Kreu Analizë Prindërimi, sfida më komplekse dhe më e bukur

Prindërimi, sfida më komplekse dhe më e bukur

0
3
Screenshot

Shkruan Mimoza Rexhvelaj

Prindërimi është bërë një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë. Shumë prindër punojnë dy ose tre punë për të siguruar bukën e familjes, por pa e kuptuar, harrojnë pjesën më të rëndësishme, si të jenë prindër.
Shpesh kujdesi kufizohet tek ushqimi, veshja dhe nevojat materiale, ndërsa mungon koha për të biseduar me fëmijën, për t’i dëgjuar, për t’i këshilluar dhe për t’i trajtuar si një individ me mendime e ndjenja.
Shumë mike dhe të afërm më thonë: “Ke pasur fat me fëmijët. Janë të mrekullueshëm.”
Të them të drejtën buzëqesh, sepse nuk besoj se është vetem çështje fati…
Çdo fëmijë lind si një fletë e bardhë. Janë prindërit ata që shkruajnë rreshtat e parë të jetës së tij, me shembullin, dashurinë dhe përkushtimin e tyre.
Sigurisht, për gjithçka jemi mirënjohës ndaj Krijuesit. Por një fjalë e urtë thotë se Zoti krijoi nënën që të ishte pranë fëmijës aty ku Ai nuk mund të ishte në çdo çast.
Fati i fëmijëve tanë, të dashura mike, ndërtohet çdo ditë, me shembullin që japim, me kohën që u kushtojmë, me vlerat që u përcjellim dhe me mënyrën se si i bëjmë të ndihen.
Fëmijët kanë nevojë për dashuri po aq sa kanë nevojë për ushqim. Kanë nevojë për vëmendje, për përqafime, për biseda dhe për ndjesinë se janë pjesë e rëndësishme e familjes. Duhet t’i dëgjojmë, t’u kërkojmë mendimin dhe t’i bëjmë të ndihen të vlefshëm. Koha që u kushtojmë nuk duhet të jetë vetëm e mjaftueshme, por edhe cilësore.
Në çdo kohë dhe në çdo moment të jetës fëmijët janë pasqyra jonë. Fëmijët mësojnë më shumë nga ajo që ne bëjmë, sesa nga ajo që ne u themi.
Prandaj, suksesi i tyre është fryt i përkushtimit tonë, ndërsa dështimet e tyre duhet të na bëjnë së pari të reflektojmë për rolin tonë si prindër dhe të shohim gabimin te vetja jonë.
Gjëja e parë që kam mësuar nga prindërit e mi është se trashëgimia më e madhe që mund t’u lëmë fëmijëve nuk është pasuria, por karakteri, emri dhe mbiemri, që do të jenë gjithë jetën me ne.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu