Kreu Analizë Politika shqiptare dhe kultura e krizës së përhershme

Politika shqiptare dhe kultura e krizës së përhershme

0
5

Shkruan Zef Ndreka

Në daljet publike të muajit të fundit të protestës në Tiranë, ashtu siç ka ndodhur prej vitesh edhe nga opozita, veçanërisht nga Partia Demokratike dhe Sali Berisha, është përsëritur vazhdimisht thirrja se “Shqipëria është në rrezik!”
Kjo nuk është një deklaratë e rastësishme. Është një mënyrë të bëri politikë, e cila është rrënjosur prej dekadash në Shqipëri. Çdo përplasje politike paraqitet si një betejë vendimtare, çdo zgjedhje si fundi ose shpëtimi i vendit dhe çdo protestë si preludi i një përmbysjeje historike.
Konflikti politik është bërë kaq emocional, sa shpesh humbet kufiri midis realitetit dhe sjelljeve. Media, rrjetet sociale dhe vetë aktorët politikë e ushqejnë këtë klimë, duke e dramatizuar çdo zhvillim. Kështu ndërtohen idetë se demokracia po shembet, shteti po bie ose Shqipëria ndodhet në rrezik ekzistencial.
Pamje si arkivolët që parakalojnë para Kryeministrisë janë pjesë e kësaj gjuhe simbolike të krizës. Ato synojnë të prodhojnë tronditje emocionale dhe jehonë mediatike, por nuk ofrojnë zgjidhje. Përkundrazi, ato thellojnë ndarjet, shtojnë mosbesimin dhe e largojnë debatin nga problemet reale të qytetarëve.
Në të vërtetë, Shqipëria nuk ndodhet në prag të shembjes së shtetit. Ajo po përjeton një konflikt të ashpër politik, të shoqëruar me tensione sociale, me retorikë të ndezur dhe me sjellje ekstreme. Kjo është krejt ndryshe nga një krizë ekzistenciale e shtetit.
Problemi ynë më i madh nuk është se shteti po zhduket, por se kultura politike vazhdon të mbështetet mbi logjikën e krizës së përhershme. Kur mungon besimi tek institucionet, tek drejtësia, tek zgjedhjet dhe tek dialogu politik, çdo mosmarrëveshje kthehet në një betejë pa kompromis.
Për fat të keq, kjo kulturë nuk është pronë vetëm e opozitës. Edhe pushteti, në periudha të ndryshme, ka përdorur të njëjtën logjikë, duke demonizuar kundërshtarët dhe duke i paraqitur ata si kërcënim për vendin. Mbase me të drejtë. Kështu është krijuar një cikël që përsëritet pa fund ku njëra palë flet për katastrofë kur është në opozitë, ndërsa pala tjetër bën të njëjtën gjë sapo humbet pushtetin.
Demokracia nuk mund të ndërtohet mbi frikën. Ajo ndërtohet mbi besimin tek institucionet, mbi respektimin e rregullave dhe mbi aftësinë për të pranuar se kundërshtari politik nuk është pa tjetlr armik i Shqipërisë.
Prandaj pyetja që shtrohet sot është më e rëndësishme se vetë idetë e protestës:
A është vërtet Shqipëria në rrezik, apo në rrezik është kultura jonë politike, e cila prej më shumë se tri dekadash e mban vendin në një gjendje alarmi të përhershëm?
Sepse një komb nuk dobësohet vetëm nga krizat reale. Ai dobësohet edhe kur bindet se jeton vazhdimisht në prag të katastrofës. Dhe kur kjo ndodh, humbet besimi, humbet dialogu dhe bashkë me to, dobësohet edhe vetë demokracia.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu