Shkruan Avokat Arben Llangozi
Në Shqipëri mund të të poshtërojnë në punë, mund të të përjashtojnë dhe përdhunojnë në administratë, mund të të shkelin në polici, mund të të sorollasin në prokurori, mund të të rrënojnë në gjykatë, mund të të lënë pa dinjitet në burg, mungesë totale e shërbimit në sistemin social, mund të të lënë pension qesharak, mund të të lënë pa minimum jetik, mund të të trajtojnë si njeri pa vlerë në spital apo në institucionet e shëndetit mendor, dhe prapë Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi të mos duket askund, sikur jeton në një Shqipëri tjetër, në një republikë imagjinare ku padrejtësitë nuk ekzistojnë.
Por mjafton një deklaratë publike, mjafton një zhurmë mediatike, mjafton një emër që bën klikime, dhe papritur institucioni zgjohet nga gjumi i tij i gjatë, shkund kostumin, rregullon kollaren dhe del të japë mësime për diskriminimin. Për bullizimin në shkolla nuk e gjenaskund kohën. Për trajtimin çnjerëzor në burgje nuk e gjen asgjëkundi. Për pensionistët e poshtëruaras nuk ja ndjenw. Për njerëzit që trajtohen si mbetje nga administrataasnjëherë nuk ka reaguar. Për të sëmurët e shëndetit mendor për qytetarët që shtypen çdo ditë nga shteti, nga pushteti, nga varfëria dhe nga padrejtësia komisioneri nuk duket asgjëkundi.
Por për çështje që kanë jehonë, për tema që prodhojnë ekspozim, për deklarata që bëhen lajm, aty Komisioneri bëhet i gjallë, i ndjeshëm, i revoltuar, pothuaj heroik. Dhe kështu është krijuar përshtypja publike se ky institucion nuk është komisioner i të gjithë qytetarëve, por komisioner me regjim selektiv, me radar të programuar për disa tema dhe me verbëri të plotë për dramën e shumicës së shqiptarëve.
Të duket sikur diskriminimi, sipas këtij institucioni, nuk është fëmija që përqeshet e shtypet në shkollë, nuk është pensionisti që mbijeton me lëmoshë, nuk është i burgosuri që trajtohet pa dinjitet, nuk është qytetari që turpërohet e poshtërohet nga zyrat e shtetit, nuk është njeriu me probleme mendore që lihet në mëshirë të fatit, por është vetëm ajo çështje që ka kamera, mikrofon dhe zhurmë publike.
Dhe kulmi i ironisë është se publiku sheh një institucion që nuk gjen kohë për hallet më të rënda të shqiptarëve, por e gjen menjëherë kohën kur duhet të reagojë për tema që i japin profil publik dhe fasadë morale. Kjo nuk është mbrojtje nga diskriminimi. Kjo është administrim selektiv i ndjeshmërisë. Kjo është burokraci me filtra politikë, mediatikë dhe ideologjikë.
Dhe kur vjen puna te figura si Myslym Murrizi, duket sikur Komisioneri ka antena speciale, sepse aty reagimi del i shpejtë, i rregullt, i menjëhershëm, thuajse institucioni rri me kronometër në dorë duke pritur deklaratën e radhës, ndërsa për diskriminimin e përditshëm që u bëhet shqiptarëve të zakonshëm, heshtja është aq e thellë sa të krijon përshtypjen se zyra ekziston vetëm për dekor.
Askush nuk thotë që të mos mbrohet askush, përkundrazi, çdo njeri duhet mbrojtur me të njëjtin standard, përfshirë edhe personat LGBTQ, por pikërisht këtu qëndron turpi i këtij institucioni, jo se reagon për ta, por se nuk reagon me të njëjtën forcë për të gjithë të tjerët. Sepse një komisioner serioz nuk zgjedh viktimën sipas modës, nuk mat dinjitetin sipas audiencës dhe nuk e peshon diskriminimin me kandar propagande.
Nëse një institucion ngrihet si luan vetëm kur pretendohet se cenohet komuniteti LGBTQ, por përballë diskriminimit, poshtërimit dhe padrejtësive që u bëhen çdo ditë shqiptarëve të zakonshëm zgjedh të heshtë.
Hipokriti Robert Gajda ka humbur thelbin e misionit të tij dhe është shndërruar në një institucion me standard të dyfishtë, që nuk mbron barazinë, por përzgjedh se kush meriton zë dhe kush meriton heshtje, një sjellje e tillë nuk përbën më mbrojtje nga diskriminimi, por vetë ai kryen diskriminim institucional ndaj shumicës së qytetarëve, të cilët lihen pa mbrojtje reale përballë bullizmit, përjashtimit, varfërisë, abuzimit me pushtetin, trajtimit çnjerëzor në institucione dhe padrejtësive të përditshme që ky institucion do të duhej t’i denonconte me të njëjtën forcë, pa përzgjedhje, pa interes dhe pa hipokrizi.
Shqipëria nuk ka nevojë për një komisioner që zgjohet me porosi dhe fle para mjerimit real të popullit. Ka nevojë për një institucion që e sheh diskriminimin kudo, jo vetëm aty ku i intereson ta shohë.








