Kreu Blog Faqe 98

Socialistët e Vlorës po e shohin shpëtimin e tyre tek kandidati i opozitës

0

Shkruan Gjergji Nika

Prej më shumë se një dekade, Partia Socialiste ka zotëruar jo vetëm pushtetin qendror, por edhe ka qeverisur në shumë bashki, përfshirë edhe Vlorën, të cilën e drejton qysh nga viti i mbrapshtë 1997.

Por gjatë kësaj kohe, struktura e brendshme e PS-së është kthyer nga një organizatë politike në një sistem të mbyllur klientelist. Vendimmarrja nuk i takon më socialistëve të thjeshtë, por një rrethi të ngushtë ekonomik që kontrollon çdo emërim dhe tender, duke bërë që shumë socialistë të ndihen të përjashtuar nga partia e tyre, të humbin zërin dhe dinjitetin politik.
Ata nuk shohin më tek PS një instrument për të ndryshuar jetën e tyre, por një makineri që punon për pak individë të lidhur me oligarkinë.

Vlora, dikur simbol i majtës së qytetëruar, është sot shembulli i paradoksit socialist: një qytet me shumë potencial ekonomik, kulturor e ekonomik të shndërruar në një model të shëmtuar të mbizotërimit të papunësisë, shtrenjtësisë, depresionit qytetar dhe largimit masiv të të rinjve.

Ndërkohë që oligarkët përreth pushtetit kanë ndërtuar vila e resorte, qytetarët e thjeshtë shohin që shërbimet publike janë degraduar, infrastruktura lokale është lënë pas dore dhe shkatërruar nga ai që e ka projektuar dhe duhet ta zbatonte, ndërsa korrupsioni dhe paftësia është përditshmëria e vlonjatëve..

Në këtë realitet, shumë socialistë “bio” ndihen politikisht pa strehë.
Ata nuk janë bërë opozitarë për ideologji, por për mbijetesë morale dhe qytetare.

Prandaj kandidati opozitar për zgjedhjet e pjesshme edhe nga socialistët duhet të shikohet si “shpresa e fundit” për një ndryshim real në qytet.

Në sytë e shumë socialistëve vlonjatë, kandidati opozitar është jo thjesht rival i kandidatit të Kryeministrit, por instrumenti i vetëm i mbetur për të çliruar qytetin nga kontrolli i oligarkëve.

Ai shihet si një mundësi për t’u rikthyer transparenca dhe llogaridhënia në bashki, ndalimi i abuzimeve me pronat publike dhe krijimi i një pushteti vendor që u përket qytetarëve, jo investitorëve të afërt me pushtetin qendror.

Në këtë kuptim, votimi për opozitën nuk është tradhti ndaj PS-së, por një formë rezistence ndaj kapjes së PS-së nga interesat private.

Socialistët e zhgënjyer nuk janë bërë papritur të djathtë. Ata kërkojnë vlera të majta të vërteta: barazi, drejtësi, ndershmëri dhe respekt për punën.
Kur këto vlera mungojnë brenda shtëpisë politike, qytetari i ndërgjegjshëm, qoftë edhe socialist, kërkon një rrugë tjetër edhe nëse ajo kalon përkohësisht nga opozita.

Në fakt, ky është një akt politik emancipues, pasi ndëshkon korrupsionin “tënd”, për të shpëtuar idetë, të cilat besove dikur.

Nëse Vlora do të shënojë një valë votash të socialistëve drejt opozitës, (gjë që kam shumë dyshime se do të ndodhë) atëherë kjo nuk duhet parë si një ndëshkim lokal, por një kambanë alarmi për PS-në në tërësi.
Tregues se elektorati i majtë po kërkon rikthimin e moralit politik, të meritokracisë dhe respektit për bazën.

Nëse PS nuk e kupton këtë sinjal, ajo rrezikon të humbasë jo vetëm pushtetin vendor, por edhe identitetin politik që e mbajti gjallë për tri dekada.

Nëse në Vlorë, në zgjedhjet e pjesshme lokale një pjesë e socialistëve bio votojnë kandidatin e opozitës, ata nuk votojnë kundër partisë së tyre, por për ta shpëtuar atë.
Ndaj i rikthehem titullit që kandidati opozitar është shpresa e fundit edhe për socialistët për drejtësi, barazi dhe dinjitet qytetar.

Prokurori Sotir Kllapi: “Vendosa të mos hyj në këtë garë dinjitoze”, tërhiqet një nga kandidatët e mundshëm për kreun e SPAK

0

Pas raportimeve mediatike se kishte dorëzuar kandidaturën, prokurori i posaçëm Sotir Kllapi deklaroi se nuk do marrë pjesë në garë.

“Vendosa të mos hyj në këtë garë dinjitoze, por u uroj suksese kolegëve të nderuar“-është shprehur Kllapi.

Adnan Xholi dhe Doloreza Musabelliu kanë dorëzuar sot aplikimin për drejtues të SPAK, teksa sot (në mesnatë) është afati i fundit të lënë nga KLP për të aplikuar.
Kreut aktual të SPAK, Altin Dumanit i përfundon mandati si kreu i Prokurorisë së Posacme më 19 dhjetor të këtij viti.

Më herët ka dorëzuar aplikimin Klodjan Braho dhe Elvin Gokaj. Pra deri më tani katër prokurorë kanë aplikuar për të qenë në krye të SPAK, por nuk dihet ende nëse do të ketë ndonjë aplikim tjetër deri në fund të ditës së sotme.

Florian Binaj, kryebashkiaku që i ka munguar Tiranës

0

Shkruan Armand Maho

Kandidimi i një profili si Florian Binaj mund të thuhet me plot gojën se është një risi për realitetin shqiptar. S’ka ndodhur asnjëherë në këto 34 vite që një forcë politike të mbështesë një kandidaturë tërësisht të pavarur, pa e testuar më parë për “besnikërinë” politike ndaj saj.

Edhe Edi Rama, i cili u mendua se do të ishte risi në vitin 2000, kur mori Bashkinë, nuk ishte aspak i tillë. Ai nuk ishte as i pavarur dhe as jopartiak. Nano e dinte se, pavarësisht jetës prej bohemi që ai kishte provuar rrugëve të Parisit, nuk ishte gjë tjetër veçse një karrierist i çmendur. Me idenë se mund ta përdorte si ‘qen sulmi’ kundër opozitës së kohës, ai e mori dhe e ngjiti në majat më të larta të politikës – derisa “qeni i tij” i ktheu përfundimisht dhëmbët të zot për ta “vrarë” politikisht.

Rama edhe më parë kishte tentuar të hynte në politikë, duke u munduar të infiltrohej djathtas, në një tentativë që rezultoi pa sukses në fillim të viteve 1990.

Ndërsa profili i Florian Binajt është krejt ndryshe. Është i ngritur vetë, në bazë të punës dhe aktivizmit të tij. Pra, Binaj s’ka pasur nevojë as për Berishën dhe as për Ramën. Madje, takimet dhe vlerësimet i ka pasur më shumë nga ky i fundit – një strategji e kahershme e kryeministrit për të joshur çdo zë kundërshtar në këtë vend.

E pra, duke e njohur Ramën, Binaj mund të ishte bërë investitor strategjik, ose deputet apo kryetar bashkie në ndonjë qytet të vogël kur të donte, sepse shembujt i kishte. A nuk ishte djali i Luftar Pajës, ai Erjoni i Ersekës, që përfituan jo pak nga pushteti? Po të tjerë e të tjerë që s’po i përmendim, që kanë marrë fonde me thasë nga Erion Veliaj dhe vetë Rama për shërbimet që i kanë bërë.

Kjo do ishte rruga më e lehtë.

Binaj, si pakkush i profilit të tij, i qëndroi larg këtij tundimi. Përkundrazi, zgjodhi rrugën më të vështirë – atë të kundërshtimit të asaj që ai e quante të padrejtë. Në vend që të ishte zgjatim i pushtetit, ai vendosi të përballej me të, natyrisht me aq sa mundej.

Ai kuptoi se problemet e Tiranës, qyteti ku ka krijuar familjen, nuk mund të zgjidheshin duke i shërbyer Ramës, por duke u përballur me të.

Binaj nuk i përket asnjë krahu politik. Është tipi i individit që nuk i intereson çfarë thotë Rama apo Berisha, por kërkon që gjërat të shkojnë ashtu siç duhet. Përfaqëson atë pjesë të papërfaqësuar kurrë, që i ka qëndruar larg politikës, por s’ka ngurruar kurrë të ngrejë zërin kundër së keqes. Herë me humor, herë me altoparlant në dorë, ai ka bërë atë që ka besuar – pa përfituar asgjë dhe pa kërkuar asgjë në këmbim.

Duke e parë në këtë prizëm, ai ka marrë iniciativën që të përballet vetë me Edi Ramën, dhe të amortizojë me sa mundet këtë aksident fatkeq që na është bërë “peshqesh” që nga viti 2013.

Natyrisht, përballja është e vështirë me një pushtet që filozofinë e tij e ka ngritur mbi vjedhjen, krimin e organizuar dhe banditë të gjithfarëllojshëm.

Flori, i vetëm në një kandidim të tillë, s’do mund t’ia dilte kurrë. Partia Demokratike, kryetari i saj Berisha dhe opozita në tërësi, nuk bënë gjë tjetër veçse po mbështesin narrativën e një djaloshi të ri që ka rezultuar i suksesshëm në profesion, i suksesshëm në familje dhe komunitet, që kërkon një qytet më të mirë, të çliruar nga interesat e një njeriu maniak pas pushtetit dhe parasë. Natyrisht, është dhe një lëvizje e zgjuar politike.

Për të tjerat, Flori e ka treguar se më shumë se lirinë e tij nuk vlerëson asgjë – ashtu siç e ka thënë edhe në një intervistë televizive.

Ishte nga të parët që nuk iu nënshtrua diktatit të një regjisori. Ishte nga të paktët artistë që nuk u shitën te pushteti i Ramës dhe Veliajt, megjithëse mund ta bënte kur të donte. Dhe është nga të paktët sot që ngre zërin kundër zullumeve, nga cilido krah i politikës qofshin.

E parë në këtë prizëm, Binaj është kandidaturë e goditur, pavarësisht se patronazhistët e majtë, shërbëtorët e pushtetit, por pse jo edhe jo pak karrieristë, me ose pa lidhje nga opozita, e mbajnë pushkën ngrehur për ta sulmuar.

Të shohim nëse ata që justifikojnë “abstenimin” e tyre, me pretendimin se “nuk kanë alternativë”, çfarë do të zgjedhin këtë herë. Sepse alternativë më të mirë se Flor Binaj nuk ka si t’i vijë Tiranës

Kur gjykata harron historinë

0

Shkruan Zef Ndreka

Dëshmia e Rybin dhe hija e paragjykimit mbi luftën e Kosovës.
Në sallën e Gjykatës Speciale në Hagë, dëshmia e Rybin, njohës i zhvillimeve të luftës në Kosovë, ka lënë mbresa të forta, jo vetëm për çka tha, por për mënyrën si iu drejtuan gjyqtarët.
Në vend që të kërkonin të kuptonin realitetin e një lufte çlirimtare, ata duket se ishin të ngarkuar me një perceptim të ftohtë, gati të gatshëm se UÇK-ja, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka vepruar si një organizatë terroriste që, rastësisht, u ndihmua nga ndërhyrja ushtarake e Amerikës dhe NATO-s.
Ajo mënyrë pyetesh nuk është e pafajshme, pasi bart një paragjykim të thellë politik dhe një prirje për të riskenarizuar historinë.
Sepse, viktima dhe agresori barazohen dhe kjo është e pa tolerueshme.
Nqs një trup gjykues ndërkombëtar e nis hetimin me hipotezën se UÇK-ja ishte organizatë e paligjshme, atëherë bie dallimi themelor ndërmjet viktimës dhe agresorit.
Ky është gabimi më i madh moral që mund të bëjë drejtësia duke barazuar atë që rezistoi ndaj pushtimit me atë që vrau, dogji e dëboi popullsinë nga trojet e veta.
UÇK-ja nuk lindi për pushtet, as për hakmarrje. Ajo lindi nga dhimbja e një populli të shkelur, që për dekada i ishte mohuar çdo e drejtë njerëzore e kombëtare.
Lufta e saj nuk ishte agresion, por reaksion ndaj një regjimi që e kishte kthyer Kosovën në kamp të mbyllur.
A ka rrezik riskenarizimi i historisë?
Nqs në Hagë po përpiqen ta vendosin UÇK-në në bankën e të akuzuarve si “organizatë kriminale”, atëherë po ndërtohet një rishkrim i ri i historisë së Ballkanit.
Sipas këtij skenari, çlirimtarët dalin fajtorë, ndërsa aparati shtetëror serb që organizoi spastrim etnik, shfaqet si “mbrojtës i rendit”.
Ky do të ishte një sukses i dytë për propagandën serbe, jo në fushëbetejë, por në sallën e gjyqit.
Dhe nëse kjo ndodh, drejtësia ndërkombëtare do të ketë humbur një nga betejat e saj më të rëndësishme: betejën e së vërtetës.
Po NATO dhe morali i saj i ndërhyrjes?
Është paradoksale që të njëjtët që përfaqësojnë “vlerat perëndimore” duket se po harrojnë se vetë perëndimi ndërhyri ushtarakisht për të ndalur krimin.
NATO nuk bombardoi Serbinë për të mbështetur terrorizmin, por për të shpëtuar një popull nga zhdukja.
Në atë kuptim, UÇK-ja ishte krahu tokësor i ndërgjegjes ndërkombëtare, ndërsa ndërhyrja e NATO-s ishte mburoja qiellore e humanizmit.
Prandaj, çdo tentativë për ta kriminalizuar luftën e UÇK-së është, në thelb, kriminalizim i ndërgjegjes perëndimore.
A ishte Rybin, dëshmitari që u trondit?
Rybin, si shumë të tjerë që e kanë parë me sytë e tyre luftën, u trondit nga mënyra sesi pyetjet e gjyqtarëve nuk kërkonin të kuptonin kontekstin, por të gjenin fajtorë të paracaktuar.
Ai e pa vetë se UÇK-ja nuk ishte një strukturë terrori, por një organizatë e mbështetur nga njerëzit e thjeshtë, nga fshatrat, nga nënat që dërgonin djemtë në luftë për liri.
Pyetjet që mohojnë këtë realitet, janë pyetje që vrasin kujtesën.
Ndaj Gjyqi i Hagës sot është test për drejtësinë, jo për UÇK-në.
Në thelb, procesi ndaj Hashim Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij është më shumë një test për drejtësinë ndërkombëtare sesa për individët që po gjykohen.
Do të tregojë nëse bota ka mësuar nga historia apo jo.
Nqs UÇK-ja shpallet e dyshimtë, atëherë shpallet e dyshimtë edhe vetë ndërhyrja e NATO-s, edhe vetë morali i ndërhyrjes për të mbrojtur të pafajshmit.
Historia nuk mund të gjykohet me sy të verbër.
Drejtësia që harron kontekstin, kthehet në padrejtësi.
E në këtë rast, në Hagë nuk po gjykohet vetëm UÇK-ja, por po gjykohet vetë ndërgjegjja e Europës.

“Shërbëtor i Yuri Kim”, Astrit Kalaja u sulmua kur dha vendimin që rrëzoi Kuvendin e Berishës

0

Gazetari Poli Hoxha thotë se gjykatësi i vrarë të hënën në sallën e gjyqit, ka qenë pre e sulmeve politike në të shkuarën.

“Vetë ky ka qenë pre e sulmeve kur dha një vendim në Apel: vendimi i Zhukrit për Kongresin e PD-së. Mbaj mend atëherë, mediat pranë Berishës apo edhe eksponentë të tjerë e quajtën “shërbëtori i Yuri Kim-it”, është kështu, është ashtu”, tha Hoxha i ftuar në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.

Ai shtoi se të gjithë politikanët shqiptarë janë bashkëfajtorë të klimës ndaj gjykatësve dhe prokurorëve, pasi i sulmojnë sa herë që u preken interesat. “Po krijojmë një klimë anti-drejtësi dhe një front anti-drejtësi, i cili në një mënyrë apo në një tjetër infekton, helmon njerëzit, u jep guxim, i trimëron”, shtoi Hoxha.

“Pavarësisht se nga vjen, ne dëgjojmë që sa herë preket një interes, qoftë edhe për një lokal, del Kryeministri. Për një lokal që një gjyqtar në Apel i thotë IKMT-së se “ishte pronë e tij dhe s’ke të drejtë ta prishësh”, del Kryeministri vetë dhe sulmon. E njëjta gjë ndodh edhe nga opozita: del zoti Berisha me këdo gjyqtar apo prokuror që ka punë, apo edhe me vetë kreun e SPAK-ut. Nga mëngjesi deri në darkë janë kriminelë, janë shërbëtorë të këtyre”.

“Nëse ti, si politikan dhe drejtues i mazhorancës, dhe tjetri si drejtues i opozitës, krijoni një klimë të infektuar për gjithë drejtësinë, ai tjetri, pak pa shkollë, pak i nervozuar, pak edhe me prirje kriminale, arrin deri këtu”, tha Hoxha.

“Elvis, ti nuk je vrasës! Vrasëse ishte padrejtësia, fashikujt e humbur nëpër gjykata të pronës tënde”

0

Një ngjarje tragjike tronditi sistemin e drejtësisë në Shqipëri, kur gjyqtari i Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit nga Elvis Shkëmbi, një 30-vjeçar që ishte palë në një çështje civile pronësie.

Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe Ragip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir, gjithashtu të përfshirë në procesin gjyqësor.

Autori u vetëdorëzua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa xhaxhai i tij, Gjon Shkëmbi, dhe roja i gjykatës u arrestuan si persona të tjerë nën hetim për ngjarjen.
Së fundmi, ka reaguar edhe shoku i autorit nga gjimnazi “At Pjetër Meshkalla” , i cili në një prononcim për mediat është shprehur i tronditur dhe ka theksuar se Elvisi nuk ishte njeri problematik.

Elvis,
ti nuk je vrasës!
Vrasëse ishte padrejtësia, vrasës ishin ata fashikujt e humbur nëpër gjykata të pronës tënde, aty ku duhet të ishin të sigurtë.
Vrasës ishin seancat gjyqësore pa mbarim nëpër gjykata, vrasës ishin institucionet përgjegjëse që ju futën në konflikt të pa kthyeshëm.
Vrasëse ishte ajo fëmijëria jote e palumtur tek shikoje familjen tane dyerve te gjykatave duke kërkuar drejtësi.
Ti Elvis linde “Pronar” por jetoje me qera sepse pronën tane e gëzonte dikush tjeter, madje disa prej tyre kishin ndertue shtëpin e tyre dhe pronen tane e jepnin me qera.
Ti skishe mundësi te paguaje as qeranë Elvis!
Ty Elvis të rriti gjyshi nga nëna së bashku me motren tane, të rriti me shume mune e sakrifica, por ty Elvis te çoi me studiu në shkollat më të mira të qytetit te Shkodrës.
Elvis, ti ishe ai student i gjimnazit më të mirë në Shkodër “At Pjetër Meshkalla” që rrije i ndrojtur ne bankën tënde sepse nuk visheshe me rroba firmato por, ato që vishje i kishe të PASTRA . Ti ishe një ndër nxënësit më të mirë të Gjimnazit “At Pjetër Meshkalla”
Ti u diplomove për drejtësi Elvis, por ajo ta mori peng rininë!
Edhe nje herë:
Ti nuk je vrasës Elvis!
Zoti qoftë me ty!
E paç jetën e gjatë o djalë!
Të duam dhe të mbështesim fort !
Shkruar nga nje shok I gjimnazit “At Pjeter Meshkalla
Shkodër, me 07/10/2025

Gjon Shkëmbi në 202O-ën: Gjyqin për pronat e fitova, Gjakata më zhduku dokementet

0

Shkruan Albert Zadrima

Kur drejtësia pushon, nis vetëgjyqësia”
Ok, ngjarje e rëndë pa dyshim.
Vetëgjyqësia është model i mesjetës, një dështim i plotë i shtetit modern.
Kur një njeri merr ligjin në dorë, s’është vetëm tragjedi personale, por është akt dëshpërimi ndaj një sistemi të kalbur.
Por sot, më shumë se deklarata emocionale, duhet një investigim i thellë mbi realitetin e dosjes, provave dhe procesit gjyqësor.
Nuk është e vështirë të kuptohet nëse aty u dha drejtësi, apo u dhunua e drejta e pronarit.
Sepse drejtësia e vërtetë nuk është letra e vendimit, por është ndjenja e drejtësisë që ndjen qytetari.
Autori i ngjarjes e kishte paralajmëruar publikisht tragjedinë, kishte folur në media, kishte kërkuar ndihmë.
Shteti heshti.
Policia nuk ndërhyri.
Gjyqtari nuk u thellua sa duhet tek provat.
E në fund, një sallë gjyqi u kthye në varr të drejtësisë.
“Kur drejtësia blihet, krimi shet moralin.”
“Një shtet që nuk dëgjon viktimat, i prodhon vetë kriminelët.”
• “Kur qytetari humbet besimin tek ligji, ai gjen armën, jo zgjidhjen.”
Një sistem drejtësie që mbrohet vetëm me kamera, jo me ndërgjegje, është sistem i vdekur.
Sepse drejtësia nuk mbron dot askënd kur e humb shpirtin e vet.
Në një vend ku drejtësia varet nga urdhri, ku vendimet blihen dhe fajtorët paguajnë për t’u quajtur të pafajshëm, vetëgjyqësia nuk është më rastësi, është pasojë.
Dhe derisa shteti të ngrihet si garant i ligjit e jo si spektator i tragjedive, do të vazhdojmë të kemi krime që s’janë kundër njerëzve, por kundër shpresës.

Drejtësi e vrarë dy herë!

0

Shkruan Lutfi Dervishi

Vrasja e një gjyqtari brenda sallës së gjyqit nuk ishte thjesht një akt kriminal, por një shfaqje e dështimit institucional dhe, ç’është më e keqja, e kolapsit moral. Drejtësia u vra dy herë: një herë nga plumbi brenda “tempullit të ligjit” dhe një herë nga jo pak përgëzime që pasuan në rrjetet sociale. Një shoqëri që gëzohet për një vrasje, sepse e sheh atë si “drejtësi alternative”, ka vrarë më parë ndërgjegjen.

Kjo është fytyra e dhimbshme e një shoqërie që e ka humbur besimin tek drejtësia dhe e ka zëvendësuar atë me emocionin e momentit, me hakmarrjen si “shpagim” Kur sistemi dështon të japë drejtësi, njerëzit fillojnë ta marrin atë në dorë, dhe kur edhe kjo kthehet në spektakël publik, kemi hyrë në zonën gri ku krimi fillon të ngatërrohet me moralin.

Mund të jetë një imazh i teksti që thotë ":mè :mè vjen keq pèr djalin qè krye vrasjen se do bèjè burg, por or njè fjalè do ja them ...tè lumtè dora more djalè... se kèshtu e meritojnè tè gjithè kèta qelbèsira gè flasin e vendosin nèn emrin e drejtèsisè ..qè nè fakt puk kanè lènè padrejtèsi pa vepruar 4h J'amo Réponare 5"
Drejtësia nuk është shpagim, është proces. Nuk është pasion, por provë. Dhe asnjë padrejtësi, sado e rëndë, nuk mund të justifikojë marrjen e një jete. Kur vret një njeri është sikur ke vrarë gjithë njerëzimin – thuhet në librin e shenjtë.
Këto komente tregojnë një plagë shumë më të thellë: krizën e besimit tek institucioni i gjykatës dhe gjyqtarit. Reforma në drejtësi, e trumbetuar si një revolucion, u përqendrua në ndëshkimin e zyrtarëve të lartë, duke harruar thelbin – që drejtësia nuk është “peshk i madh” apo “i vogël”, por një sistem që funksionon për çdo qytetar. Ndërsa publiku priste rezultate spektakolare, dhjetëra mijëra dosje mbetën në sirtarë, qytetarët u zhytën në pritje të pafundme, dhe dosjet u kthyen në relike.
Nëse para vitit 2016 një proces zgjaste mesatarisht 2 apo 3 vjet, sot ka çështje që zgjasin 15 apo 20 vjet. Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Dhe kur vetë Kryeministri pret 7 vjet për një vendim në shkallë të parë, ç’mund të presë qytetari i zakonshëm përballë një sistemi që ngjan më shumë me një tunel pa dalje sesa me një gjykatë?

Mund të jetë një imazh i teksti
Por kriza e besimit nuk lindi vetëm nga vonesat. Ajo ushqehet përditë nga bullizmi publik ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, i nisur shpesh nga kreu i qeverisë, që ka arritur deri aty sa publikon emrin, foton, vendin e punës së gjyqtarit, duke e kthyer në shënjestër të turmës. Dhe kur figura e gjykatësit denigrohet publikisht, kur institucionet si KLP dhe KLGJ heshtin, atëherë rruga drejt linçimit moral dhe fizik bëhet e shkurtër.
Gjithmonë do të ketë të pakënaqur nga drejtësia, sepse çdo vendim ndahet mes një pale që fiton dhe një pale që humb. Por asnjë pakënaqësi nuk mund të kthehet në justifikim për dhunë. Në vitin 1997, kur shteti ishte shkrirë dhe armët ishin në çdo cep, gjyqtarët nuk u prekën. Sot, në kohë paqeje e reformash që nuk ndalen, një gjyqtar vritet në detyrë, në zemër të sistemit, dhe në rrjetet sociale dëgjohen duartrokitje. Ky është një sinjal alarmi për çdo njeri që beson se jeton ne një vend ku duhet të sundojë ligji.

Mund të jetë një vizatim i teksti që thotë "Ta di te sigurt se me lek ky djal del nga burgu borgj kisha hi nja 10 mln lek e ja kisha dhan me qef per at zot.. ky asi dit burg merito... 5h nuk Jaime Réponero 14"
Për ta kthyer arsyen dhe shenjtërinë e jetës, nuk mjafton një deklaratë ngushëlluese dhe justifikuese. As premtime për ashpërsim të dënimeve. Nuk funksionon. Duhet një reflektim, nga çdo hallkë: Politika, që duhet të ndalë retorikën e dhunës dhe përdorimin e drejtësisë si armë për linçim;

Mund të jetë një imazh i teksti
Media, duhet të ndalë normalizimin e urrejtjes, dhunës, fjalës së fundit, banalitetit dhe të promovojë pse jo fuqishëm mendimin kritik, por jo hakmarrës!

Mund të jetë një imazh i teksti
Dhimbja nuk shërohet me një plumb dhe ai që niset për hakmarrje gjithmonë hap dy varre.
Nëse duam drejtësi, duhet të fillojmë duke mbrojtur ata që e japin atë. Gjykatësi nuk është armik, por një figurë që mban ekuilibrin e shoqërisë. Është në interesin e gjithekujt që gjykatësi të jetë jo vetëm i sigurt, por edhe i qetë, i mbrojtur, madje edhe i lumtur, sepse vetëm kështu mund të japë drejtësi.

Mund të jetë një imazh i teksti që thotë "Me pak fjale doli nje burrrre ne kete vend mbase sot eshte nje dite e vecante per nje drejtesi te re ne ne shqiperi qe nga viti 1912 5h J'aime Répondre 69"
Një shoqëri që gëzohet për një vrasje, është një shoqëri që ka vrarë më parë ndërgjegjen. Dhe kur ndërgjegjja hesht, krimi fillon të flasë në emër të drejtësisë.

Mund të jetë një imazh i teksti që thotë "ore te dalın sa te dush spijuna, tashti ky Ae boni kte vrasje esht shum e thjesht per ta kuptuar ,ky idha nje sinjal populli shqiptar, sot shteti ka deshtu o popull, zgjohuni ti zhdukim kto gjukates kto prukuror ekto qeveritaret qe Ae kan 35vite tu naj giakun, 5h h 5 J'aime J'aime Reponere 18"
Nëse duam të jetojmë në një vend ku gjykata është simbol i shpresës, jo i frikës, duhet të ringremë jo vetëm institucionet, por edhe moralin publik. Sepse, në fund të fundit, një shtet që nuk mbron jetën, nuk ka të drejtë të flasë për drejtësi.

Eja

0

Shkruan Leo Nika

Eja

Eja po të pres me padurim
Veç atëhere shërohet shpirti im
Eja më përqafo
S’e zemra ime shumë të do

Eja të shëtisim në breg të detit
Ti jap fund dhimbjes dhe sikletit
Eja të Ikim në rrugën pambarim
O yll i bukur të kam fiksim

Eja se shumë unë të dashuroj
Sa dhe hënën për ty do ta rrëzoj
Eja o thesari im i paçmuar
S’e shumë ty jam i dashuruar

Eja që në krah ty të të mbaj
Jastëkun me lot s’dua që ta laj
Eja të shikojmë detin kaltërosh
Shumë do të lutem të më dashurosh

Preferoj të bëhem zog
Mbi supin tënd unë të qëndroj
Ushtar i bindur për ty do jem
S’e kaq shumë të dashuroj

Mund ta pyesësh perendinë
Sa të fortë e kam dashurinë
Perendia do t’ju thotë të vertetën
S’e pa ty s’e imagjinoj dot jetën

Pa ty mbetëm në vetmi
Si një fyell i lënë pa melodi
Mbetëm i mjerë në shi e fortunë
Mos e harro rrugën që të sjellë tek unë

Dua sa më shpejt
Ty që të takoj
Të bërtas me zë të lartë që të dashuoj
Dhe trupin me yje të ta zbukuroj

POSTIMET E FUNDIT