Shkruan Konstantin Luci
Mesatarisht, çdo ditë në botë vriten rreth 16 të krishterë vetëm sepse besojnë në Krishtin, një shifër që në një muaj përkthehet në afro 500 jetë të humbura për shkak të besimit, dhe kjo nuk është thjesht një statistikë e ftohtë që kalon në raportet e organizatave ndërkombëtare, por një alarm i përditshëm që bie fort e megjithatë shumica zgjedh të mos e dëgjojë, ta anashkalojë apo ta relativizojë si një problem të largët që nuk na përket. Në Nigeri kjo dhunë ka marrë përmasa të një spastrimi të ngadaltë por të vazhdueshëm, ku fshatra të tëra sulmohen në mes të natës, kisha digjen me besimtarët brenda, gra e fëmijë masakrohen dhe tokat u merren, ndërsa autorët nuk fshihen aspak: militantët e armatosur të Fulani-t dhe grupet ekstremiste si Boko Haram veprojnë hapur me një strategji të qartë për të fshirë çdo gjurmë të pranisë së krishterë, dhe e gjithë kjo tragjedi zhvillohet para syve të botës ku reagimi ndërkombëtar mbetet minimal, diplomatik, thuajse inekzistent, duke e kthyer heshtjen në formën më të rrezikshme të bashkëpunimit. Në Somali persekutimi merr një fytyrë tjetër, më të heshtur por po aq vdekjeprurëse, sepse aty liria fetare është vetëm një fjalë boshe në kushtetutë: të ndërtosh një kishë dënohet me ligj, të festosh Krishtlindjet do të thotë të firmosësh dënimin tënd, të deklarosh publikisht se je i krishterë është një akt vetëvrasjeje, prandaj besimi jetohet në katakombet moderne të shtëpive, me Bibla të fshehura dhe lutje të pëshpëritura, jo vetëm nga frika e milicive të Al-Shabaab-it, por sepse vetë strukturat shtetërore bëjnë gjithçka për ta mbuluar këtë realitet, duke mos ofruar asnjë raportim, asnjë mbrojtje dhe asnjë zë për ata që vuajnë në heshtje. Por Nigeria dhe Somalia janë vetëm maja e dukshme e një akullnaje shumë më të madhe që shtrihet në Burkina Faso ku xhihadistët djegin shkolla dhe vrasin mësues vetëm pse mësojnë fëmijët të këndojnë, në Tanzani ku komunitetet e krishtera sulmohen gjatë meshës, në Mozambik ku provinca e Cabo Delgado-s është kthyer në varrezë për qindra besimtarë, dhe në dhjetëra vende të tjera ku të jesh i krishterë do të thotë të jetosh me objektiv në shpinë, ku dhuna është e përditshme, e planifikuar dhe në jo pak raste e toleruar apo e mbështetur nga pushtetet lokale që përfitojnë nga kaosi, dhe këta njerëz nuk kërkojnë privilegje, nuk kërkojnë pushtet, nuk kërkojnë hakmarrje, kërkojnë vetëm të drejtën më themelore të njeriut: të besojnë në paqe, por as kjo nuk u lejohet. Ajo që trondit më shumë se vetë dhuna është harresa kolektive me të cilën shoqërohet, sepse persekutimi ndaj të krishterëve ka një cikël të parashikueshëm në median botërore: një masakër bën lajm për një ditë, zëvendësohet nga një krizë politike të nesërmen, mbulohet nga një skandal i radhës dhe vuajtja e tyre kthehet përsëri në hije, dhe kjo nuk është rastësi apo neglizhencë, është një harresë e qëllimshme, një mekanizëm për ta zhvendosur vëmendjen publike, për t’i bërë viktimat të padukshme, që të mbeten të vetmuara, të pambrojtura dhe përfundimisht të harruara nga ndërgjegjja globale. Lutem që kjo të ndryshojë, dhe edhe nëse duket një betejë e humbur përballë interesave gjeopolitike dhe indiferencës, diçka duhet të ndodhë sepse nuk mund të rrimë duarkryq duke numëruar viktima në fund të çdo viti; të krishterët e persekutuar kanë nevojë për ne më shumë sesa ne e pranojmë, sepse ata janë prova e gjallë që besimi nuk vdes edhe kur digjet, pritet dhe persekutohet, dhe pikërisht për këtë forcë që ata manifestojnë në dobësinë e tyre, kanë nevojë për mbështetjen tonë, për zërin tonë në forumet ku vendoset, për veprat tona konkrete që shkojnë përtej një postimi në rrjete sociale. Mund të jetë e pakëndshme për shumë veshë ta dëgjojnë, mund të quhet alarmizëm apo ekzagjerim, por realiteti në terren nuk njeh korrektesë politike: nëse nuk veprojmë sot me lutje, me denoncim, me presion ndaj qeverive dhe me ndihmë direkte, nesër nuk do të ketë më komunitete të krishtera në shumë nga këto vende, dhe nuk do të zhduken sepse hoqën dorë nga Krishti përballë shpatës, por sepse bota e lirë hoqi dorë nga ata përballë rehatisë së saj; ndaj kemi detyrimin moral dhe shpirtëror që nuk na e heq askush: të veprojmë, të lutemi, të flasim dhe mbi të gjitha të mos harrojmë, sepse heshtja jonë sot është certifikata e braktisjes së tyre nesër.







