Kreu Blog Faqe 106

Shëmben 155 ndërtime pranë aeroportit

0

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar edhe këtë të mërkurë aksionin për prishjen e objekteve pa leje në zonën përreth Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas.

Deri më tani, janë çmontuar dhe prishur rreth 155 objekte shërbimi, kryesisht struktura njëkatëshe të ndërtuara në mënyrë të paligjshme.

Aksioni ka nisur më 19 shtator 2025, me qëllim pastrimin e kësaj zone strategjike nga ndërhyrjet informale që cënojnë si sigurinë aeroportuale, ashtu edhe imazhin urban të një prej pikave më të rëndësishme të hyrje-daljeve ndërkombëtare në Shqipëri.

Sipas njoftimit zyrtar të IKMT, objektet e prishura janë përdorur për veprimtari tregtare apo shërbimesh, por nuk posedonin leje ndërtimi dhe përbënin rrezik për mbarëvajtjen e aktivitetit aeroportual.

“Aksioni do të vijojë deri në pastrimin e plotë të zonës, duke synuar rikthimin e kontrollit ligjor dhe estetik në një nga hapësirat më të rëndësishme të vendit”, thuhet në deklaratën e IKMT-së.

PD çetë hajdutësh milionerë. i intereson të jetë në opozitë

0

Analisti dhe gazetari Ilir Yzeiri thotë se Partia Demokratike në opozitë nuk ka frymë dhe nuk i intereson që të marrë pushtetin.

I ftuar në një emision televiziv, Yzeiri e quajti një “çetë” opozitën, sipas tij me milionerë të cilët janë mbledhur rreth Sali Berishës.

Yzeiri shprehet se opozitës që drejtohet nga Partia Demokratike nuk i intereson që të fitojë pushtetin, por sipas tij, synon të qëndrojë në opozitë.

“Ne sot nuk kemi opozitë, kemi një çetë, milionerësh të mbledhur rreth Sali Berishës. Këta kanë zaptuar opozitën shqiptare dhe kanë zënë vendin atje, kanë shpallur opozitën e përjetshme dhe nuk ka vullnet për të ndryshuar pushtetin. Ajo është bërë palë në bashkëqeverisje duke shfrytëzuar benefitet që mund të ketë si të qenit partia kryesore e opozitës. Kontrollon qeverisjen për të marrë pjesë në tortën e tenderave, në Shqipëri është shuar ideja se pushteti mund të ndërtohet me anë të opozitës. Kjo opozitë e ka shpallur edhe vetë që nuk është në idealin e saj marrja e pushtetit, qëllimi i saj është të rrijë kështu si është. Nga e djathta në Shqipëri nuk po del një njeri që ta riorganizojë. Tani mendoj që Lulzim Basha paska qenë njeriu i duhur që mund ta mbante të bashkuar PD-në”, tha analisti Ilir Yzeiri.

Ukraina nën sulmet ruse, në Perëndim rriten kërkesat për bunkerë privatë

0

Një sulm rus në qytetin juglindor të Zaporizhisë në Ukrainë vrau tre persona dhe plagosi dy të tjerë, thanë zyrtarët ukrainas.

“Mëngjesi i së hënës në Zaporizhzhia filloi me shpërthime dhe zjarre,” shkroi Guvernatori Ivan Fedorov në Telegram, përcjell A2.

Ai tha se forcat ruse përdorën të paktën 10 bomba ajrore në sulmin ndaj qytetit me rreth 700 000 banorë. Sulmi dëmtoi 15 ndërtesa apartamentesh dhe 10 shtëpi private, si dhe ndërtesa jo-rezidenciale, tha ai. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se rrëzuan 132 dronë të lëshuar nga Rusia gjatë natës dhe regjistruan goditje të nëntë dronëve në shtatë vende.

Në rajonin verilindor të Sumy, sulme të ndryshme me dronë plagosën dy persona gjatë së dielës, përveç dëmtimit të infrastrukturës civile dhe shtëpive private, tha Guvernatori Oleh Hryhorov. Sulmi në rajonin e Kievit plagosi një person dhe dëmtoi ndërtesa apartamentesh dhe shtëpi private, sipas shërbimeve të emergjencës.

Sakaq, në Perëndim çdo gjë po ndryshon. Duke pasur parasysh situatën politike globale, dhe provokimet e fundit me dronë nga ana e Rusisë në Poloni dhe Estoni, kërkesa private për bunkerë të vegjël është rritur. Prodhuesi BSSD Defence ka parë një rritje prej 50 përqind të kërkesave që nga janari, citon media gjeman “Bild”.

Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Mario Piejde, më shumë se gjysma e pyetjeve vijnë nga kompani dhe pronarë. “Kompanitë na telefonojnë sepse duan bunkerë për punonjësit e tyre në ambientet e tyre”. Pronarët e shtëpive po pyesin gjithashtu për strehimore për qiramarrësit e tyre. Piejde i tha gazetës se ka pasur një numër të madh pyetjesh, veçanërisht pas provokimeve të fundit me dronë nga ushtria ruse në hapësirën ajrore polake.

Qendra Gjermane e Strehimit në Mynih konfirmoi gjithashtu një rritje të ndjeshme të kërkesës për strehimore të vogla. “Sidomos pas ngjarjeve aktuale në Poloni, kemi parë një kërkesë në rritje për takime konsultimi”, citoi Bild të thoshte një zëdhënës.

“Ëndrrat e Shpirtit”

0

Shkruan Zef Ndreka

Libri i fundit me poezi nga Gjon Marku, që sapo më ra në dorë, “Ëndrrat e shpirtit”!
Një përmbledhje me poezi ndër vite i ndarë me kujdes në pesë pjesë:
* Luftova për të mberur njeri.
* Dehje
* Kujt t’ia lejmë vorret.
* Vulgut
* Ja rriti ngado nderin dhe lavdinë Shqipërisë.
Duhet ta them me zë të lartë se ky libër apo kjo përmbledhje e denjë për një krijues tashmë të njohur, që ka ndërtuar shtratin e vet identitar në art, kulurë dhe letërsi, nuk është thjeshtë një libër poetik, por plot pesë libra të tillë të ndarë në pjesët që sipër shënova.
Ëndërrat e shpirtit – e ka titulluar poeti!
Duhet kohë për ta lexuar dhe analizuar, për ta shijuar.
Por po ndaj sot dy poezi të tij me lexuesit e mi, duke i kërkuar falje poetit pse u ndala sonte aq shkurt këtu vetëm me këto komente, konkretisht:
“Ëndrra e bukur gjithnjë do të mbesë”, dhe
“Shkëndija e Ëndrrave”.
Ëndrra e bukur gjithnjë do të mbesë
Të ta then të dua, nuk mjafton me fjalë,
Ti ishe vetë ëndrra që të ndriste në ballë.
Oh, ëndërr e bukur, ajo ishte shpresa,
Nuk ke çfarë t’i bësh, kështu e paska jeta.
Një ëndërr e bukur që nuk ka të sosur,
Oh, ç’na kishte hutuar, na kishte marrosur.
Shpesh i shprush kujtimet në ditët e djalërisë,
Po dhimbjen në shpirt dot s’e davaris.
Ëndrra e bukur gjithnjë do të mbesë,
Megjithse u shua e u tret çdo shpresë.
Anëve të botës fati ç’na përcolli,
Në ditën e ndarjes, eh, ç’trishtim që mbolli.
Kjo, është një poezi e mbushur me mall dhe kujtime rinie. Autori flet për një dashuri apo përjetim të shenjtëruar që gjithsesi mbetet gjithmonë ëndërr, edhe pasi koha, largësia dhe ndarja e kanë bërë të pamundur.
Mesazhi që përcjell autori është se kujtimet e bukura nuk i shuan as koha, as dhimbja: “Ëndrra e bukur gjithnjë do të mbesë”.
“Shkëndia e ëndrrave”
Mbrëmë atje ndriçonin xixëllonjat,
Mikeshat e ndezura të gardhiqeve.
Mos e shkel barin, aty nisin ëndërrat,
Marrin jetë në puthjen e të rinjëve.
Që ndriçohet nga drita e tyre përrallore,
Atë dritë që s’e mund dotverrësira e natës.
A thua duan t’i japin jetë ëndrrës rinore,
Ndriçojnë lotin e udhëtarit të mërgatës.
Si një shenjë e shpresës së heshtur,
Për të cilën kemi kaq shumë nevojë.
Për ëndrrën aq të bukur e të patretur,
Në dritën e diturisë që të mund të jetojë.
Në këtë poezi shfaqet një ton më shpresëdhënës.
Figura e xixëllonjave që ndriçojnë natën bëhet simbol i dritës së brendshme, i ëndrrave rinore dhe diturisë që nuk e mund dot errësira.
Është një ftesë për ta mbajtur gjallë shpresën dhe ëndrrat, pavarësisht mërgimit apo sfidave.
I ndava enkas këto poezi për ti prezantuar për lexuesit dhe për ti komentuar shkurt, pasi të dyja poezitë i lidh tema e ëndrrës, tema kryesore e librit poetik.
Poezia e parë si kujtim i paharruar, që mbetet i paprekur nga realiteti, ndërsa poezia e dytë si frymëzim e dritë për të ardhmen.
Gjithë libri faktikisht është një kombinim i mallëngjimit dhe optimizmit që i jep atij tonin reflektues e shpirtëror.
Gjej rastin ti uroj miqësisht Gjon Markut suksese siç e meriton, por edhe miqve të mi të artit, ta kenë këtë libër në bibliotekat e tyre…

Presidenti Donald Trump prezanton “Gold Card”: Shtetësi amerikane për 5 milionë dollarë

0

Presidenti Donald Trump ka rikthyer vëmendjen botërore me një projekt të pazakontë: “Gold Card”, një kartë që, me një çmim prej 5 milionë dollarësh, ofron mundësinë e rezidencës së përhershme në Shtetet e Bashkuara dhe një rrugë të shpejtë drejt shtetësisë amerikane.

Nga premtimi te realizimi

I shpallur fillimisht në muajin shkurt nga Shtëpia e Bardhë, projekti i Trump tashmë ka marrë jetë. Ish-presidenti, i njohur për stilin e tij provokues, e prezantoi kartën gjatë udhëtimit me Air Force One, duke e quajtur “shkurtore për miliarderët që duan të bëhen amerikanë pa kaluar pengesat burokratike të Green Card-it, të provimeve apo viteve të gjata të qëndrimit në SHBA”.

“Ekziston Green Card, por kjo është Gold Card”, u shpreh Trump. “Kush ka mundësi të paguajë, do të gëzojë të gjitha privilegjet e rezidentit të përhershëm dhe një rrugë të drejtëpërdrejtë për nënshtetësinë amerikane.”

Privilegjet e kartës së artë

Përveç statusit të rezidencës së përhershme, Trump Card u ofron të pasurve një përfitim të veçantë: përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat e realizuara jashtë SHBA-së. Dizajni i kartës është i tëri i artë, me portretin dhe nënshkrimin e Donald Trump të gdhendur mbi të, dhe mbishkrimin zyrtar: “The Trump Card”.

Sipas presidentit amerikan, karta pritet të dalë në treg në javët e ardhshme. “Do të shesim miliona”, tha ai me bindje, duke mos e përjashtuar mundësinë që ndër blerësit të jenë edhe oligarkë rusë, të cilët i cilësoi “persona shumë simpatikë”.

