Gazetari Basir Çollaku shkroi dy ditë më parë se një kryebashkiak në Jug të vendit, rezulton me SIDA, duke infektuar edhe disa punonjëse të bashkisë. “Një kryebashkiak në jug, është diagnostikuar me SIDA, sëmundje seksualisht e transmetueshme. Burime serioze shumë të besueshme bëjnë me dije se në këtë qytet njerëzit janë në panik. Flitet se janë infektuar disa punonjëse në këtë bashki dhe pastaj telashi shëndetësor është përhapur. Virusi ka marrë qytetin. Mazhorancë me vegla në dorë. Kujdes votën, prapë aty te SIDA… Përtej shakasë kjo është një e vërtetë e hidhur!”, shkroi Çollaku.
Ndërkaq, gazetari Emin Kokalari, shkruan se numri i të infektuarave në Gjirokastër është 150 vetë, ndërsa mbi 15 punonjëse dhe punonjës janë pjesë e Bashkisë Gjirokastër.
“Kur unë e kam ngritur këtë shqetësim muaj para për të cilën kam marë informacion nga burime të pa verifikueshme nga ana time por të disajta, askush nuk besonte dhe madje më thanë se gënjen dhe mashtron! Sa për dijeninë tuaj, unë jam person që jam shoqëruar në polici dhe madje intimiduar nga vetë ata në disa raste për këtë çështje, për presion, për të mbyllur derën e fjalës së lirë apo për të kryer detyrën ata, këtë nuk mund ta them, por personalisht mendoj të parën, megjithatë unë nuk i kam ngacmuar apo t’i kallëzoj për heqje lirie ose të tjera arsye edhe pse jam më i fortë nga ç’mendojnë disa. Tani që këtë gjë e ka verifikuar media, konkretisht ky gazetari, çuditërisht tani ju besoni dhe tani numri është shtuar dhe dyshohet për mbi 150 veta në qytet të infektuar sipas gojëdhënave që njerëzit thonë… Madje nuk e mbaj mend, por diku dëgjoja një bisedë që dyshohet për mbi 15 veta në bashki (sa e vërtetë është nuk e di). Ka dhe gjëra të tjera në mes të kësaj historie megjithatë dua t’ju bëj thirrje të gjithëve: tregoni kujdes maksimal, sidomos kur bëni ndërhyrje mjekësore apo dentare. Siguria dhe higjiena nuk janë gjëra për t’u marrë lehtë, zgjidhni me kujdes ku drejtoheni. Këtë punë duhet që shteti të veprojë, madje pse jo të marë dhe masa të rrepta sigurie për shëndetin publik. Nga ta dimë ne që nga pakujdesia apo qëllimisht nga arsye të errëta, sëmundja të mund të përdoret si armë? Në mënyra nga më të ndryshmet!“, shkruan Kokalari.
Gazetari Bledi Mane shkruan se kryebashkiaku i Gjirokastrës nuk është infektuar me HIV/AIDS, por Mane aludon se kryebashkiaku ka lidhje me një deputet të PS-së, i cili ka qenë sportelist në një hotel. Ndërkaq, përflitet dhe dyshohet se është infektuar me SIDA edhe një ministre.
Nga ana e saj, Bashkia e Gjirokastrës i ka mohuar kategorikisht këto lajme, duke i konsideruar si të rreme dhe si përhapje paniku. E indinjur nga këto lajme, Bashkia e Gjirokastrës, e njohur deri më tani vetëm për afera korruptive dhe jo për afera seksuale, u ka bërë thirrje organeve ligjzbatuese të nisin hetimet për trilluesit sipas saj të këtyre lajmeve.
“Bashkia Gjirokastër dënon me forcën më të madhe përhapjen në rrjetet sociale dhe në çdo formë tjetër publike të informatave dhe pretendimeve të rreme, të fabrikuara dhe alarmuese, të cilat kanë për qëllim të qartë krijimin e një gjendjeje pasigurie dhe paniku te qytetarët. Pretendimet e shpërndara së fundmi, sipas të cilave Kryetari i Bashkisë dhe 18 punonjës të këtij institucioni rezultojnë të infektuar me virusin HIV/AIDS, janë tërësisht të pavërteta, të sajuara dhe pa asnjë bazë faktike apo reale
Bashkia Gjirokastër e konsideron këtë jo thjesht si një akt dezinformimi, por si një veprim të rëndë, të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm, i cili synon të dëmtojë figurën e institucionit, të cenojë dinjitetin dhe integritetin e punonjësve të administratës vendore, të godasë reputacionin e Kryetarit të Bashkisë dhe, mbi të gjitha, të përhapë panik dhe pasiguri te qytetarët.
Përmbajtje të tilla nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën për informim, por përfaqësojnë një përpjekje dashakeqe për të helmuar klimën publike me të pavërteta dhe për të krijuar shqetësim të pajustifikuar në komunitet.
Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, përbën vepër penale, të parashikuar shprehimisht nga neni 267 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon dënim me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
Në këtë rast, është e qartë se qëllimi i këtyre pretendimeve të rreme nuk është thjesht përhapja e një të pavërtete, por krijimi i panikut te qytetarët, cenuarja e qetësisë publike dhe nxitja e pasigurisë në opinionin publik. Pikërisht ky element i qëllimit e bën këtë sjellje të lidhet drejtpërdrejt me parashikimin e nenit 267 të Kodit Penal.
Për këtë arsye, Bashkia Gjirokastër u bën thirrje të drejtpërdrejtë Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të nisin pa vonesë verifikimet dhe hetimet përkatëse për identifikimin e autorëve, nxitësve, publikuesve dhe shpërndarësve të këtij informacioni të rremë dhe alarmues, si dhe për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore çdo person të përfshirë në këtë veprim. Një sjellje e tillë nuk mund të trajtohet si një deklarim i zakonshëm në rrjetet sociale, por si një akt me pasoja të drejtpërdrejta për rendin publik, për besimin e qytetarëve dhe për funksionimin normal të jetës institucionale.
Bashkia Gjirokastër garanton qytetarët se nuk ekziston asnjë situatë e tillë, siç pretendohet në mënyrë dashakeqe në këto publikime. Çdo informacion i shpërndarë në këtë drejtim është plotësisht i rremë dhe i ndërtuar me qëllim dëmtimin e figurës së institucionit dhe krijimin e alarmit të pabazuar në publik. Qytetarët duhet të jenë të sigurt se Bashkia Gjirokastër vijon normalisht ushtrimin e funksioneve të saj dhe si gjithmon në shërbim të qytetarëve.
Njëkohësisht, Bashkia Gjirokastër bën me dije se do të ndjekë me vendosmëri të plotë të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit të institucionit, të figurës së Kryetarit të Bashkisë dhe të dinjitetit të çdo punonjësi të saj, duke kërkuar marrjen e masave ligjore ndaj autorëve të këtij materiali të rremë dhe alarmues.
Bashkia Gjirokastër u bën gjithashtu thirrje qytetarëve, mediave dhe përdoruesve të rrjeteve sociale që të tregojnë përgjegjësi, të verifikojnë burimet e informacionit dhe të mos bëhen pjesë e shpërndarjes së përmbajtjeve të pavërteta që synojnë të krijojnë panik. Ruajtja e qetësisë publike, e përgjegjshmërisë qytetare dhe e komunikimit të bazuar në të vërtetën është një detyrim i përbashkët i çdo qytetari dhe i çdo institucioni“, thuhet në reagimin e bashkisë.








