as të hidhet poshtë me arrogancë. Ajo duhet verifikuar ose rrëzuar me prova.
Drejtësia nuk mund të ketë nevojë për propagandë, por ka nevojë për prova, për arsyetim dhe transparencë.
Rasti i Vlora Hysenit mund të ketë dy dimensione të ndryshme. Njëri është penal, nëse janë kryer vepra penale, përgjegjësit duhet të përgjigjen. Tjetri është institucional, pra, si përdoren masat e sigurisë dhe çfarë standardi vendos kjo praktikë për rastet e ardhshme?
Pikërisht këtu duhet të jemi të ftohtë.
As mbrojtje politike për të pandehurin, as dënim politik përpara gjykimit.
Asnjë individ nuk duhet të jetë mbi drejtësinë, por as drejtësia nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Në fund të fundit, rreziku më i madh nuk është vetëm kur krimi depërton në shtet. Rreziku është edhe kur qytetari fillon të besojë se lufta kundër krimit mund të shndërrohet në luftë politike.
Sepse në atë moment dëmtohet jo vetëm personi, por dëmtohet besimi tek vetë drejtësia.







