Shkruan Qamil Gjyrezi
Radio Shkodra është një nga institucionet më të rëndësishme mediatike dhe historike në qytetin e Shkodrës dhe në mbarë Shqipërinë. Rrugëtimi i saj i vjetër si radiostacion i dytë në vend filloi zyrtarisht më 13 maj 1945. Kompozitori kombëtar Cesk Zadeja ka qenë përgjegjës i muzikës në ‘Radio Shkodra’në vitin 1945. Vasil S. Tole në librin e tij: Cesk Zadeja – Jeta dhe vepra, Tiranë 2022 shkruan: ‘Për krijimin e Radio Shkodrës u shfrytëzua një raditransmetues me valë të shkurtëra i mbetur nga ushtria italiane. Ishte nisma e intelektualit shkodran Gjovalin Luka i cili së bashku me inxhinierin kroat Stane Hajushek dhe dy teknikët shiptarë Mati Jubani dhe Ndoc Cikliqi e vunë atë në punë. Pavarësisht se data zyrtare e krijimit të saj citohet viti1945, nata e parë e Krishlindjes e vitit1944 mbahet si dita e parë e transmetimit të saj. Në mënyrë të veçantë intitucioni i Radio Shkodrës mundësoi kultivimin e muzikës vokale dhe instrumentale përmes ngritjes së formacioneve instrumentale dhe ansambleve vokale pranë saj.
Në Autobiografinë e Zadejës gjejmë këto të dhëna…më 1945, me krijimin e Radio Shkodrës fillova punën si përgjegjës i muzikës. Këtu u njoha për së afërmi me grupet popullore që u aktivizonin vazhdimisht në koncerte, u afrova me kënaqësi të veçantë me repertorin e tyre, që sigurisht i njihja edhe më parë, por më tepër hyra, si të themi, në botën e këtyre interpretuesve të talentuar, me individualitetin interpretues të tyre ku mësova shumë. Këtu drejtoja orkestrën dhe solistët që jepnin gjithashtu programet e veta. Në këtë atmosferë entuziaste u krijuan edhe punimet e para të këngëve të Tish Daias, Simon Gjonit, Leonard Dedës etj. Këngë të ndiera origjinale, me përmbajtje qytetare dhe shumë të kapshme. Tole vazhdon më poshtë: ‘Krijimi i Radio Shkodrës u mirëprit nga qytetarët dhe dëgjuesit e saj të shumtë. Një staf prej profesionistësh u angazhua nën drejtimin e drejtorit të parë të radios Kol Luka. Prej fillimit u huazua një piano koncertale dhe aty luanin direkt pjesë klasike mjaft pianist, ndër ta edhe Cesk Zadeja. Nën shembullin e formacioneve të Radio Tiranës, drejtpërsëdrejti luante muzikë edhe orkestra e Radio Shkodrës dhe orkestrina popullore si dhe mjaft këngëtarë popullorë e lirikë si Kolë Gurashi, Paulin Pali, File Gjeloshi, Klotilde Shantoja, Florinda Gjergji etj.
Duke u kthyer në periudhën e punës pranë Radio Shkodrës, theksojmë se orkestrina e drejtuar prej tij, një pjesë të repertorit që interpretonte i dedikohej këngëve popullore, atyre të ahengut shkodran si dhe këngëve partizane. Pjesa tjetër ishte krijimtari e tij dhe e shokëve muziktarë si: Tish Daija, Paulin Pali, Simon Gjoni, Ndoc Shllaku, Leonard Deda etj. Përmenden krijimet e kësaj periudhe si ‘Krushqëve’ e Tish Daisë, ‘Te kroni’ dhe ‘Cikë e mirë’ e Jakovës dhe ‘Lule Borë’ e Simon Gjonit etj. Pjesë e pandarë e aktivitetit të tij në këtë periudhë ishte edhe ruajtja e kontakteve me muziktarët e shquar shkodranë, ndër ta Prenkë Jakova si dhe kardinali i ardhshëm Mikel Koliqi, i cili pas daljes së parë nga burgu në vitin 1951 një pjesë të kohës e kalonte në takime me muziktarë shkodranë. Midis tyre ishte edhe Tonin Harapi dhe Tonin Guraziu, me të cilët bisedonte për muzikën shqiptare e cila në ato vite kishte filluar të zhvillohej me baza profesionale’.
https://www.vasiltole.com/?product=cesk-zadeja-ne-muziken-shqiptare-jeta-dhe-vepra







