Shkruan Ndue Lazri
Është si gjithnjë ai ambient i ngrohtë që jemi mësuar të gjejmë në Shoqatën “Shqiponja” të Reggio Emilias, themeluar e drejtuar nga sipërmarrësi i suksesshëm shqiptar, Klodian Cami. Ndërsa hyjmë në sallë bashkë me Mozën dhe miqtë tanë Xhemal e Lutfie Hyzoti, me të cilët kemi ardhur që nga Trentino, aktivistët e palodhur të shoqatës, Sugarja, Arieta, Niku e Gjovalini janë duke bërë zbukurimet e fundit.

Salla mbushet dalëngadalë. Prindër që kanë mbyllur një javë pune, fëmijë të veshur me ngjyrat kuqezi, me flamuj e tollumbace në duar, artistë, shkrimtarë e poetë, mysafirë që kanë ardhur edhe nga zona të tjera si Milano, Trentino, Treviso, Parma etj. Anëtarët e ekipit të futbollit “Shqiponja”, të rinj energjikë e gazmorë, që kanë arritur suksese në kampionatin në vazhdim, janë gjtihnjë të pranishëm në aktivitetet e shoqatës, ashtu si anëtarët e shoqatës e ndjekin dhe inkurajojnë ekipin në ndeshjet e tij Kanë ardhur edhe drejtues e anëtarë të shoqatës së emigrantëve kosovarë “Zëri i Atdheut” etj. Zëmë vend në një tavolinë bashkë me imprenditorin shqiptar në Trentino Gentian Shero, që ka ardhur me familjen e tij dhe kushëririn nga Treviso, si dhe me shkrimtarin Robert Shkurti.

Presidenti i shoqatës, Klodian Cami, hyn në sallë bashkë me senatoren e Senatit Italian Erica Mazzetti, deputeten e parlamentit italian dhe koordinatore e Forza Italia, Rosaria Tassinari si dhe aktivistë e eksponentë të PD.
Dhe mbrëmja fillon. Ekzekutohen himnet kombëtare të Shqipërisë e Italisë. Senatorja italiane, Erica Mazzetti, duke përshëndetur të pranishmit, foli për rëndësinë e integrimit të shëndoshë të emigrantëve si një forcë e madhe e aktive në jetën ekonomike e shoqërore të Italisë dhe përgëzoi shembullin e mirë të shoqatës “Shqiponja” në këtë drejtim. -Ne jemi pranë jush,-tha ajo,-dhe kur të keni nevojë mjafton të na thërrisni.

Mjaftuan notat e para të këngëve patriotike shqiptare e kosovare dhe zëri i këngëtarit të shquar Arif Vladi, që atmosfera në sallë të ndizej dhe hareja e valles të përfshinte të mëdhenj e të vegjël. Legjenda e këngës dibrane dhe shqiptare, Arif Vladi, edhe pse vitet kalojnë, e ka ruajtur zërin dhe forcën interpretuese në skenë. Edhe me lëvizjet e tij, ai di ta evidentojë emocionin dhe mesazhin që përcjell fjala e fuqishme në këngët që interpreton.

Bashkë me këngëtaren Eglantina Toska, një e re me diapazon të gjerë të interpretimit të këngëve popullore të krahinave të ndryshme, ditën t’i japin mbrëmjes një bukuri e gjallëri të veçantë deri në orët e vona.
Në një moment patëm kënaqësinë ta kishim Arifin në tavolinën tonë dhe biseduam edhe për mundësinë e një koncerti në zonën e Trentinos, gjë të cilën ai e priti me shumë kënaqësi.
Kjo mbrëmje në folenë e Shqiponjës iu shtua aktiviteteve të bukura atdhetare që di të organizojë kjo shoqatë, duke tërhequr pranë vetes sa më shumë anëtarë të komunitetit shqiptar në Reggio Emilia.
Promoted Content