Kreu Blog Faqe 132

Heroi i ditës në Shëngjin – Gjon Çoku, simbol i përkushtimit dhe guximit

0

Shkruan Zef Ndreka

Para dy ditësh, në këto kohë vere me dallgë të larta dhe rrezik të shtuar për jetën, Gjon Çoku, vëzhgues i pushuesve në plazhin e Shëngjinit, dëshmoi çfarë do të thotë të jesh në shërbim të tjetrit me kurajë dhe përgjegjësi.
Pa u lëkundur për asnjë çast, ai ndërhyri me shpejtësi dhe profesionalizëm për të shpëtuar një të ri 25-vjeçar kosovar që rrezikonte të mbytej në ujërat e trazuara të detit.
Ky akt shpëtimi nuk është thjesht një detyrë e kryer me sukses, por një shembull frymëzues i humanizmit, përgatitjes dhe ndjenjës së lartë të misionit.
Gjoni sot nuk është vetëm një vrojtues plazhi, ai është heroi i ditës, një qytetar që e vuri jetën e tij në rrezik për të shpëtuar jetën e një tjetri.
Të tillë njerëz meritojnë jo vetëm falënderime, por edhe vlerësim publik dhe institucional, sepse veprime të tilla ndërtojnë besimin dhe sigurinë tonë si shoqëri.
Gjon Çoku, të qoftë nderi dhe respekti i të gjithëve!

Përse Dritan Prençi nuk heton rolin e dy pronarëve faktikë të Inceneratorit të Tiranës, Ramës dhe Veliajt

0

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në një deklaratë për mediat nga selia blu, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e arrestuar Erion Veliajn se janë pronarët e vërtetë të Inceneratorit të Tiranës, të evidentuar edhe nga ish zv. Kryeministri Arben Ahmetaj.

Teksa i drejtohet publikisht prokurorit të kësaj dosje, Dritan Prençit, Këlliçi pyet se përse nuk e heton rolin e dy pronarëve faktikë të Inceneratorit të Tiranës, përkatësisht Edi Ramës dhe Erion Veliajt, në këtë aferë korruptive?!

Vdekja e minorenit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës u përdor, sipas Këlliçit, nga Erion Veliaj si alibi për pikënisjen e aferës korruptive në landfillin e Sharrës, fillimisht me shoqërinë MEG Albania dhe në fund me kompaninë fantazmë të Inceneratorit të Tiranës.

Këlliçi shprehet se prokurori Dritan Prençi ka detyrimin ligjor të administrojë provat e reja dhe dëshminë e shtetasit Erald Ismaili, i cili e specifikon qartë se kompaninë MEG Albania e ka sjellë në zyrë Ajola Xoxa dhe Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Deputetja e PS Klotilda Ferhati Bushka, për të mbyllur pazarin për administrimin e landfillit të Sharrës.

Memli fton qytetarët të protestojnë kundër Gjykatës Speciale më 7 gusht

0

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë sot se Gjykata Speciale është shmangur nga standardet e pritura të drejtësisë.
Krasniqi ka përmendu faktin se, prej më shumë se katër vjetësh e gjysmë, udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Dhomat e Specializuara, ende pa një vendim përfundimtar, transmeton Zeri.info.

“Zvarritja e këtij procesi dhe shmangia nga standardet e pritura të drejtësisë, të cilat kanë ndodhur nga kjo gjykatë, kanë ngritur shqetësime serioze, jo vetëm për të drejtat e të akuzuarve, por edhe për besimin e qytetarëve në vetë drejtësinë”.

“Këto shqetësime janë thelluar edhe më tej pas raportimeve të fundit se kjo gjykatë po mbështetet në prova të fabrikuara nga strukturat shtetërore të Serbisë”.

“Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në mbështetje të luftës për liri dhe të së drejtës për një proces të drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë për çlirimtarët tanë”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se, në këtë frymë, mbështesin protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, si një shprehje demokratike e qëndrimit qytetar, por edhe si bindje për pafajësinë e të akuzuarve.
“Ftoj të gjithë qytetarët që besojnë në drejtësinë e luftës sonë për liri, në dinjitetin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës, që t’i bashkohen kësaj proteste më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu”. Me çlirimtarët. Për drejtësi. Për Kosovën”, shkoi Krasniqi.

SPAK mbyll hetimet për Ilir Metën, më 4 gusht i komunikon akuzat ish-Presidentit

0

Shkruan Xhensila Kodra

Ish-presidenti Ilir Meta është thirrur në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion të hënën në datë 4 gusht, ora 11:00 për t’i komunikuar mbylljen e hetimeve.

Meta, i cili mbahet në qelinë e paraburgimit që prej datës 21 tetor të vitit të kaluar, do të shoqërohet nga ambientet e paraburgimit në ambientet e SPAK ku së bashku me avokatin e tij mbrojtës Kujtim Caktani do të firmosi mbylljen e hetimeve.

E njëjta procedurë u ndoq edhe për ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, si dhe për dy bashkëpunëtorët e çiftit Ema Çoku dhe Piro Xhixho.

Këtij të fundit, SPAK i komunikoi akuzën “korrupsion pasiv”, ndërsa Ema Çokut “pastrim parash”

Donald Trump trondit Zvicrën, SHBA i vendos një nga tarifat më të larta në botë

0

Zvicra mori një goditje të fortë të premten, ditë pushimi kombëtare, pasi Presidenti Trump vendosi një tarifë prej 39 përqind për mallrat e importuara nga kjo vend alpin, një nga normat më të larta për ndonjë shtet tjetër, shkruan New York Times.

Karin Keller-Sutter, presidentja zvicerane, tha se kishte biseduar me zotin Trump të enjten, por “nuk u arrit asnjë marrëveshje.”

Zviceranët ishin tashmë të indinjuar nga kërcënimi fillestar i zotit Trump, në prill, për të vendosur një tarifë prej 31 përqind mbi mallrat e tyre. Kur Shtëpia e Bardhë njoftoi normat e rishikuara të enjten vonë, zviceranët mbetën të habitur kur panë që tarifa tashmë e lartë u rrit më tej. Shumë tarifa të tjera mbetën të pandryshuara ose u ulën disi në rishikimet e zotit Trump.

Tani, produktet zvicerane të importuara në Shtetet e Bashkuara, përfshirë produktet farmaceutike, instrumentet precize dhe edhe kapsulat e kafesë, do të përballen me një tarifë prej 39 përqind nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje tregtare deri më 7 gusht.

Stefan Legge, kreu i politikave tatimore dhe tregtare në Institutin Zviceran për Ligjin dhe Ekonominë, tha se një marrëveshje mund të ndodhë në çdo moment, duke pasur parasysh historikun e njoftimeve surprizë të zotit Trump. “Por gjëja më shqetësuese është kjo situatë e pasigurisë që vazhdon,” shtoi ai.

Shoqatat e biznesit në Zvicër kërkuan negociata urgjente dhe paralajmëruan se pa një marrëveshje tregtare, mallrat zvicerane në Amerikë do të bëheshin ndjeshëm më të shtrenjta se ato të importuara nga Bashkimi Europian, i cili ka negociuar një tarifë prej 15 përqind, ose Britania e Madhe me një tarifë prej 10 përqind.

Aksionet e “Watches of Switzerland”, një shitës i orëve luksoze i listuar në Londër dhe një eksportues kryesor zviceran, ranë me mbi 6 përqind, duke arritur nivelin më të ulët në vite.

Zonja Keller-Sutter tha se për zotin Trump, deficiti tregtar i SHBA-së me Zvicrën ishte “një çështje kyçe” pas vendosjes së tarifës. Por më shumë se gjysma e deficitit tregtar të Zvicrës me SHBA-në vjen nga bullion dhe shufra ari të rafinuara në minierat zvicerane dhe të eksportuara në sasi të mëdha në Amerikë. Banka Qendrore Zvicerane ka sugjeruar që ari të mos llogaritet në bilancin tregtar. Importet e arit janë të përjashtuara nga tarifat e zotit Trump.

Duke përjashtuar arin, produktet farmaceutike janë eksporti më i madh i Zvicrës drejt SHBA-së. Industria farmaceutike, përfshirë gjigandët zviceranë Roche dhe Novartis, është në ankth pasi administrata Trump dërgoi të enjten letra të gjitha firmave kryesore farmaceutike duke kërkuar që të ofrojnë çmime më të ulëta për konsumatorët amerikanë.

25 mijë emigrantë kalojnë Kanalin Anglez drejt Britanisë, shifër rekord deri në fillim gushti

0

Më shumë se 25,000 njerëz kanë kaluar Kanalin Anglez në Mbretërinë e Bashkuar deri më tani këtë vit, duke shënuar ritmin më të shpejtë të mbërritjeve që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave në vitin 2018 dhe duke shtuar presion mbi qeverinë laburiste të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa ndjenjat anti-imigracion ushqehen nga krahu i djathtë politik.

Shifrat e publikuara të enjten tregojnë se gati 900 refugjatë dhe migrantë e bënë kalimin në 13 varka të vogla vetëm të mërkurën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të mbërritjeve në vitin 2025 në 25,436. Është një udhëtim i rrezikshëm që ka rezultuar në dhjetëra vdekje gjatë viteve.

Ky moment historik me gjasa do të intensifikojë shqyrtimin politik mbi mënyrën se si kryeministri Keir Starmer ka komentuar rreth migracionit pa dokumente.

Qeveria e tij është zotuar për veprime më të ashpra kundër rrjeteve të kontrabandës, ndërsa Starmer tha se do të “shkatërrojë bandat” përgjegjëse për transportimin e njerëzve përtej Kanalit.

Politikanët e opozitës kanë shfrytëzuar shifrat e fundit për të kritikuar qasjen e Partisë Laburiste.

“Pothuajse 900 njerëz kaluan Kanalin dje, që do të thotë se 25,000 njerëz, kryesisht të rinj, e kanë kaluar Kanalin këtë vit. Dhe viti 2025 është viti më i keq i regjistruar deri më tani, dhe Qeveria Laburiste nuk po bën asgjë për të ndaluar kalimet”, tha Sekretari i Brendshëm në Hije i Partisë Konservatore, Chris Philp.

“Marrëveshja e tyre 17 hyrje, një dalje me Francën nuk do të sjellë asnjë rezultat – do t’i duheshin 10 vjet Sekretares së Brendshme Yvette Cooper për të deportuar emigrantët e paligjshëm që kanë mbërritur që nga fillimi i këtij viti vetëm sipas të ashtuquajturës marrëveshje të saj, e cila ende nuk ka filluar”, shtoi ai.

Starmer dhe Presidenti francez Emmanuel Macron njoftuan kthimin “një brenda, një jashtë” të azilkërkuesve në fillim të këtij muaji.

“Programi pilot përcakton që për çdo person të kthyer, një individ i ndryshëm do të lejohet të vijë këtu nëpërmjet një rruge të sigurt: të kontrolluar dhe të ligjshme, subjekt i kontrolleve të rrepta të sigurisë dhe i hapur vetëm për ata që nuk janë përpjekur të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht”, tha Starmer në atë kohë.

Donald Trump ndëshkon Vuçiç, Serbia në listën e vendeve me tarifa më të larta nga SHBA

0

Shtëpia e Bardhë ka publikuar tarifat më të larta të shpallura kundër partnerëve tregtarë të SHBA-së nga Presidenti Trump.

Siria kryeson listën me një normë të re tarife prej 41%, një shifër e jashtëzakonshme për një vend që ende po përpiqet të rikuperohet nga një luftë civile 14-vjeçare që sapo ka përfunduar.

Laosi dhe Myanmari vijnë më pas në listë, secili me tarifa prej 40%. Ekspertët kishin paralajmëruar më parë se tarifat e reja të Trump pritej të godisnin veçanërisht rëndë ekonomitë aziatike.

Zvicra është renditur me një tarifë prej 39%. Siç kemi raportuar më parë, është i vetmi vend që zhvillon tregti të konsiderueshme me SHBA-në dhe që përballet me një nivel kaq të lartë tarife.

Iraku dhe Serbia do të përballen secili me një tarifë prej 35%.

Katër vende të tjera do të goditen me tarifa prej 30%: Algjeria, Bosnje-Hercegovina, Libia dhe Afrika e Jugut.

Tarifat e rishikuara pritet të hyjnë në fuqi brenda shtatë ditësh, në orën 12:01 të mëngjesit sipas kohës së Uashingtonit më 7 gusht, jo sot, 1 gusht, siç ishte planifikuar më parë, sipas një zyrtari qeveritar.

Shkalla minimale e tarifës për importet nga shumica e vendeve që nuk janë listuar më poshtë është vendosur në 10%. Mallrat që gjenden të jenë transborduar për të shmangur tarifat më të larta do t’i nënshtrohen tarifave shtesë.

Ato vende që nënshkruan marrëveshje tregtare para afatit i nënshtrohen tarifave të shpallura. Kështu, produktet e Bashkimit Evropian, Japonisë, Koresë së Jugut do të tatohen me 15%, Britania me 10%. Disa ekonomi, të tilla si Kina, Kanadaja dhe Meksika, ndjekin rrugë të ndryshme tregtare dhe mbulohen nga dispozita të ndryshme.

Çfarë po ndodh me simbolet e kombit?!

0

Shkruan Zef Ndreka

Sigurisht që një dorë e zezë ku fshihet gjithçka kundër integrimit të mbarë shqiptarisë në BE, ka guxuar të merret me bustin e Gjergj Kastriotit në Prizren. Turp i madh!
Ky nuk është rast i vetmuar!
Por një fenomen, që disa shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, si zakonisht të ndikuar nga një version ekstrem dhe i importuar i islamit, shajnë dhe venë dorë në figura të ndritura kombëtare si Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) apo Nëna Terezë.
Këto janë plagë që kanë rrënjë të thella dhe pasoja të rënda për vetëdijen tonë kombëtare. Ndikimi bëhet nga të huajt dhe për ta na shkëputur nga rrënjët tona të vjetra.
Dihet se shqiptarët, për shekuj me radhë, kanë bashkëjetuar me fe të ndryshme, por gjithnjë mbi këtë dallim kanë mbizotëruar ndjenja kombëtare dhe një frymë tolerance.
Sot, fatkeqësisht, në disa qarqe, janë përhapur ideologji fetare të huaja që kërkojnë të zëvendësojnë identitetin shqiptar me një identitet fetar panislamik apo arabizues, që nuk ka lidhje me historinë, gjuhën dhe trashëgiminë shqiptare.
Përçmimi i figurave kombëtare në thelb është një formë vetëmohimi.
Ofendimet, sharjet, prekja e bustit të Skënderbeut apo i Nënës Terezë është më shumë sesa një mospranim i tyre personal!
Më keq e më tej akoma, është një përçmim i vetvetes, një mohim i asaj që jemi si komb. Skënderbeu përfaqëson qëndresën shqiptare, ndërsa Nëna Terezë përfaqëson humanizmin dhe përkushtimin pa dallime feje apo kombi.
Të përbaltësh këto figura është të prishësh pasqyrën ku shihet krenaria kombëtare.
Por është e thënë me mijra e mijra herë dhe jo pa mburrje se shqiptaria është mbi fetë.
Kështu, shqiptarët i kanë paraprirë gjithmonë unitetit përmbi ndarjet fetare.
Deviza “Feja e shqiptarit është shqiptaria” nuk ka qenë thjesht slogani i Rilindjes, por thellë thellë ka qënë busull orientimi për mbijetesë në shumë shekuj.
Fenomeni i ekstremizmit sot e minon këtë bosht kombëtar duke prodhuar përçarje dhe vetë urrejtje.
A duhën lënë të përçmohen kështu figura kombëtare me të cilët identifikohemi si komb dhe çfarë duhet bërë, cilat janë zgjidhjet?
Së pari duhet arsimimi i shëndoshë mbi historinë dhe kulturën kombëtare që është themeli ynë.
Së dyti duhet urgjentisht të bëhet rivlerësimi i figurave kombëtare në të gjitha trevat shqiptare, pa komplekse dhe pa censurë fetare. Në këtë pikë duhet të prononcohen historianët dhe akademikët .
Dhe së treti, duhet të bëhet me forcë kundërshtimi i çdo ideologjie që mohon shqiptarinë apo nxit urrejtje për arsye fetare, qofshin ato nga jashtë apo të brendshme.
Duhet theksuar se nuk përbën asnjë kontradiktë të qenit shqiptar dhe besimtar (musliman, katolik, ortodoks apo ateist). Por kur feja, si në rastin konkret në Prizren apo diku tjetër, përdoret për të fshirë rrënjët tona, për të mohuar historinë tonë dhe për të ndarë shqiptarët, ajo kthehet në armë kundër vetes. Dhe këtë, asnjë shqiptar me ndërgjegje nuk duhet ta pranojë.

Një bidon bosh peshon më shumë se një ligj

0

Shkruan Frrok Çupi

Përditë ju ka ndodhur, dhe përditë keni ikur me frikë. Pse bëjmë sikur ‘haj mo’? Ju ka ndodhur që vini rrotull e rrotull dhe nuk mund të parkoni makinën. Në vendet për parkim të lirë janë vënë bidonë bosh; të gjithë i bien rrotull pallatit por bidonin nuk e prekin.

Edhe policët vijnë vërdallë, por bidonin e mitizojnë.

Në makinat e zeza e të rënda që i vijnë vërdallë bidonit, me siguri brenda tyre ka edhe armë ose drogë. Të zotët e makinave që ulin kokën para bidonit bosh, mbahen për trima. Dhe janë aq trima saqë qëllojnë me armë mbi njerëz; ose janë aq trima sa hyjnë në tregun e tmerrshëm të drogës dhe të përleshen me bandat.

Por jo të prekin bidonin bosh, që është e drejta e ligjshme.  Bidoni është i vërtetë, siç mund të jetë një karrige me tre këmbë, ose një thes me inerte, ose një biçikletë që zë hapësirën sa për një makinë…, por në këtë rast po e marrim si balancë me ligjin. Bidoni është gjëja më bosh e gjithë çështjes me ligjin. Anti- ligji respektohet më shumë se ligji.

Kjo është tragjedia.

Çfarë po ndodh tani?

Sapo ka nxjerrë kokën ideja ose drafti për një Kod të ri Penal. Menjëherë u ngritën të gjithë ( më duket se të gjithë) kundër. Drafti thonë se është ‘i shëmtuar’. Po, sigurisht, mund të jetë. Por a na duhet Kodi, sepse ky nuk është ende ‘kod’? A na duhet të kemi ligj, apo të kemi ‘bidon’?, kjo është çështja. Këta nuk duan ligjin, ky është thelbi. Disa vijnë me mendimin se ‘sot bidonin ti, nesër unë’. Domethënë siç ecën për disa dekada pas viteve ’90: ‘Sot e marr këstin te Sudja unë, nesër e merr ti! Bëjmë si bëjmë mes nesh!’. Thonë se atëherë ‘pinim birra gjithë ditën së bashku’.

Ose njëri mbjell kanabis e tjetri e tregton; në fund të fundit balancohen. Sot e zë rrugën njëri, nesër e zë tjetri…, në lagjen time ku ndodhen dy rrugë të ngushta paralele, njërën e kanë kthyer në parkim, sepse ‘mjafton njëra rrugë, ç’i do të dyja’.

Në ‘Theth’ thonë se ‘do të qeverisen me Kanunin e Lekës’. Sipas Kanunit janë ‘zgjidhur’ hasmëritë: ‘Sot të vras unë, nesër më vret ti!’, me radhë. Hasmit janë njëri këtu, tjetri në Dubai. Të korruptuarit e mëdhenj të vendit nuk paraqiten para Drejtësisë. Ose edhe kur paraqiten, marrin me vete turma njerëzish si mburojë. Këta të mburojës mishtore nuk nënshkruajnë deklaratën se ‘këtë të zezë po ia bëjmë shumicës’. Secili nga zyrtarët e lartë mund të shesë e blejë interesat e vendit, siç ka ndodhur vite të shkuar, por nuk ka ligj. Nuk ka ligj për hapjen e çështjeve të ‘vjetra’ ku janë vrarë qindra e disa mijëra shqiptarë; ku është kryer krimi shtetëror, ku është kryer korrupsion i madh. Prokurori i Përgjithshëm tha se ‘me këtë Kod të ri’ mund të rihapen çështjet e vjetra penale.

Shumica tjetër e ‘njerëzve të ligjit’ thonë se ‘ishim mirë me kodin e vjetër’. Si me bidonin bosh; bidoni mbytet në pluhur por një parking do ta gjesh në rrugë edhe pas një jave. Kodi i vjetër u kthye jo në mur të lartë, por në një ‘gardh me njëmijë vrima’, nga ku kaluan dinozaurët që shkaktuan luftën civile 1997, grusht shteti në vitin 1998, dhunën mbi zgjedhje dhe opozitë- 1996; thyerjen e embargos së OKB për armë dhe naftë; skemat mashtruese piramidale; vrasjet në oborrin e kryeministrisë; djegien e 26 njerëzve në Gërdec; përdorimin e qeverisë si leckë ku fshiheshin b… e familjes së kryeministrisë me 19 kulla… Nëpër këtë gardh ka hyrë e dal fajtori i madh pa u paraqitur asnjë ditë para Drejtësisë.

Me atë kod, pa ligje, e keqja, krimi e korrupsioni i kanë hipur në kokë qytetarisë së vendit.

A vlen më shumë ‘bidoni bosh;’ se sa ligji? Edhe kur ligji është më i fortë, vlen mijëra herë më shumë se vetëgjyqësia. Ku ka ligj, aty ka pafajësi për njeriun. Pse bëjnë sikur tremben të zotët e bidonëve?

POSTIMET E FUNDIT