Lotët e dhimbjes biblike në art, “Shkëputja nga Kryqi”, një nga kryeveprat e Rogier van der Weyden

0
Shkruan Albert Vataj
“Shkëputja nga Kryqi” është një pikturë e artistit flamand, Rogier van der Weyden. Pretendohet se vepra është realizuar në vitin 1435. Pas një vargani të gjatë peripecishë të poseduesit të saj, aktualisht ajo ndodhet në Museo del Prado, Madrid. Në këtë vepër të të mirënjohurit Rogier van der Weyden, tregohet, Krishti i kryqëzuar, që është zbritur nga kryqi. Trupi i tij i pajetë i mbajtur nga Joseph i Arimathea dhe Nikodemus, tregohet përmes një shkrehjeje blatuese e hyjt. Vullneti i të dërguarit të krijuesit, i ishte dhënë vdekjes si dëshmi e shlyerjes së një bote mekatnore, dhe se pikëllimi që trondit në këtë tablo është vetë qielli që zbret për të njomur plagët e kryqit dhe zhuritjen e shpirtrave.
Ky jetësim, i një prej momenteve kyçe të historisë së Krishtërimit, është përcjellë me një dramacitet të pashembullt. Dhimbja dhe lotët, janë detaje që bëjnë dallimin prej shumë veprave që e kanë trajtuar këtë moment, e kanë jetësuar atë nga të tjerë mbretër të penelit.
Lotët, kanë mbërritur deri në ditët e sotme, duke sfiduar afro 6 shekuj, me atë kthjelltësi dhe shkujdesje, me atë valë përvëluese pikëdhimi.
Shën Maria, ka ardhur me një të mërmertë të akullt, me një trishtim që nuk përngjason në asnjë të mëhershëm dhe të mëvonë, që u rrekën të plazmonin në eterin e krijimit, dramacitetin e këtij momenti.
Kjo punë u realizua në fillim të karrierës së Rogier van der Weyden, fare pak kohë pasi mbaroi periudhën e kualifikimit të tij nga Robert Campinin, një personalitet i asokohshëm i pikturës, i cili la gjurmë të pashlyra te mjeshtri i ardhshëm flamand.
Në këtë tablo, një vdekje shndërruese, ka marrë në krahë jo vetëm Jezu Krishtin, por edhe nënën e tij, e cila vjen përmes kësaj pune në një dualitet shuarje dhe hyjnizimi përmes sakrificës. Pozicioni i shkrehjes është i njëjtë si i Jezusit që është zbritur nga kryqi. Maria, pranë tij, mban veshur një mantel ngjyrë blu të thellë. Diçka e themeltë brenda Saj është shuar, duke fikur edhe çdo dritë jete tokësore edhe në Të. Jo vetëm pikëllimi dhe dhimbja e një nëne, por vetë misioni i saj është në këtë trajtesë, një mëkim i përplotësuar i gjithë asaj game elementesh përbërëse që e vërteta biblike perceptohet kësisoj nga Rogier van der Weyden.
Historianët e artit kanë komentuar se kjo ishte padyshim piktura më frytdhënëse holandeze e kryqëzimit të Krishtit dhe se e tillë ishte kopjuar dhe përshtatur në një shkallë të madhe në dy shekuj pas përfundimit të saj.
Ndikimi emocional i vajtuesve të dhimbshëm që trishtohen për trupin e Krishtit dhe përshkrimi i hollë i hapësirës në veprën e Van der Weyden, kanë gjeneruar komente dhe kritike të pafundme. Një nga zërat e përfshirë në këtë betejë ishte Erwin Panofsky, i cili ka thënë: “Mund të thuhet se lotët e pikturuara janë një nga perlat e ndritshme që lindin nga emocione të forta, ato që pëlqyen më së shumti italianët te piktura e hershme flamande: shkëlqim në pikturë dhe ndjenja shpërthyese dhe tejet të gjalla, përshkuese”.
Pak kanë mundur të mos përloten prej këtyre lotëve. Të gjithëve na përket kjo sakrificë dhe na shpërblen ringjallja.
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu