Shkruan Zef Ndreka
Shqipëria po hyn në një spirale të rrezikshme dhune, e cila duhet ndalur përpara se të bëhet e pakontrollueshme.
Nuk duhet përdorur lehtë shprehja “luftë civile”, sepse nuk jemi ende në pragun e saj.
Shqipëria, pavarësisht përplasjeve të rënda politike e shoqërore që ka përjetuar, nuk duhet lejuar të afrohet drejt një skenari ku qytetarët, grupet politike apo individët të fillojnë ta shohin njëri-tjetrin si armiq dhe dhunën si mjet për zgjidhjen e konflikteve.
As në vitin 1944, me gjithë përplasjet e ashpra të kohës, as në trazirat e tranzicionit të vitit 1991 dhe as në katastrofën shtetërore të vitit 1997, Shqipëria nuk duhet lexuar thjesht përmes formulës së luftës civile.
Por historia na mëson diçka tjetër shumë të rëndësishme, që kur dobësohet shteti, kur politika humbet kontrollin dhe kur dhuna fillon të legjitimohet, pasojat mund të bëhen të paparashikueshme.
Ajo që duhet të na shqetësojë sot është normalizimi i dhunës.
Të protestosh kundër qeverisë është një e drejtë themelore. Të protestosh kundër korrupsionit, padrejtësisë, arrogancës së pushtetit apo keqqeverisjes është pjesë e demokracisë. Madje, një shoqëri që nuk proteston kur ka arsye për të protestuar është një shoqëri e mpirë.
Por të djegësh, të shkatërrosh, të godasësh njerëz, të sulmosh pronën publike apo biznesin privat nuk është më protestë.
Sidomos sulmi ndaj bizneseve private është një vijë jashtëzakonisht e rrezikshme.
Sepse pas çdo dyqani, lokali apo sipërmarrjeje që sulmohet është një qytetar që ka investuar kursimet dhe punën e tij. Dhe nëse shteti nuk arrin ta mbrojë, lind rreziku që nesër pronari të përpiqet ta mbrojë vetë pronën e tij.
Atëherë dhuna prodhon kundërdhunë.
Dhe pikërisht aty fillon spiralia që një shtet demokratik duhet ta parandalojë me çdo mjet ligjor dhe proporcional.
Natyrshëm lind pyetja:
Ku po shkojmë kështu?
Ku janë universitetet, akademikët, shkrimtarët, juristët, gazetarët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe njerëzit me autoritet moral?
Shqipëria nuk mund të ndahet vetëm midis qeverisë dhe protestuesve. Ekziston edhe një shumicë qytetare që kërkon njëkohësisht drejtësi, liri, rend dhe stabilitet.
Pikërisht kjo pjesë e shoqërisë duhet të flasë sot.
Po aq seriozisht duhet trajtuar çdo dyshim për ndërhyrje apo financim të huaj. Shqipëria ndodhet në një moment strategjik të rrugës së saj europiane dhe destabilizimi i saj mund tu shërbejë interesave që nuk përputhen me interesin kombëtar.
Edhe për gjendjen e jashtëzakonshme duhet shumë kujdes. Ajo nuk duhet të jetë reagimi i parë politik ndaj protestave, sado të dhunshme të bëhen ato. Demokracia duhet fillimisht të përdorë institucionet civile, policinë, drejtësinë dhe mekanizmat kushtetues. Ndërsa përfshirja e ushtrisë në kontrollin e brendshëm të vendit është një masë ekstreme dhe mund të justifikohet vetëm në rrethanat dhe kufijtë që përcakton Kushtetuta, jo si instrument kundër protestave politike.
Shteti ka një vijë të kuqe që nuk duhet ta kalojë.
Protestuesit nuk kanë të drejtë të shkatërrojnë Shqipërinë në emër të protestës, ashtu siç pushteti nuk ka të drejtë të cenojë demokracinë në emër të rendit.
Ky është ekuilibri që duhet ruajtur dhe mbrojtur.
Shqipërisë sot nuk i duhet as anarkia e rrugës, as autoritarizmi i shtetit, por i duhet ligji.
Kush proteston paqësisht duhet mbrojtur, kush kryen akte dhune duhet individualizuar dhe përballur me ligjin.
Kush financon dhunën duhet hetuar, kush urdhëron përdorim të paligjshëm të forcës nga shteti duhet gjithashtu të përgjigjet.
Por është politika që duhet të ulë temperaturën.
Sepse pushtetet ndërrohen, qeveritë ikin, liderët politikë vijnë dhe largohen, ndërsa Shqipëria mbetet.
Prandaj vija e kuqe nuk është mbrojtja e një qeverie apo rrëzimi i saj. Vija e kuqe është vetë Shqipëria.







