Kreu Analizë Zgjedhja e Presidentes, më shumë se fundi i një ngërçi

Zgjedhja e Presidentes, më shumë se fundi i një ngërçi

0
5

Shkruan Zef Ndreka

Zgjedhja e Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, pas një periudhe të gjatë ngërçi politik, është momenti kur politika kosovare, kuptoji se shteti është më i rëndësishëm se protagonizmat partiake.
Fakti që zgjedhja u bë në minutat e fundit, kur Kosova rrezikonte të hynte sërish në një cikël zgjedhor, tregon njëkohësisht dy gjëra shumë të rëndësishme. Tregon sa e brishtë është ende marrëveshja politike në Prishtinë, por edhe se në momentin e fundit, forcat politike mund të gjejnë një pikë të përbashkët kur përballë tyre vendoset interesi i shtetit.
Vjosa Osmani, pavarësisht rezervave dhe kritikave që mund të ketë ndaj saj secila forcë politike, e ka dëshmuar se posti i Presidentit në Kosovë nuk mund të jetë vetëm dekor institucional, por një pikë ekuilibri, një përfaqësues i interesit shtetëror dhe mbi të gjitha një zë i Kosovës në botën demokratike.
Kosova nuk ka luksin të humbasë më kohë në konflikte të pafundme institucionale. Vendi po përballet me sfida të mëdha, me konsolidimin e demokracisë, me forcimin e shtetit ligjor, me zhvillimin ekonomik, me marrëdhëniet me aleatët strategjikë, me dialogun me Serbinë, me procesin e integrimit evropian dhe me forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare.
Prandaj, zgjedhja e Presidentes po shihet jo vetëm si përfundim i një procedure kushtetuese, por më.tej, si një mundësi për të hapur një kapitull të ri politik.
Është e rëndësishme edhe profili i Presidentes së re. Përvoja e saj politike dhe akademike, nga shërbimi në kabinetin e Hashim Thaçit deri te drejtimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, përbën një kombinim që mund ti japë institucionit presidencial një dimension më të gjerë se ai partiak. Akademia, politika dhe diplomacia janë fusha të ndryshme, por në Kosovë që kërkon konsolidim ndërkombëtar, eksperienca në këto hapësira mund të shndërrohet në një avantazh.
Por zgjedhja e Presidentes nuk e zgjidh automatikisht krizën politike. Ajo vetëm krijon kushtin që kriza të kapërcehet.
Tani duhet të fillojë pjesa më e vështirë e Kosovës që është qeverisja.
Kosovës i duhet një politikë që të mos i shohë institucionet si trofe partie. Kosovës i duhet një marrëdhënie më normale ndërmjet Presidentes, Qeverisë dhe Kuvendit. Kosovës i duhet një opozitë që të jetë e fortë, por edhe konstruktive kur bëhet fjalë për interesat strategjike të shtetit. Mbi të gjitha, Kosovës i duhet një qeveri që të kuptojë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian nuk janë çështje sjelljesh, por pjesë e arkitekturës së sigurisë dhe të së ardhmes së Kosovës.
Kosova e ka fituar lirinë me një çmim të jashtëzakonshëm. Pavarësinë e ka mbrojtur me luftë, me sakrifica njerëzore dhe më pas me një betejë të gjatë diplomatike.
Sot sfida tjetër është ta shndërrojë shtetin e fituar me aq mund në një shtet funksional, demokratik, ekonomikisht të qëndrueshëm dhe të integruar në familjen euroatlantike.
Kjo kërkon më pak konflikte politike dhe më shumë përgjegjësi shtetërore.
Zgjedhja e Presidentes në minutat e fundit mund të jetë një sinjal pozitiv. Por ajo do të marrë vlerë të vërtetë vetëm kur pas saj vjen një kulturë e re politike me dialog në vend të bllokimit, me kompromise në vend të ultimatumeve dhe me interes kombëtar në vend të llogarive të ngushta partiake.
Kosova më shumë se asnjëherë ka nevojë për stabilitet, për reforma, për zhvillim dhe miqësi të forta ndërkombëtare. Kosova ka nevojë për një politikë që të mos harrojë se Prishtina nuk është vetëm arena e betejave të brendshme politike, por është kryeqyteti i një shteti të ri që ende kërkon konsolidim dhe njohje të plotë ndërkombëtare.
Në këtë kuptim, zgjedhja e Presidentes mund të jetë më shumë se fundi i një ngërçi. Mund të jetë fillimi i një normalizimi politik.
Kështu, Kosova pas kaq shumë muajsh të humbur në krizë institucionale, ka nevojë të ecë përpara, pa u kthyer tek kutia e votimit.
Kosova ka nevojë për punë, për reforma dhe integrim euroatlantik.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu