Kreu Blog Faqe 97

Presidenti Trump: I kam dhënë fund 8 konflikteve, por nuk e bëra për Nobelin

0

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se i ka dhënë fund 8 konflikteve në të gjithë botën, por këtë gjë nuk e ka bërë për të fituar Nobelin e Paqes.

Në pritjen që i bëri Presidentit të Finlandës, Alexander Stubb, Trump u shpreh: “Askush në histori nuk i ka dhënë fund tetë luftërave në nëntë muaj, dhe unë i ndalova tetë luftëra. Por, ata që japin Çmimin Nobel e dinë vetë punën e tyre. Janë të zotë në atë që bëjnë”.

“Nuk e bëra për të fituar çmimin. E bëra për të shpëtuar shumë jetë”, shtoi Trump.

Në fakt, konfliktet për të cilat flet Donald Trump nuk janë 8, por 7. Armeni-Azerbajxhan, Republika Demokratike e Kongos-Ruanda, Izrael-Iran, Indi-Pakistan, Kamboxhia-Tajlandë, Egjipt-Etiopi, si dhe një marrëveshje e pjesshme midis Serbisë dhe Kosovës, gjatë mandatit të tij të parë presidencial.

SPAK të reagojë për deklaratën bombë të Saliut: Erion Veliajn e kanë nxjerrë nga burgu 3 netë më parë, e dërguan në drejtim të paditur

0

Sipas Berishës, urdhri është dhënë nga kryeministri Edi Rama, për shkak thekson kryedemokrati “se është i tmerruar nga Erion Veliaj.

Kreu i PD-së shtoi se “ta nxjerësh tjetrin të kalamendur në 10-11 të natës dhe ta nisësh në drejtim të paditur është aktakuzë për Ramën”, duke ngritur pikëpyetje se ku u dërgua dhe a kishte autorizim për nxjerrjen e tij nga qelia.

“E nxorën nga burgu para 3 ditësh, në drejtim të paditur. Sa është e vërtetë vetëm muret e burgut e dinë, Gossip i kësaj ndërtese këtë thotë, Rama është i tmerruar nga Erion Veliaj. Ta nxjerësh tjetrin të kalamendur në 10-11 të natës dhe ta nisësh në drejtim të paditur është aktakuzë për Ramën. Ku shkoi? Mori apo jo autorizim?”, tha Berisha.

Deklarata e Berishës:

I gjithë qëndrimi ynë për Lali Vjedhësin ka qenë dhe është shumë i qartë. Ne protestuam ndaj një njeriu që ka firmën e tij në projektin prej 130 milionë euro dhe drejtësia shqiptare heshti, siç e dini. Dënoi dy anëtarë të KVO-së.

Sepse ky akt i pashembullt është në bashkëautorësi me Edi Ramën dhe Lubi Ballukun. Janë të tre. Ne protestuam 46 javë për sipërmarrjen 5D. Mirëpo hoteli prej 20 katesh i qelqtë thuhet se ai Tivari është një prestanome, por familja Rama, sipas qytetarëve dixhitalë, është share-holder kryesor me familjen Veliaj. Në hotel. Për dijeni, hoteli nuk është sekuestruar, nuk është prekur.

Për dijeni, Erion Veliaj nuk ka një akuzë të vetme për 5D, ndonëse është në disa akte kryetar i autoritetit kontraktues. Ndonëse i ka dalë emri se hoteli është i tij. Hoteli nuk është vetëm i tij. Asokohe u tha se aksioner është Olsi Rama. Tani ç’është e vërteta, hoteli shtrihet në familje. Ajo që ka rëndësi është që Skapi i partisë nuk e heton dot.

Hoteli mund të shkojë në total 100 milionë euro kur të përfundojë. Gjer tani është 60-70 milionë. Mund të jetë hoteli i dytë më i shtrenjtë pas atij të Artan Dulakut, Melia. Ky hotel pra mbetet pa hetim.

Kështu që Erion Veliaj u akuzua me dokumente për devijime të parave të taksapaguesve të Tiranës në familjen e tij, Velicën, vëllain etj, çka përbëjnë vepra penale. Por, duke thënë këto, del e qartë si drita e diellit se Erion Veliajn e arrestoi Edi Rama për ta hequr qafe. E arrestoi me një letër të Anesti Angonit, që ishte një pamflet që mund ta shkruante çdo njeri. E arrestoi dhe e trajtoi në mënyrën më çnjerëzore.

Imagjinoni ju, të çojë policin pranë tavolinës ku operohej. Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë në botë këtë. Në diktaturën më të zezë, ndodhte që armiqtë më të egër të partisë edhe operoheshin, por policë në sallë të operacionit nuk mund të kishte. Rrinin diku jashtë, po në sallë të operacionit nuk kishte, siç futi ky policë në sallën e operacionit të Veliajt.

Tani, i tmerruar prej tij, pasi i ka mohuar, e shkarkoi se sa vlente Erion Veliaj, Erion Veliaj, domethënë krahasoni Rexhë Byberajn me Erion Veliajn. Rexhë Byberaj qëndroi 11 muaj në arrest shtëpie dhe doli e shkoi në punë. As nuk e shkarkoi Edi Rama. Kurse Erion Veliajn në një afat kohor minimal e shkarkoi, sipas ekspertëve, në kundërshtim absolutisht me ligjet si e si t’i japë duart sa më parë.

Ku qëndron PD? PD qëndron se pas Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, Erion Veliaj është hajduti më i madh i shqiptarëve në histori. Por, nga ana tjetër, asnjë njeriu, cilido qoftë ai, kurrë nuk mund t’i mohohen ato të drejta që i garanton ligji dhe Kushtetuta. Ky është qëndrimi ynë.

Tani, kanë qarkulluar shumë, të themi gosipe. Njëri prej tyre është se burgu ka lajme dhe gosipe. Njëri prej tyre është se para tre netësh e nxorën nga burgu dhe e çuan në drejtim të paditur. Të kalamendur.

Sa është e vërtetë, muret e burgut e dinë. Por e vërteta është se gosipi i asaj ndërtesë këtë thotë.

E thashë këtë se Edi Rama është i tmerruar nga Erion Veliaj dhe do ta shohë me çdo kusht të asgjësuar. Politikisht të paktën, mos edhe për atë tjetrën, por atë nuk e di.

Por ta nxjerrësh atë tjetrin në orën 12 të natës të kalamendur dhe ta nisësh në drejtim të paditur, kjo absolutisht është një aktakuzë direkt për Ramën. Ku shkoi ai? Ku e çoi atë? Mori autorizim apo nuk mori autorizim? Apo përdori vetëm këtë papagallin e Ulsiut, Lamallarin, për të urdhëruar nxjerrjen e tij në 12 të natës, këtë nuk e dimë.

Megjithatë, ajo që ne qëndrojmë është respektimi i të drejtave të çdo njeriu kudo që ndodhet.

Zgjedhjet, jo vetëm politike por edhe kushtetuese

0

Shkruan Zef Ndreka

Pezullimi i dekretit të Presidentit nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet e Bashkisë Tiranë përbën një moment të rëndësishëm institucional. Vendimi tregon se Gjykata ka konsideruar të nevojshme të ndalojë procesin, për të shmangur pasoja të pariparueshme, nëse më pas dekreti do të shpallej antikushtetues.
Ky veprim nuk është një vendim përfundimtar mbi vlefshmërinë e dekretit, por një masë e përkohshme mbrojtëse. Në thelb, ai rikthen ekuilibrin mes institucioneve dhe e vendos çështjen në rrugën e shqyrtimit të qetë dhe ligjor.
Ndërkohë, procesi zgjedhor në Tiranë ndalon, derisa Gjykata të vendosë në themel. Kjo tregon se vendimmarrja për zgjedhjet nuk është vetëm një akt politik, por mbi të gjitha një akt kushtetues që kërkon respektim të rreptë të procedurave.
Në plan më të gjerë, ky rast është një provë për pjekurinë e shtetit shqiptar dhe për mënyrën si institucionet e tij trajtojnë situata tensioni pa kaluar në krizë politike.
Por pa kaluar 24 orë nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të Presidentit mbi zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, ky vendim po interpretohet ndryshe nga analistët. Një pjesë e sheh si shenjë përplasjeje mes institucioneve, madje si dështim të rolit të Presidentit që, sipas tyre, është përdorur politikisht nga mazhoranca për të legjitimuar procesin zgjedhor.
Megjithatë, ky zhvillim duhet parë në dritën e funksionimit normal të një shteti demokratik. Vendime të tilla, ku Gjykata Kushtetuese pezullon ose rrëzon akte të qeverisë apo të Presidentit, nuk janë shenjë krize, por dëshmi se institucionet po ushtrojnë kontrollin e ndërsjellë që garanton Kushtetuta.
Raste të ngjashme ka pasur edhe më parë në Shqipëri, si vendimi për rrëzimin e marrëveshjes me Greqinë për ujërat detare, por edhe në vendet më të konsoliduara perëndimore, ku balanca midis pushteteve është themel i sistemit demokratik.
Në këtë kuptim, pezullimi aktual duhet lexuar jo si përplasje politike, por si një proces institucional që i jep drejtësisë vendin që i takon në zgjidhjen e çështjeve të ndjeshme për shtetin.

Fitorja e parë e Veliajt dhe kantieri politik që hapi Kushtetuesja

0

Shkruan Ylli Pata

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese praktikisht i tha “JO” shkarkimit të kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Tiranës, thjeshtë se nuk është paraqitur në punë.

Shpallja do të ndodhë më 31 tetor, kur ndërrohet edhe ora, porn ë vija të trasha do të vërë një precedent, të rëndësishëm. Që realisht është një fitore për Erion Veliajn, të burgosur e të bllokuar në një regjim të rreptë izolimi.

Një vendim që vjen edhe si një “hakmarrje” kushtetuese për dy precedentët që fitoren e siguruan “postmortem”, pasi ishin zgjedhur pasuesit. Përkatësisht Kryeprokurorët e Republikës Arben Rakipi dhe Theodhori Sollaku, shkarkimet e të cilëve u konsideruen antikushtetuese, por që nuk u konkretizuan.

Erion Veliaj sot është kryetar i bashkisë së Tiranës, pasi i tillë është zgjedhur nga vota e shumicës së qytetarëve me të drejtë vote. Një zyrtar i zgjedhur, nuk është një burokrat që mund t’i vësh kamera për të parë a vjen në 8 e ikën në 4. Gjë që në administratën e sotme është një hipokizi, pasi nëse titullarit apo titullares i shkrep që njerëzit të rrijnë në punë deri në 10 të natës, kjo ndodh ditë për ditë, edhe të shtunë e të dielë, edhe pse është shpelje me të dyja këmbët e ligjeve të Republikës.

Veliaj, ka vënë nëpërmjet një nisme ligjore, një të drejtë që Kushtetuta ja jep një të zgjedhuri por që mund ta heq për arsye “pragmatike” një drejtues politik për të zgjidhur një çështje qoftë edhe për të mirën e qytetit.

Kushtetuta është e para! Ky është vendimi që i ka dhënë Erion Veliajt pas tetë muajsh burgosje një fitore reale politike. E sipas gjasave pritet dhe është normale një qëndrim publik i tij për këtë verdikt. i cili ka frenuar më në fund revanin se mund të buburrosh në nene nëse do të gjesh një zgjidhje, që nuk ka lidhje. Që do të thotë Erion Veliaj nuk shkarkohet dot.

Por kjo nuk do të thotë se drejtimi i bashkisë mund të mos ketë zgjidhje. Në shumë vende të botës kemi raste të delegimit të një zyrtari të qeverisë kur ka ndodhur një rast i ngjashëm. Në Itali ka ndodhur shpesh, por natyrisht janë juristët ata që duhet ta bëjnë debatin në këtë aspekt.

Ama politikisht, kjo fitore e Erion Veliajt në gjykatë, hap një kantier të ri për Tiranën. i cili nuk ka përs t jetë as i rastësishëm e as i beftë, por i menduar me logjikën e re që po hap dhe kushtetuese. Që Tirana nuk është një mësimorë për të shtruar makinën e radhës, por një kantier politik dhe idesh për të ngritur identitetin e së ardhmes së vendit.

Ku nuk mund të bëjnë betejë zgjedhjet rastësore të një establishment, por idetë e një projekti të menduar që në radhë të parë është politik. A do të ndodhë kështu? Kushtetuesja ka dhënë shumë mundësi…

Mocion per shkarkimin nga detyra te Bajram Begaj, President i Republikes se Shqiperise

0

Gjatë mbledhjes, Sali Berisha deklaroi se: “ opozita nuk tërhiqet nga të drejtat e saj kushtetuese” dhe paralajmëroi një mocion ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. “Edhe mocioni ndaj atij vasalit të Ramës, duhet ta bëjmë. Ai është një figurë kukull. Ajo bëhet vetëm për postin e presidentit, se për një kukull nuk ia vlen të ndërmarrësh asnjë lloj veprimi.

Por ne e ndërmarrim në respekt të institucionit të presidentit, që duhet të jetë një institucion që të mbrojë Kushtetutën. Se një ditë futet nën tavolinë, më tha stafi, ditën tjetër thotë në emër të shtetit. Çfarë shteti mor ? Ti je një vasal që turpëron shtetin. Prandaj edhe ajo duhet të jetë pa diskutim në rendin e ditës sikundër interpelanca me kreun e narkoshtetit dhe qeveritarët” , theksoi lideri i demokratëve, Sali Berisha.

Erion Veliaj ankimoi shkarkimin si kryebashkiak, Kushtetuesja pezullon dekretin e Presidentit për zgjedhjet

0

Më 2 Tetor, avokatët e Veliajt depozituan në Kushtetuese një ankim ndaj dekretit të Presidentit të Republikës, që shpalli vakancën në Bashkinë e Tiranës dhe vendosi datën e zgjedhjeve të pjesshme.

Me vendimin e Kushtetueses, do të thotë që zgjedhjet e pjesshme nuk do të zhvillohen.

Kështu ka sqaruar kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi sqaroi në LOG se nëse Gjykata Kushtetuese vendos për pezullimin e zgjedhjeve, ato nuk do të zhvillohen.

“Nëse vendos pezullim, zgjedhjet nuk do të zhvillohen, nëse i shpall të pavlefshme do të ribëhen”, tha ai në “LOG”.

PS ka zyrtarizuar tashmë Ogerta Manastirliun si kandidate për Bashkinë e Tiranës, ndërsa opozita ende nuk ka shpallur një emër zyrtar.

Ankimimi i Veliajt për dekretin e presidentit Bajram Begaj

Ai e cilëson dekretin antikushtetues, duke argumentuar se mandati i kryetarit të Bashkisë nuk është personal, por i sovranitetit të qytetarëve të Tiranës.

Veliaj mes të tjerash i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të mbrojë demokracinë. Më herët ai kishte ankimuar edhe vendimin e Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Bashkiak për shkarkimin e tij si të pambështetur në ligj dh Kushtetutë.

“Dekreti presidencial është contra Constitutionem (antikushtetues). Mandati i Kryetarit të Bashkisë nuk është mandat personal, por shprehje e sovranitetit të qytetarëve të Tiranës. Gjykata Kushtetuese të veprojë me mbrojtjen e menjëhershme të demokracisë përfaqësuese”, thuhet mes të tjerash në këtë ankimim të depozituar në GJK.

Në ankimim shpjegohet edhe moskompetenca e kreut të shtetit për dekretimin, duke e cilësuar “non grata”.

“Dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë është nxjerrë në një moment kur kompetenca kushtetuese e Presidentit nuk kishte lindur ende. Neni 115 i Kushtetutës nuk i jep Presidentit një kompetencë të përgjithshme dhe të pakushtëzuar për të shpallur zgjedhje sa herë që një organ vendor shkarkohet nga Këshilli i Ministrave; përkundrazi, ai e lidh këtë kompetencë në mënyrë të qartë dhe kumulative me dy rrethana: (i) mosushtrimin e së drejtës së ankimit brenda afatit 15-ditor; ose (ii) lënien në fuqi të shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese. Në mungesë të këtyre kushteve, kompetenca e Presidentit është non nata – ende e palindur juridikisht”, thuhet ms të tjerash.

Nëpërmjet ankimimit të depozituar nga përfaqësuesit e tij ligjorë, Veliaj shprehet se ky dekretim dhe shkarkim në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës krijon një precedent të rrezikshëm për më tej.

Ankimimi i ish-kryebashkiakut Erion Veliaj në Gjykatën Kushtetuese:

“SHTIM OBJEKTI DHE SUBJEKTI TË INTERESUAR:

Duke qenë se ditën e djeshme, rreth orës 16:00, Presidenti i Republikës, në shkelje flagrante të garancive kushtetuese që kërkuesi gëzon ndaj shkarkimit si i zgjedhur vendor, sipas të cilave, në rast se Kryetari Bashkisë ndaj të cilit është marrë një vendim shkarkimi, e ankimon vendimin e shkarkimit brenda 15 ditësh në Gjykatën Kushtetuese, vendimi për shkarkimin pezullohet dhe Presidenti i Republikës mund ta caktojë datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse vetëm në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, me urgjencë, paraqesim shtimin e subjektit të interesuar dhe objektit të kërkesës së depozituar në Gjykatën Kushtetuese, në të cilin kundërshtojmë shkarkimin nga detyra e Kryetarit të Bashkisë, duke shtuar si më poshtë vijon:

SUBJEKT I INTERESUAR: PRESIDENTI I REPUBLIKËS

OBJEKTI: Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si i papajtueshëm me paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës.

Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës i njeh ankimit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë, ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.

* * *

Në lidhje me legjitimimin për kërkimin e shfuqizimit të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, vlerësojmë të theksojmë se z. Veliaj nuk po e kundërshton këtë dekret si një votues dhe as si një formacion politik i prekur nga data e zgjedhjeve, si p.sh. në të drejtën e tij për të zgjedhur ose për t’u zgjedhur; por e kundërshton atë në kuadër të garancive kushtetuese të nenit 115 të Kushtetutës, që kërkuesi, si i zgjedhur vendor, i gëzon në procedurat e shkarkimit nga funksioni i Kryetarit të Bashkisë.
Pra kërkuesi e kundërshton dekretin si një akt të dalë në shkelje të garancive kushtetuese që ai i gëzon si i zgjedhur vendor në procedurat e shkarkimit, një ndër të cilat është garancia kushtetuese e parashikuar në paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës, sipas të cilave në rast se Kryetari Bashkisë ndaj të cilit është marrë një vendim shkarkimi, e ankimon vendimin e shkarkimit brenda 15 ditësh në Gjykatën Kushtetuese, vendimi për shkarkimin pezullohet dhe Presidenti i Republikës mund ta caktojë datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse vetëm në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese. Në rastin konkret, siç do të argumentohet në vijim, Presidenti i Republikës, përmes këtij dekreti që cakton datën e zgjedhjeve ka cenuar garancinë kushtetuese që kërkuesi, si i zgjedhur vendor, gëzonte në rast shkarkimi. Më konkretisht, të drejtën që, për sa kohë kërkuesi, brenda 15 ditësh nga shkarkimi i tij si Kryetar Bashkie ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij, Presidenti nuk mund të caktonte datën e zgjedhjeve, për sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk kishte shqyrtuar ende kërkesën dhe nuk kishte vendosur lënien në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kërkuesit nga funksioni i Kryetarit të Bashkisë. Edhe vetë Gjykata Kushtetuese, pyetur nga mediat në datë 30.09.2025 ka konfirmuar se në përputhje me Nenit 115 të Kushtetutës, në rast ankimi, vendimmarrja e mëtejshme lidhur me zgjedhjet në këtë bashki “pezullohet automatikisht”.
Dekreti i Presidentit që cakton datën e zgjedhjeve në një bashki ku vendimi i shkarkimit është pezulluar në bazë të nenit 115/2 të Kushtetutës, përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë kushtetuese të qeverisjes vendore, si dhe në integritetin e mandatit të një organi të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët me votë demokratike, si shprehje e ushtrimit të sovranitetit qytetar. Autonomia vendore, siç garantohet në nenin 13 të Kushtetutës dhe në aktet ndërkombëtare për vetëqeverisjen vendore, nuk është një atribut abstrakt, por realizohet konkretisht përmes përfaqësimit legjitim që ka një individ i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë për të ushtruar funksione publike në nivel vendor. Në këtë kuptim, Kryetari i Bashkisë nuk është thjesht një funksionar që mban një post administrativ; ai është shprehja institucionale e sovranitetit qytetar dhe mishërim i drejtpërdrejtë i demokracisë përfaqësuese. Për këto arsye, mandati i tij gëzon mbrojtje të posaçme kushtetuese përballë ndërhyrjeve të parakohshme të pushtetit qendror. Pikërisht për këtë arsye, neni 115 i Kushtetutës sanksionon pezullimin ipso jure të efektit të shkarkimit deri në vendimin të Gjykatës Kushtetuese, si një garanci materiale dhe proceduriale për vazhdimësinë e përfaqësimit vendor dhe për të ndaluar çdo ndërhyrje të njëanshme (interventus unilateralis) që do të zëvendësonte një mandat ende të papërfunduar. Në këtë kuadër, Kryetari i Bashkisë, si mbajtës legjitim i një mandati kushtetues ende të pashfuqizuar, ka jo vetëm një të drejtë, por një interes kushtetues superior dhe të privilegjuar për të kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese, me qëllim ruajtjen e përmbajtjes dhe kuptimit real të mandatit gjatë fazës së pezullimit. Dekreti i Presidentit, që synon të prodhojë pasoja juridike sikur mandati ka marrë fund para shprehjes të Gjykatës Kushtetuese, krijon një gjendje fait accompli (fakti të kryer) që zbraz mandatin nga substanca e tij kushtetuese, duke cenuar ipso facto të drejtën e komunitetit për të qenë i përfaqësuar nga zgjedhja e bërë përmes votës.
Neni 115 i Kushtetutës, duke sanksionuar qartë pezullimin ipso jure të efekteve të një vendimi për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë deri në shqyrtimin dhe vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, vendos një barrierë kushtetuese absolute ndaj çdo akti që paracakton zhvillimin e zgjedhjeve vendore në njësinë përkatëse. Presidenti, përmes dekretit objekt shqyrtimi, ka vepruar sikur kjo garanci të mos ekzistonte, duke e injoruar atë dhe duke e trajtuar shkarkimin si të përfunduar në një moment kur ai ishte pezulluar ipso jure nga vetë norma kushtetuese. Duke shpallur vakancën mbi bazën e një akti të pezulluar (vendimi i Këshillit të Ministrave), Presidenti e ka shndërruar dekretin e tij në një akt nullus effectus– juridikisht të pavlefshëm dhe pa pasoja. Ky veprim përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në garancitë kushtetuese të një të zgjedhuri me votë të lirë, duke cenuar njëkohësisht: (i) të drejtën themelore për të mos u shkarkuar arbitrarisht dhe për t’iu garantuar një shqyrtim i plotë nga Gjykata Kushtetuese përpara se shkarkimi të prodhojë pasoja të pakthyeshme (due process of laë); dhe (ii) të drejtën për të mos ndërprerë një mandat të prodhuar nga sovraniteti i qytetarëve të Tiranës me një afat kushtetues katërvjeçar, duke cenuar kështu edhe parimin kushtetues të “check and balance”, i shprehur në këtë rast përmes respektimit të kufijve të autonomisë vendore.
Në këtë kuadër, legjitimimi i kërkuesit për të kundërshtuar dekretin e Presidentit nuk mund të vihet në diskutim. Ai nuk është një qytetar i zakonshëm që shpreh pakënaqësi për një datë zgjedhjesh, as një parti politike që kërkon avantazh elektoral nga afatet e zgjedhjeve; por është Kryetari i Bashkisë i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë, i cili gëzon një status kushtetues të posaçëm dhe mbrohet nga një garanci e qartë juridike kundër ndërhyrjeve të parakohshme të pushtetit qendror në procedurat e shkarkimit. Mandati i tij nuk është një privilegj personal, por një ius proprium populi – një e drejtë e vetë sovranit qytetar, që nuk mund të cënohet pa vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, dekretet presidenciale që cenojnë drejtpërdrejt këtë garanci nuk janë thjesht të paligjshme, por akte contra Constitutionem (antikushtetuese), sepse godasin në zemër vetë demokracinë përfaqësuese – bazën mbi të cilën ngrihet dhe mbahet i gjithë sistemi ynë juridik. Ato bien ndesh me frymën dhe preambulën e Kushtetutës sonë, që përcakton qartë se shteti shqiptar ndërtohet mbi parimet e demokracisë, të ndarjes e balancimit të pushteteve dhe të sovranitetit popullor. Cenimi i kësaj baze nuk është një shkelje formale, por një deformim substancial i asaj që jemi dhe synojmë si shoqëri demokratike.Në rradhë të parë vlerësojmë të sjellim në vëmendjen e Gjykatës Kushtetuese se përmes Opinionit nr.959/2019, datë 14.10.2019 të Komisionit të Venecias “Mbi fushën e kompetencës së Presidentit për caktimin e datave të zgjedhjeve” në Republikën e Shqipërisë, miratuar nga Komisioni i Venecias, në sesionin e tij të 120-të plenar, lidhur me vendimmarrjen e mësipërme të Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese, në faqen 17, footnote nr. 35, Komisioni i Venecias, me fjalë tjera, rekomandon që Gjykata Kushtetuese pas konstituimit të saj, të mund ta rivlerësojë sërish vendimmarrjen e mësipërme të vitit 2017, lidhur me karakterin e dekretit të Presidentit për caktimin e zgjedhjeve. Më konkretisht:
Pasi të jetë konstituuar, Gjykata Kushtetuese mund të ketë gjithashtu rastin të vendosë nëse do të mbështesë vendimin e saj të vitit 2017, sipas të cilit caktimi i datës së zgjedhjeve është një akt administrativ individual, apo nëse do të arrijë në përfundimin se ky është një akt normativ, kontrolli mbi të cilin bën pjesë në kompetencën e saj.

Në këtë kuadër, legjitimimi i kërkuesit për të kundërshtuar dekretin e Presidentit nuk mund të vihet në diskutim. Ai nuk është një qytetar i zakonshëm që shpreh pakënaqësi për një datë zgjedhjesh; nuk është as një parti politike që përpiqet të fitojë avantazh elektoral nga afatet e zgjedhjeve; por është Kryetari i Bashkisë i zgjedhur me votë popullore, i cili gëzon një status kushtetues të posaçëm dhe i cili është i pajisur me një garanci të qartë juridike që e mbron nga veprimet e parakohshme të organeve të tjera të pushtetit, në procedurat e shkarkimit. Prandaj, dekretet e Presidentit, kur cenojnë drejtpërdrejt këtë garanci, janë akte që bien ndesh me vetë arkitekturën kushtetuese të balancës së pushteteve dhe të mbrojtjes së të drejtave të zgjedhura popullore, të cilat garantohen nga neni 115 i Kushtetutës.
Vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin dhe dekreti i Presidentit për caktimin e zgjedhjeve nuk janë dy akte të pavarura, por dy hallka të së njëjtës çështjeje kushtetuese. Vendimi i parë (shkarkimi) është shkaku juridik, ndërsa i dyti (dekretimi i zgjedhjeve) është pasoja e drejtpërdrejtë e tij. Nëse vendimi i Këshillit të Ministrave është i pezulluar ipso jure nga neni 115, paragrafi i dytë dhe i tretë, atëherë edhe çdo akt pasues që presupozon vlefshmërinë e tij është, po ashtu, i pezulluar ose i pavlefshëm. Kjo krijon një lidhje organike (connexité) ndërmjet dy akteve, e cila nuk mund të copëzohet në gjykata të ndryshme. Nëse vendimi i Këshillit të Ministrave shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa dekreti i Presidentit shqyrtohet nga gjykatat administrative, atëherë kemi rrezik të vendimeve kontradiktore dhe një situatë juridike të pakoordinuar: mund të ndodhë që Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë shkarkimin, ndërkohë që gjykata administrative të lërë në fuqi dekretin për zgjedhjet, duke çuar në një realitet absurd ku një Kryetar Bashkie i rikthyer në detyrë përballet me zgjedhje të reja tashmë të shpallura.
Dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë është nxjerrë në një moment kur kompetenca kushtetuese e Presidentit nuk kishte lindur ende. Neni 115 i Kushtetutës nuk i jep Presidentit një kompetencë të përgjithshme dhe të pakushtëzuar për të shpallur zgjedhje sa herë që një organ vendor shkarkohet nga Këshilli i Ministrave; përkundrazi, ai e lidh këtë kompetencë në mënyrë të qartë dhe kumulative me dy rrethana: (i) mosushtrimin e së drejtës së ankimit brenda afatit 15-ditor; ose (ii) lënien në fuqi të shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese. Në mungesë të këtyre kushteve, kompetenca e Presidentit është non nata – ende e palindur juridikisht. Në rastin konkret, Kryetari i Bashkisë e ushtroi në afat të drejtën e ankimit dhe kjo aktivizoi pezullimin ipso jure të efektit të shkarkimit. Ky pezullim është i menjëhershëm, absolut dhe i pavarur nga çdo vlerësim i mëvonshëm. Për rrjedhojë, vendi i Kryetarit të Bashkisë nuk mund të konsiderohet vakant dhe kompetenca e Presidentit për të shpallur zgjedhje nuk ka lindur. Çdo dekret që presupozon të kundërtën është kundra Kushtetutës dhe juridikisht pa efekte.
Shkelja bëhet akoma më e rëndë në momentin kur Presidenti, duke nxjerrë dekretin, ka marrë rolin e një autoriteti që përcakton kompetencën e gjykatave dhe raportet mes juridiksionit kushtetues dhe atij administrativ, duke vlerësuar në mënyrë të njëanshme se ankimi i Kryetarit të Bashkisë ndaj vendimit të shkarkimit nuk i përkiste Gjykatës Kushtetuese, por një gjykate tjetër, dhe për këtë arsye ai vijon me caktimin e datës së zgjedhjeve. Kjo qasje është ultra vires dhe në kundërshtim flagrant me parimin e ndarjes së pushteteve. Kushtetuta nuk e ngarkon Presidentin me funksione interpretuese apo gjyqësore për të përcaktuar organin kompetent të shqyrtimit; ky rol i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese. Duke vepruar sikur vendimi i Këshillit të Ministrave ka hyrë në fuqi, duke shpallur vakancën dhe nxjerrë dekret për zgjedhje të reja, Presidenti ka uzurpuar atributet e Gjykatës Kushtetuese, duke vetëvendosur se kjo gjykatë nuk është kompetente – një gjë që Kushtetuta nuk ia lejon. Asnjë organ i pushtetit, sado i lartë në hierarki, nuk mund të marrë vendime që bien ndesh me efektet që lindin ipso jure nga norma kushtetuese dhe që janë rezervuar për interpretim vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
Në këtë kuadër, dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti për Bashkinë e Tiranës nuk është një akt teknik, por një akt me efekt konstitutiv për përfundimin e mandatit ekzistues dhe nisjen e një cikli të ri përfaqësues. Për këtë arsye, ai nuk mund të ndodhë kurrsesi në një moment kur mandati në fuqi mbrohet ende nga pezullimi ipso jure i parashikuar në nenin 115 të Kushtetutës. Caktimi i zgjedhjeve për një bashki ku vijon të ketë një subjekt të mbrojtur nga ky efekt pezullues, siç është z. Veliaj, është një akt që sfidon drejtpërdrejt parimin e përfaqësimit demokratik, duke ndërhyrë në marrëdhënien juridike midis zgjedhësve dhe të zgjedhurit, marrëdhënie që mund të prishet vetëm me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë, dekreti presidencial që shpall zgjedhjet pa konsumuar procedurën e kontrollit kushtetues, cenon natyrën substanciale të zgjedhjes demokratike dhe është, në thelb, një akt i rëndë antikushtetues, pasi godet garancitë strukturore të shtetit të së drejtës, të demokracisë përfaqësuese dhe të autonomisë vendore – vetë bërthamën e rendit kushtetues.
Në këto kushte, zbatimi i dekretit të Presidentit, përpara se Gjykata Kushtetuese të ketë vendosur mbi ligjshmërinë e shkarkimit, rrezikon të prodhojë pasoja të rënda, të parikthyeshme dhe me ndikim të gjerë, që prekin jo vetëm pozitën institucionale të një të zgjedhuri vendor, por edhe interesat shtetërore, shoqërore dhe të qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e fundit me mandat kushtetues katërvjeçar. Krijimi i një vakance të pavërtetuar ligjërisht dhe organizimi i një procesi zgjedhor mbi një bazë juridike të kontestuar minon legjitimitetin e zgjedhjeve, shkakton konfuzion institucional dhe vendos Gjykatën Kushtetuese përballë një situate fait accompli, duke e bërë të pamundur rikthimin e status quo-së që Kushtetuta kërkon të garantojë përmes pezullimit automatik. Pasojat e mundshme janë:
(1) Organizimi i zgjedhjeve në një bashki ku nuk ekziston vakancë juridike do të ishte një proces nullus effectus, i paqëndrueshëm juridikisht, që do të cënonte integritetin e sistemit zgjedhor dhe do të vinte në dyshim çdo rezultat të dalë prej tij.

(2) Institucionet shtetërore, përfshirë KQZ-në, do të detyroheshin të shpenzonin burime njerëzore, administrative dhe financiare për zbatimin e një dekreti potencialisht antikushtetues, duke prodhuar dëm publik të pajustifikuar.

(3) Qytetarët e Tiranës do të përballeshin me një proces zgjedhor të imponuar politikisht, mbi një mandat ende në fuqi, duke cenuar besimin në rendin kushtetues dhe duke krijuar pasiguri politike e institucionale, përfshirë rrezikun e anulimit të mëvonshëm të zgjedhjeve si të pavlefshme. Çdo ndërhyrje që synon ndërprerjen e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë përpara përfundimit të tij bie ndesh me parimin e demokracisë përfaqësuese, sepse i mohon komunitetit të drejtën për t’u përfaqësuar nga zgjedhja e bërë prej tyre në vitin 2023, kundër vullnetit të tyre të shprehur tashmë për një afat 4-vjeçar. Ky vullnet është pjesë e sovranitetit popullor dhe nuk mund të anashkalohet nga vendime të njëanshme të pushtetit qendror, pa një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

(4) Vetë Gjykata Kushtetuese, nëse nuk pezullon menjëherë dekretin, do të gjendej përpara një realiteti të kryer ku edhe një vendim i saj shfuqizues nuk do të mund të rivendoste gjendjen e mëparshme, pasi procesi zgjedhor do të kishte prodhuar pasoja të pakthyeshme, përfshirë zgjedhjen e një kryetari të ri.

(5) Nëse lejohet kjo praktikë, krijohet një precedent i rrezikshëm: zëvendësimi i një të zgjedhuri vendor përmes zgjedhjeve të reja, përpara se Gjykata Kushtetuese të vendosë mbi vlefshmërinë e shkarkimit. Një mekanizëm i tillë e shndërron procedurën e shkarkimit në instrument politik, në kundërshtim me parimin e separatio potestatum dhe me arkitekturën mbrojtëse të nenit 115, duke cenuar jo thjesht një mandat individual, por vetë rendin kushtetues dhe demokracinë përfaqësuese.

(6) Ky rast do të krijonte gjithashtu një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm: do të mjaftonte një masë sigurimi personal ndaj çdo të zgjedhuri vendor për të justifikuar shkarkimin e tij nga detyra, duke prodhuar një mekanizëm të institucionalizuar ku tre organe – Këshilli Bashkiak, Këshilli i Ministrave dhe Presidenti – ndërhyjnë në mënyrë të koordinuar për të larguar një të zgjedhur lokal. Një praktikë e tillë do të krijonte perceptimin publik të fajësisë për një person ende të pafajshem dhe do të sillte cenim të rëndë institucional të parimit të prezumimit të pafajësisë, i cili është një prej gurëve themeltarë të due process -procesit të rregullt ligjor”.

I akuzuari për tentativë vrasjeje vetëdorëzohet, policia gënjen shqiptarët: E kapëm ne

0

Policia e Korçës ka njoftuar arrestimin e 30-vjeçarit Sindi Syzo, i shpallur në kërkim në janar 2025 për “vrasje me dashje”, mbetur në tentativë.

30-vjeçari rezulton të jetë vetëdorëzuar në Policinë e Korçës, në orën 14:00 të ditës së djeshme.

Sipas “A2 CNN”, 30-vjeçari Sindi Syzo është paraqitur në Komisariatin e Policisë Korçë, i shoqëruar nga avokati i tij, Lauren Thomollari.

Ngjarja për të cilën akuzohet i riu ka ndodhur në 11 janar 2025, në lagjen nr.1 të Pogradecit. Pas një konflikti verbal me 23-vjeçarin N. Agolli në një berberhane, 30-vjeçari e ka qëlluar me një fletë sharre, duke e dëmtuar në kokë dhe krah.

Ndaj autorit të dyshuar, Sindi Syzo, Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.

Në deklarimin e parë të tij, i dyshuari ka pretenduar se ishte kërcënuar dhe përndjekur nga 23-vjeçari dhe se ditën e ngjarjes ishte kërcënuar verbalisht prej tij.

Donald Trump: Arrihet marrëveshja Izrael-Gaza, sot tërhiqen trupat

0

Izraeli dhe Hamasi janë dakordësuar për fazën e parë të planit të paqes nga SHBA në Rripin e Gazës. Donald Trump, i cili bëri njoftimin përmes një postimi në Truth Social, thekson se shumë shpejt do të dorëzohen të gjithë pengjet izraelite dhe se IDF do të tërheqë të gjithë trupat në një vijë të rënë dakord.

“Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar Fazën e parë të Planit tonë të Paqes. Kjo do të thotë që TË GJITHË pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të rënë dakord, si hapat e parë drejt një Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përjetshme. Të gjitha palët do të trajtohen në mënyrë të drejtë! Kjo është një DITË E MADHE për Botën Arabe dhe Muslimane, Izraelin, të gjitha kombet përreth dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ne falënderojmë ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, të cilët punuan me ne për ta bërë të mundur këtë Ngjarje Historike dhe të Pashembullt. TË BEKUAR QOFSHIN PAQËBËRËSIT!”, ka shkruar Trump.

Sipas mediave izraelite, marrëveshja do të nënshkruhet në orën 11:00 të mëngjesit, e më pas do të mbahet një mbledhje e kabinetit izraelit. IDF do të tërhiqet nga pjesa më e madhe e Rripit të Gazës (duke mbetur vetëm në Rafah) brenda 24 orëve të ardhshme, dhe pengjet e mbetura do të lirohen brenda 72 orëve. Presidenti i SHBA-së zhvilloi një telefonatë me Netanyahun, i cili e ftoi atë në Knesset.

Më parë, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, u largua nga konferenca për shtyp në Shtëpinë e Bardhë pasi mori një shënim nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ku i kërkohej të miratonte një postim në mediat sociale në lidhje me marrëveshjen midis Izraelit dhe Hamasit.

Hamasi tha të enjten se kishte arritur marrëveshjen pas bisedimeve mbi propozimin e presidentit amerikan, duke konfirmuar se marrëveshja përfshin një tërheqje izraelite nga enklava dhe një shkëmbim pengjesh-të burgosurish.

Hamasi i bëri thirrje Trump dhe shteteve garantuese të sigurohen që Izraeli të zbatojë plotësisht armëpushimin. Grupi tha gjithashtu se do të lirojë 20 pengjet ende gjallë që këtë fundjavë, me burime që thonë se një shkëmbim me të burgosurit palestinezë do të ndodhë brenda 72 orëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve, i cili pritet të jetë të enjten.

Në një intervistë më vonë të mërkurën, Trump tha se besonte se pengjet do të “ktheheshin” të hënën.

Duke iu përgjigjur njoftimit, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha: “Me ndihmën e Zotit, ne do t’i kthejmë të gjithë në shtëpi.”

POSTIMET E FUNDIT