Lindita Nikolla mban peng zbatimin e vendimit të Kushtetueses për Olta Xhaçkën

0

Shkruan Blerina Gjoka-BIRN

Në fund të muajit janar Gjykata Kushtetuese shfuqizoi si antikushtetuese dy vendime të Kuvendit për të bllokuar dërgimin në këtë gjykatë të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, por 8 muaj më pas këto vendime nuk janë zbatuar ende nga Kuvendi.

Në fillim të korrikut Këshilli i Legjislacionit, pasi mbajti në shqyrtim për disa muaj këto vendime, doli me dy raporte për Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, si autoritet ligjor që do të vendosë për hapat e tjerë që do të ndjekë Kuvendi.

Raporti i mazhorancës i sugjeronte rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa mendimi i pakicës sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.

E pyetur nga BIRN se pse nuk ishte ndërmarrë asnjë hap i mëtejshëm për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kryetarja e Kuvendit u justifikua me axhendën e ngjeshur në fillim të sesionit parlamentar.

Shefi i i saj i kabinetit, Kosta Bajraba, tha se ‘Kryetarja e Kuvendit do të thërrasë së shpejti Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit për ta shqyrtuar çështjen në frymën e vendimit të GJK-së’. Ai shtoi se nuk ka qenë e mundur thirrja e këtij këshilli më herët ‘për arsye të kalendarit të ngjeshur të punës’.

Por, ky argument nuk është bindës për kryetarin e grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, i cili i tha BIRN se ka kërkuar zyrtarisht dhe ka ngritur shqetësimin që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

‘E kam kërkuar vazhdimisht këtë çështje në Konferencën e Kryetarëve’-tha ai, duke shtuar se, -’moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është një akt që cenon rëndë shtetin ligjor’.

Sipas Bardhit, zbatimi i vendimit kërkon që Kryetarja e Kuvendit ta përfshijë këtë çështje në seancë plenare dhe Kuvendi të vendos dërgimin e çështjes për gjykim në Kushtetuese.

Me dy mocione të njëpasnjëshme në qershor dhe korrik të 2022 deputetët e opozitës kërkuan heqjen e mandatit të deputetes socialiste, pasi bashkëshorti i saj, ish-deputeti socialist Artan Gaçi, u shpall investitor strategjik.

Këshilli i Mandateve pas disa muajsh debate doli me dy raporte dhe në nëntor 2022 mazhoranca votoi kundër dërgimit të papajtueshmërinë së mandatit në Kushtetuese.

Të dyja grupimet e Partisë Demokratike iu drejtuan me kërkesa të veçanta Kushtetueses duke kërkuar rrëzimin e vendimit të Kuvendit dhe interpretimin në themel të çështjes.

Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e 1/10 së deputetëve dhe riktheu çështjen në Kuvend, duke e cilësuar antikushtetues vendimin e mazhorancës që bllokonte dërgimin e çështjes në Kushtetuese.

Në vendimin tjetër, Gjykata Kushtetuese pushoi kërkesën e 1/5 së deputetëve që kërkonin trajtimin në themel të çështjes dhe marrjen e një vendimi për papajtueshmërinë e mandatit, duke mos e legjitimuar si subjekt që vë në lëvizje gjykatën për këtë çështje.

Xhaçka mbante detyrën e Ministres së Jashtme deri në fillim të shtatorit, kur kryeministri Edi Rama njoftoi shkarkimin e saj pa asnjë argumentim.

Statusi ‘investitor strategjik’ për bashkëshortin e saj u firmos nga Rama dhe disa ministra, anëtarë të Komitetit për Investimet Strategjike, ndërsa më vonë me vendim qeverie iu dha e drejta e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit dhe plazhit përballë hotelit.

Nëpërmjet një avokati Xhaçka u mbrojt para Këshillit të Mandateve se kishte deklaruar ‘konfliktin e interesit’ dhe nuk kishte marrë pjesë në atë mbledhje.

Kompania e Gaçit mori në mars të vitit 2021 statusin ‘investitor strategjik’, por në korrik 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike ia kaloi përfitimet e statusit, kompanisë ‘AGTÇ Hotel Managment’, që më pas u zbulua se i përkiste kunatës së Xhaçkës.

Statusi ‘investitor strategjik’ parashikon përfitime publike për fituesin, reduktim të TVSH-së, procedura të përshpejtuara administrative, akses në infrastrukturë dhe rrjetin elektrik, si dhe përdorimin e tokës shtetërore si plazh para hotelit.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu