Strajca e burrnis dhe Shkoza e Malit të Shoshit
Shkruan Prele Milani
Pas shpatullave të malit të Shoshit, aty ku toka rri e qetë si nji nanë plakë që ka pa gjithçka, rritej nji Shkozë. Jo lis, jo frashër, as ah – por Shkozë: e thjeshtë në pamje, e madhe në shpirt. Ajo kishte mbirë në rreshpe të lashtë, ndoshta sa vetë toka që e kishte lindë. Shkoza pas Malit të Shoshit kishte pa ma shumë se të gjitha lisat e Shoshit së bashku. Kishte ndëgjue hapat e jetës, frymëmarrjen e shekujve, tingujt e shpresave e të mallkimeve. Ishte kufi – jo veç rrugë, po edhe epokash.
Shkoza s’ishte pemë frutdhënëse. Ishte portë. Ishte vendkujtim. Ishte strehë për ndalesat e heshtuna, për burrat që nuk kishin nevojë me fol me u kuptue. Aty pushonte dikur Ukë Shoshi, sa herë shtegtonte për në qytet.
Ai burrë mali, i shtatdrejtë e fjalëpak, erdhi për herë të fundit. Rrinte mbi gurin e dhambëzuem, me shpinën kah kulla e vjetër, e sytë kah larg – aty ku qyteti shtrihej si thirrje pa emër. Balli i tij, i gdhendur nga rrudhat e viteve, tregonte për çdo brengë të kalueme, për çdo mendim të pashprehur, për çdo vendim të matur. Mustaqet e bardha, të hollë e të përkujtuem, dridheshin pak kur ai merrte frymë thellë, si me e shtrydhë vetveten nga pesha e kohës. Duart e tij, të mëdha e të forta, dridheshin pak kur e mbante çibukun, por gishta të kthjellët tregonin për qetësinë dhe përvojën e burrnisë së malësisë. Çdo lëvizje e tij ishte e qëllimshme, si me u pasqyru n’ate heshtje të natyrës që e rrethon.
Me nji frymë të thellë, nxori çibukun e trashë e ndezi ngadalë. Flaka e vogël dridhej ndër gishta të tij, por s’ishte veç nji tym që ngjitej në ajër – ishte mendimi që përhapej: kujtime të lashta, reflektime mbi njerëzimin, mbi natyrën, mbi atë që një njeri mund të mbajë në shpirt pa folur kurrë. Çibuku u bë instrument meditimi, nji mënyrë për t’i dhënë formë heshtjes së tij.
Ai mendonte si filozof popullor: jo me libra, por me gjuhën e malësisë, me përvojën e shekujve të trashëguara nga të parët. Çdo za çdo erë e dheut, çdo degë e Shkozës, i vinte si përgjigje në pyetjet që s’i shpreh dot me fjalë. Kishte diçka magjike në mënyrën si ai e ndjente lidhjen mes njeriut e kohës: çdo hap i tij, çdo frymë, ishte i rregulluar me rrahjet e natyrës, me ritmin e heshtjes së maleve.
Kur çibuku u shua, ai nuk u trazua. E futi në brez dhe u shtri pak mbi gur, si me dashtë me u ba pjesë e dheut që e kishte lindë. Ishte si ritual i thjeshtë i një burri që e kishte kuptuar se vlera nuk matet me fjalë, po me heshtje, me kujtim e me vepra të vogla që flasin ma shumë se çdo lavdi.
Pastaj u çue. Nxori strajcën e vjetër, të endun me shajak e më sipik, atë që e kishte mbajtë në dasma, në pajtime, në varrime e në kuvende. Madhngjyshëm e vari në degën ma të nalta të Shkozës. Çdo gërshetim i saj ishte si një varg i mendimeve të tij: përkushtim, drejtësi, burrni, urtësi. E shikonte me sytë që nuk shikonin vetëm me shikim, por edhe me shpirt.
— Këtu po e la strajcën teme, — tha me zë të ulët, — se andej kah po shkoj nuk më hyn ma në punë. Atje ku po nisem, burrnia matet me letra heshtje e me respekt. Nëse kthehem, e nëse më mbetet shpirti i gjallë, kam me të marrë prapë.
Fjalën e tha; vetë me vete. E tha e kishte thânë mjaft. Ai u nis për rrugën e gjatë – rrugë pa kthim.
Pas tij, Shkoza mbeti në vetinë e saj të trishtueshme. Ndryshe nga dikur që priste e përcillte dhjetra shtegtarë, tash i kishte mbetë në heshtje dëshpëruese. Shtegtarët ishin largue, kapërcye fusha, male e dete, e ishin shndërrue në kryeqytetas, shkurt llafi: hyzmeqarë të botës. Degët e saj u randuen nga strajca që Uka la – një strajcë pa send, por plot me urti. Ajo u ba si qese e burrnisë së malësisë, si proverbë që s’u shkrua kurrë në letër, por u gdhend në trung:
“Strajca e burrnisë nuk blihet, nuk shitet, as nuk vinte kush dorë mbi ta – veç priste në hije.”
Kur njerëzit i braktisën malet e u derdhën poshtë, ndër qytete me dritare të mbylluna e rregulla të hueja, Shkoza mbeti e vetme, e palëkundun. Rrinte aty, si me ruejtë një copë kohe që s’jeton ma.
Deri në ditën që ra… Edhe Uka më kapuçin e bardhë të fisnikrisë mdhe çibukun që tymoste si oxhak kulle ,mori udhën pë në amshim.
E kur ra Shkoza, nuk ra veç një pemë. Ra një epokë. Ra hija e burrnisë që nuk kërkonte lavdi. Ra kulla pa oxhak. Ra vendi ku fjalët nuk duheshin, pse mjaftonte heshtja.
Por fjala e Ukës , edhe pse pa za, mbeti në ajër. Si psherëtimë. Si proverbë. Si kangë që nuk këndohet ma. Në Shosh, ku heshtja asht fjala ma e vjetër që kemi.
Nëse do ta ruejmë burrninë, duhet me u kthye njëherë e me pa a asht ende strajca në shkozë. Nëse nuk asht – mjerë na. Nëse asht – mos e prekni. Se ajo nuk asht veç rrobë. Asht flamur i një kohe.
Nuredin Dumani me valvul në zemër e hekura në këmbë, vëllai i vogël i tij rrëfen jetën e vështirë të “pentitos” para se të bëhej vrasës
Fitim Dumani, vëllai i vogël i “pentitos” të SPAK, Nuredin Dumanit ka folur për herë të parë ku dhe ka rrëfyer prapaskenat dhe hijet e errëta që qëndrojnë pas dhjetëra vrasjeve dhe ngjarjeve të regjistruara përgjatë viteve të fundit.
Për gazetarin Flamur Vezaj, Dumani ka zbuluar për publikun edhe aksidentin që i vëllai ka bërë vite më parë teksa merrej me transportin e fruta perimeve. Gjatë këtij aksidenti, Nuredin Dumani theu këmbën dhe si pasojë vendosi hekura të cilat vijon t’ i ketë trup. Madje, ai pohoi se gjatë vizitave në spital Dumani zbuloi se kishte një problem në zemër dhe si pasojë iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale ku dhe vendosi valvul.
Aso kohe atij iu lidh nga shteti një pension invalideti dhe më pas hapi një dyqan këpucësh të përdorura, biznes i cili i dështoi dhe si rrjedhojë u fut në botën e vjedhjeve dhe të krimit.
Përgjatë jetës së tij Dumani ka punuar si punëtor ndërtimi, mirëmbajtës shezlongësh, shitës i fruta-perimeve, grabitës dhe më pas vrasës me pagesë.
“Vëllai im ka bërë aksident në 2009 dhe nuk e njihte kush ishte Talo Çela dhe Talo Çela në këto vite që po flasim ka qenë thjesht një hajdut. Grabitës është bërë më mbrapa pasi u rrit grupi. Në 2009 Nuredini ka bërë aksident dhe ka qëndruar 6 muaj në shtrat, sepse është bërë operim në zemër. Është më valvul, ka hekura në këmbë nga aksidenti”, tha ai, ndërkohë që sa i përket CV të vrasjeve të kryera nga i vëllai, Fitimi u përgjigj: “Ske dëgjuar asgjë akoma. Do dëgjosh me shumë. Sa e sa vrasje ka marrë, ai ka një paletë me dosje”.
Shansi i fundit për Kryeministrin Edi Rama : “Qeveria e Re” do të tregojë nëse Korrupsioni merr fund apo Korrupsioni do të vazhdoje si më parë
Shkruan Zef Bushati
Pas Zgjedhjeve Parlamentare të 11 majit 2025, Shqipëria ndodhet në një moment kyç për të ardhmen e saj politike, ekonomike, ushtarake dhe morale. Tashmë është e qartë për të gjithë: formimi i Qeverisë së re është shansi i fundit për Kryeministrin Edi Rama për të treguar nëse është i gatshëm të shkëputet nga korrupsioni, hajdutët, klientelizmi dhe lidhjet e kompromentuara me zyrtarë të dyshuar për afera kriminale dhe abuzim me pushtetin.

Çdo ditë, mediat përmendin emra kandidatësh për ministra, por emrat që qarkullojnë janë shumë larg pritshmërive të publikut. Ato përfaqësojnë, në shumicën e rasteve, të njëjtat fytyra të konsumuara, disa prej të cilëve me dosje në SPAK ose me hije të rënda dyshimi mbi aktivitetin e tyre gjatë ushtrimit të funksioneve publike.
Çdo alibi publike nga Kryeministri Rama, se “nuk ka ministra me dosje në SPAK”, nuk mjafton më. Sepse shqiptarët nuk presin më justifikime. Ata presin drejtësi, pastrim të qeverisjes dhe një orientim të ri drejt përgjegjshmërisë, transparencës dhe ndëshkimit të korrupsionit në të gjitha nivelet. Sot, në Shqiperi, ka një vullkan të mbledhur urrejtjeje popullore, që nuk vjen vetëm nga politikat e partive, por nga një ndjenjë e thellë zhgënjimi dhe lodhjeje, nga një sistem që shpërblen të paaftët, të korruptuarit, patronazhistet dhe të përkëdhelurit e Kryeministrit.
Ky vullkan është gati të shpërthejë, dhe nuk do ta ndalë dot askush nëse qeveria e re nuk sjell ndryshimin që kërkon populli. Deri më sot, askush nuk e di listën reale të kabinetit të ri. Ajo gjendet vetëm në kokën dhe në mendjen e Edi Ramës. Por me datë 11 Shtator 2025, gjithçka do të zbulohet. Aty do shihet qartë: a ka Rama vullnet për të filluar një faqe të re pa ministra të korruptuar e të paaftë, apo do zgjedhë edhe një herë besnikët e vjetër, që e kanë mbajtur peng qeverisjen për interesa personale korruptive. 11 Shtatori është dita e llogaridhënies. Kjo është prova finale për Edi Ramën. Ose do të tregojë se korrupsioni në qeverinë e tij merr fund, ose do mbajë mbi supe përgjegjësinë historike për rrënimin moral dhe institucional të vendit. Populli pret. Durimi është drejt fundit. Dhe historia nuk fal.
500 milionë ton naftë të pashfrytëzuar në Shqipëri
I ftuar në pjesën e dytë të emisionit “Pro Business” në Tv Klan, Prof. Dr. Fatmir Shehu, ish-Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës, tha se në përgjithësi industria e naftës dhe gazit në Shqipëri ka përjetuar një rënie të konsiderueshme në kapacitetin prodhues dhe kualifikimin e specialistëve që nga vitet ’90.
“Industria e naftës dhe gazit në vendin tonë pas viteve ’90 nuk pati progres, përkundrazi ka regres në organizim, në kërkime, ka regres në prodhim dhe kualifikim. Gjithashtu, regres ka ndodhur dhe në humbjen e kualifikimeve, çka e bën katastrofike për mendimin tim, sepse ne krijuam shkollën shqiptare të hidrokarbureve”, u shpreh Shehu.
Për të rikthyer industrinë e naftës në gjurmët e duhura, Fatmir Shehu thekson se e ardhmja varet nga politika që do të ndërmerret. Ai parasheh nevojën për një organizim ku industria e naftës të menaxhohet nga specialistë shqiptarë, pasi ata e kanë këtë mundësi.
Një aspekt i rëndësishëm i zhvillimit të industrisë së naftës në Shqipëri janë kërkimet në det. Sipas Fatmir Shehut, kërkimet në det për naftë janë një ndërmarrje e vështirë për vendin tonë dhe do të ishte mirë që për një gjë të tillë të thirren kompanitë huaja, pasi ka kosto dhe rrezik të madh për ne.
Shqipëria, sipas Shehut, ka një potencial të jashtëzakonshëm në sektorin e naftës dhe gazit, me rezerva të pashfrytëzuara që e bëjnë atë një “gjigant të fshehur” në rajon. Sipas të dhënave, vendi ynë ka 50 herë më shumë naftë se Greqia, me rreth 500 milionë tonë akoma të pazbuluara.
“Vendi ynë ka më shumë naftë se Italia, edhe Greqia dhe ish-Jugosllavia. P.sh. Greqia ka rreth 10 milionë tonë naftë rezerva, ndërsa ne kemi rreth 500 milionë tonë akoma të pazbuluara. Ka perspektivë për zbuluar naftën edhe në pjesën lindore të Shqipërisë deri në Kosovë, duke mos llogaritur më pas pjesën e detit për këtë.”
Eksperti këshillon se vetëm nëpërmjet një qasjeje të integruar dhe të planifikuar me kujdes, duke u mbështetur në ekspertizën vendase dhe partnerët strategjikë të jashtëm, Shqipëria mund të shfrytëzojë pasuritë e saj natyrore për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme ekonomike dhe energjetike.
Në studion e mjeshtrit
Shkruan Zef Ndreka
Më kujtohet me sa dëshirë e kam bërë këtë foto, pikërisht në këtë kënd të studios së Mjeshtrit të Madh, piktorit Pashk Përvathi.
Studio e tij shumë katëshe në Lezhë ishte tejmbushur me qindra piktura.
Sapo pashë korrnizën me pikturën e klerikut tonë të madh At Zef Pëllumbi, mu kujtua momenti në panairin e librit në Tiranë, kur bleva tre librat e tij “Rrno për me tregue” dhe vetë At Zefi më la shënimet e tij, që i ruaj edhe sot.
A ishte rastësi vëndosja e këtyre pikturave pranë e pranë në atë dhomë studio?
Mbase, por për mua, është një dëshmi e gjallë e artit dhe kujtesës kombëtare.
Në atë studio, siç shihet në foto, duken të bashkuara si në një kornizë të vetme tre botë të mëdha, shpirti i pathyeshëm i At Zef Pëllumbit, i cili i dha zë të vërtetës edhe në errësirën e diktaturës, thellësia poetike e Ndoc Gjetjes, që me fjalën e tij lartësoi dhimbjen dhe ëndrrën shqiptare dhe vetë prania e autorit, Pashk Përvathi, që ka ditur t’i përjetësojë me penel dhe ngjyra ata që janë pasuri e kombit.
Janë kompozime të rralla mes artit, fesë dhe letërsisë, që na tregon për fuqinë e kujtesës dhe përjetësimin e vlerave tona shpirtërore.
Në një kënd të vogël studioje të mjeshtrit Pashk Përvathi, pasqyrohet simbolika e madhe, ku historia dhe arti gërshetohen në një trashëgimi të pavdekshme.
“New York Times” për dosjen Rama-McGonigal dhe mafien shqiptaro-kineze
Shkruan Beqir Sina
Media prestigjioze amerikane, New York Times i ka kushtuar një artikull të gjatë ish-zyrtari të FBI-së, Charles McGonigal dhe lidhjeve të tij me kryeministrin Rama.
Në artikullin e New York Times theksohet se McGonigal, zhvilloi një marrëdhënie me kryeministrin Rama dhe se dyshohet se ndërmori hapa në dobi të politikanit shqiptar.
Koha YouTube Channel
“Ndërsa ishte ende në FBI, ai zhvilloi një marrëdhënie me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe ndërmori hapa në dobi të politikanit, sipas prokurorëve në Uashington”, nënvizon artikulli.
Më pas New York Times bën një renditje kronologjike të ngjarjeve dhe takimeve mes McGonigal, Agron Nezës, Dorian Duçkës dhe kryeministrit Rama.
“Gatishmëria e McGonigal për t’u takuar me kreun e qeverisë në Shqipëri, një vend që ka një prani diplomatike amerikane, sugjeron se ai nuk po e mbante të fshehtë përfshirjen e tij atje nga kolegët, thanë ish-zyrtarët. Ai përdori gjithashtu adresën e tij të emailit dhe telefonin e FBI-së për çështje të lidhura me Shqipërinë, tha një person me njohuri në hetim.
Por çfarëdo preteksti zyrtar që mund të kishte McGonigal për ato udhëtime dhe shoqata mund të kishte shërbyer gjithashtu si mbulesë për aktivitete më të diskutueshme, thanë të tjerë.
Fakti që krimet e dyshuara ndodhën pak përpara daljes në pension të tij, sugjeron se McGonigal mund të ketë filluar ose rritur aktivitetet e paligjshme pas kryerjes së testeve të fundit të poligrafit, të cilat supozohet se do të administrohen çdo pesë vjet.
Triplett tha se tradhtia e agjencisë nga dikush me pozitën e McGonigal për 225.000 dollarë, nëse vërtetohet, do të ishte befasuese duke pasur parasysh se ish-zyrtarët mund të fitojnë shuma të konsiderueshme si konsulentë pas daljes në pension, përveç pensioneve të majme”, thuhet në artikull.
Pjesë nga artikulli ku flitet mbi përfshirjen e kryeministrit Rama:
Në gusht 2017, thanë prokurorët, ai u takua me Agron Nezën, biznesmen nga Nju Xhersi i përshkruar në aktakuzën e Uashingtonit si Personi A. Përveç Deripaska, personat e përmendur në aktakuzat e McGonigal nuk u emëruan.
Neë York Times i identifikoi ata përmes të dhënave publike dhe intervistave me njerëz të njohur me rastin.
Agron Neza, 59 vjeç, ka lindur në Shqipëri dhe është punësuar nga një agjenci inteligjence atje disa dekada më parë. Më vonë ai u transferua në Shtetet e Bashkuara, u vendos në veri të Nju Xhersit dhe u bë shtetas amerikan. Ai nuk është akuzuar për ndonjë shkelje.
Në takimin e gushtit 2017, McGonigal i kërkoi para Nezë, thanë prokurorët. Ata nuk dhanë detaje se si u takuan Neza dhe McGonigal, marrëdhënien e tyre si dhe nuk zbuluan arsyen e kërkesës. Por në aktakuzën e Nju Jorkut, Neza përmendet si miku i McGonigal. Në muajt pasi McGonigal kërkoi para, ata bënë udhëtime të shumta në Evropë, ku McGonigal me sa duket përdori pozicionin e tij në përpjekjet për të krijuar biznes për Nezaë, sugjeruan prokurorët në padinë e Uashingtonit.
Në shtator 2017, ata udhëtuan për në Shqipëri, thanë prokurorët, ku Neza e prezantoi McGonigal me Dorian Duçkën, një ish-zyrtar shqiptar që shërbente si këshilltar informal i kryeministrit Rama. Duçka, i përshkruar në aktakuzën e Uashingtonit si Personi B, e solli McGonigal të takohej me kryeministrin Rama.
McGonigal duket se është përpjekur të shtyjë kryeministrin drejt dhënies së një licence për shpime nafte për një subjekt të lidhur me Nezë dhe Duëkë, sugjeruan prokurorët.
McGonigal gjithashtu dukej se po përpiqej të ndihmonte Neza në lidhjen e marrëveshjeve me një politikan dhe biznesmen shqiptar, i cili donte që FBI të hetonte atë, thotë aktakuza e Uashingtonit.
McGonigal organizoi një udhëtim të mëvonshëm jashtë shtetit që një prokuror amerikan ta intervistonte atë në Austri, duke përdorur Nezë si përkthyes të tij. Prokurorët sugjeruan se takimi ishte një mashtrim; nuk kishte asnjë procesverbal zyrtar të intervistës dhe Neza nuk ishte paguar për punën. Në të njëjtën ditë, McGonigal dhe Neza fluturuan për në Shqipëri, ku u takuan me politikanin dhe diskutuan mundësitë e biznesit, thuhet në aktakuzë.
Atë vjeshtë, Neza i dha McGonigal 225.000 dollarë në para në tre këste, sipas aktakuzës. Neza bëri një nga pagesat brenda një makine të parkuar në Neë York City dhe të tjerat në shtëpinë e tij në Neë Jersey, thanë prokurorët. McGonigal premtoi se do t’i kthente paratë, sipas aktakuzës. Prokurorët nuk e kanë akuzuar McGonigal për marrjen e ndonjë veprimi zyrtar në këmbim të pagesave.
Në nëntor, pasi McGonigal u takua përsëri me kryeministrin Rama dhe Dorian Duçkën në Shqipëri, ai kontaktoi të njëjtin prokuror që kishte qenë me të në Austri për një hetim të mundshëm ndaj një lobisti që kundërshtari politik i Ramës kishte punësuar për të pasur mbështetje nga Presidenti Donald J. Trump.
Ngjarjet e detajuara në aktakuzë dhe të dhëna të tjera publike duket se përputhen me përshkrimin e lobistit Nicolas D. Muzin.
Vetëm disa ditë përpara se McGonigal të kontaktonte me prokurorin, më 14 nëntor, Muzin paraqiti një kallëzim në Departamentin e Drejtësisë duke zbuluar lobimin e tij për Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë politike të qendrës së djathtë që sfidonte Ramës. Partia drejtohej nga Lulzim Basha, i cili ishte vendosur si mbështetës i Trump.
McGonigal hapi një hetim federal për një lobist për Lulzim Bashën, kundërshtar politik i Ramës në Shqipëri, thanë prokurorët.
Në fillim të vitit 2018, Neza vazhdoi t’i transmetonte McGonigal informacione- disa prej të cilave erdhën direkt nga zyra e kryeministrit Rama- për Nick Muzin, sipas aktakuzës së Uashingtonit. McGonigal më pas do ua përcillte këto informacione të tjerëve në zyrën e FBI në Nju Jork.
Në fund të shkurtit, FBI hapi formalisht një hetim për lobistin me kërkesën dhe udhëzimin e McGonigal. Neza ishte ndër burimet konfidenciale që dhanë informacione gjatë hetimit dhe Duçka pagoi dëshmitarët në Europë për udhëtimet dhe takimet e tyre me FBI-në, thuhet në aktakuzë.
Gjatë kësaj kohe, McGonigal dështoi të zbulonte kontaktet e tij me Dorian Duçkën apo marrëdhëniet e tij financiare me Agron Nezën, thanë prokurorët. Nuk është e qartë nëse Departamenti i Drejtësisë ndërmori hapa shtesë për të hetuar zotin Muzin dhe kundër tij nuk u ngrit akuzë. Muzin tha në një deklaratë se ai ‘nuk kishte arsye të besonte se ishte viktimë e një hetimi të rremë’.
“Por nëse do të isha, kjo është për të ardhur keq dhe shpresoj se drejtësia do të vihet në vend”, tha ai.
Pse po e shpall Rama qeverinë më 11 Shtator?!
Shkruan Kujtim Gjuzi




