Investimi që zëvendëson programin EB-5

Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, sqaroi se kjo iniciativë do të zëvendësojë programin ekzistues të vizave EB-5 për investitorë të huaj. Ky program deri tani u jepte mundësinë investitorëve të merrnin Green Card duke investuar nga 800 mijë deri në 1 milion dollarë në projekte amerikane që hapnin vende pune. Me “Gold Card”-in e Trump, shuma rritet në 5 milionë dollarë, por privilegjet janë shumë më të mëdha.

Nëse kjo politikë do të gjykohet si një hap ekonomik i zgjuar apo një rrëfim për mënyrën se si pasuria mund të blejë gjithçka, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt: Trump e ka mbajtur premtimin e tij, duke ofruar një “visto d’oro” për elitën botërore.

Këshilltarja e PD-së për Tiranën: Jam kundër votës së demokratëve për shkarkimin e Erion Veliajt, më duket vetja dekor

0

Alba Kepi, këshilltare e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, në një lidhje direkte me studion e “Puls” nga Bruna Çifligu në A2CNN, shpjegoi pse nuk iu bashkua propozimit të PS-së për shkarkimin e Erion Veliajt.

“Nuk do ta bashkoj asnjëherë votën time me regjimin e Edi Ramës. Rama dhe Veliaj janë shkatërruesit e këtij vendi dhe nuk do të bëhem kurrë pjesë e lojës së tyre politike”, tha Kepi.

Kur u pyet nëse kolegët e saj demokratë kanë gabuar që bashkuan votën me socialistët, Kepi u përgjigj: “Erion Veliaj sot është në duart e drejtësisë. Ajo që do të kërkoja unë, është që akuzat ndaj tij të mos ishin për abuzime të rëndomta. Unë në kërkesën time kërkoja që akuzat të jenë se e ka përdorur Tiranën për grupet e organizuara kriminale. Ajo bashki duhet të ketë një auditim të jashtëm. Opozita duhet ta ketë Tiranën faktor për të ardhmen e saj. Por, unë nuk mund të jap asnjëherë votë pro me Partinë Socialiste, pasi nuk jam dekor dhe mendoj se po përdoremi për lojën diabolike Veliaj-Rama”.

Sipas saj, kolegët e saj kanë dhënë votën pro sepse të djathtët nuk janë “ushtarë, si kolegët socialistë”.

“Është aksion politik që ata e vlerësojnë në atë mënyrë. Unë kam një detyrim ndaj Tiranës që kalon përtej aksioneve politike. Unë duhet të ngre zërin kundër atyre që kanë shkatërruar vlerat e qytetit tim, historinë e qytetit tim, emrin e mirë të komunitetit tiranas dhe vijojnë të mbajnë peng qytetin”, shtoi Alba Kepi.

Koha për kthjelltësi kombëtare!

0

Shkruan Azgan Haklaj

Refleksion në prag të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut!
Me dt 19-të tetor shqiptarët do të mbështesin me votë plebishitare AKI- në dhe strategun e luftës e arkitektin e paqes Ali Ahmetin!
Ndërkohë që zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut po i afrohen i datës 19-të tetor shqiptarët atdhetarë po shtërngojnë radhët si asnjëherë me parë rreth Ali Ahmetit dhe “Aleancës Kombëtare për Integrim”, jo si një inerci besimi prej më shumë se dy dekadash për liderin e provuar e karizmatik të shqiptarëve atje.
Eshtë një shtysë tjetër më e fortë që i bën ata bashkë, të vendosur e të vullnetshëm për t’ju përgjigjur kryqëzatës serbo-ruso-maqedone e cila tashmë hapur e pa kamuflim po shfaqet kudo, shtetërisht e kolektivisht.
Mickovski, kjo kukull e shovinizmit duket se nuk është as formalisht i interesuar për integrimin e këtij shteti, në ruajtjen e ekuilibrave të brishtë e principet e sanksionuara me Marreveshjen e Ohrit, principe këto që e mbajnë në këmbë shtetin e Maqedonisë së Veriut.
Mickovski bërtet për zhdukjen nga skena të Ali Ahmetit dhe BDI-së siç bërtasin histerikët e tij shoven maqedon nëpër stadiume, sheshe e mediume.
Mickovski është fryrë çmendurisht nga amullia kontinentale e globale që po shkakton Rusia dhe mendon të lajë hesapet me shqiptarët dhe të drejtat e tyre legjitime të fituara me luftë e gjak.
Raste të shumta sistematike si lakmuesit kimikë po prodhon ç’do ditë, jo vetëm me prononcime të papërgjegjëshme luftënxitese të tipit Vuçic por dhe me insinuata praktike si ajo e marshimit të beretave të kuqe ushtarake serbe, apo dhunim të munomenteve historike të shqiptarëve si në rastin e dhunimit të Shtatores së Shenjëtores Shqiptare Nanë Terezës.
Por jam i sigurt se ai jo vetëm është në anën e kundërt të historisë por po minon njërën nga shtyllat kryesore që mban në këmbë këtë shtet të sotëm nën emrin e Maqedonisë së Veriut.
E ritheksoj faktin se janë shqiptarët me Ali Ahmetin që e ruajtën me veshtirësi këtë shtet multietnik, ndryshe Mickovski e shokët e tij nuk do të kishin as vend për varr në Maqedoninë e coptuar por do kërkonin azil në Beograd apo Nish.
Ndaj shqiptarët përkundër sheqerkave të helmosura politike të disa pushtetarëve puthadorë e kuislingë të “Vlen-it” i janë kthyer kthjelltësisë, thirrjes së gjakut, mundit e sakrificës së të parëve, i janë kthyer realisht historisë.
Jeta na ka mësuar se historinë nuk e shkruajnë ca zyrtarucë të nënshtruar vendorë por ata që kanë fituar betejat vendimtare të kombit me mendje mprehtësi e pushkë në dorë.
Njëri nga mendimtarët e shquar filozofi dhe themeluesi i sociologjisë Khaldun-i ka thënë:
“Kohët e vështira nxjerrin burra të fortë, burrat e fortë sjellin liri, mirëqenie e rahati, kohët e mirëqenies e rehatisë nxjerrin burra të dobët, e burrat e dobët sjellin kohë të vështira”.
Domethënia dhe analogjia janë të qarta por falë Zotit Ali Ahmeti është gjallë dhe vigan, me eksperiencë e vullnet të shtuar në ballë të shqiptarëve në Shkup.
Jehona dhe fuqia e fjalës dhe veprës së tij do vuloset pa kthim sërish me dt 19- të tetor.
Me dt 19-të tetor shqiptarët do të mbeshtesin me votë plebishitare AKI- në dhe Ali Ahmetin.

Nga burgu kërkon të jetë në mbledhjen për shkarkimin e tij, Këshilli Bashkiak i përgjigjet Erion Veliajt: Na shkruaj!

0

Erion Veliaj i kërkoi Këshillit Bashkiak të Tiranës që të marrë pjesë në mbledhjen ku do të votohet shkarkimi i tij nga detyra.

Këshilli, në kthimpërgjigje, shprehet se, nëse nuk mund të jetë i pranishëm fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku do të diskutohet dhe votohet shkarkimi i tij, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, mund t’i dërgojë me shkrim komentet e tij.
Pjesë nga përgjigjja ndaj Veliajt: “Sa më sipër, në vijim të kërkesës suaj për të qenë i pranishëm fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutem që observacionet tuaja t’i përcillni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhem me dije në këtë mbledhje”.

Mbledhja e komisionit të Ligjeve, e cila pritej të mbahej sot, është shtyrë për ditën e nesërme në orën 10:00.

POSTIMET E FUNDIT